Integrimi i të rinjve në jetën shoqërore e politike dhe në pozicionet e vendimmarrjes, është sfidë e së ardhmes së rrugëve të shteteve të rajonit, kështu është shprehur ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët e Republikës së Shqipërisë, Bora Muzhaqi në takimin e zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Avancimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve Pakicë dhe Bashkësive Nacionale të Pakicave të Tjera, Arben Xhurreta. Ata janë pajtuar se
të rinjtë janë shtylla kryesore e çdo shteti.
Ndërkohë, z. Xhurreta me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët të Republikës së Shqipërisë, Bora Muzhaqin, ka diskutuar edhe për pozitën e popujve pakicë dhe për modelet për avancimin e bashkëpunimit për çështjen e regjistrimit së numrit më të madh të studentëve/eve nga Mali i Zi në programet studimore të universiteteve në Republikën e Shqipërisë.
“Ai e ka informuar ministren mbi aktivitetet të cilat Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave po zbaton, me qëllim të mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive nacionale të pakicave të tjera”, njoftohet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Më tutje, Xhurreta ka theksuar se është në rritje edhe përfaqësimi i pjesëtarëve të popujve pakicë në institucionet shtetërore dhe se është gjithnjë më i madh përfaqësimi i të rinjve në jetën politike dhe shoqërore.
“Në kontekstin e zhvillimit të bashkëpunimit për çështjen e pjesëmarrjes së të rinjve nga bashkësitë nacionale të pakicave në jetën politike dhe shoqërore, bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që këtë duhet ta avancojnë më tej, në kuptimin e aktiviteteve konkrete të përbashkëta” njoftohet nga ky dikaster qeveritar.
t. u.