Leuti – varka e vogël në detarinë ulqinake

Gani Karamanaga

Leuti është varkë e vogël ulqinake, me gjatësi 12-14m dhe gjerësie 4m si dhe lartësie nga sipërfaqja e detit 1.5m. Bashi përfundon në mënyrë elipsoide, ndërsa dyrekun e kishte lartësi 3-4m në pjesën e parme të bashit ishte Palmeta, ku ndodheshin 2 shtretër për kapedanin dhe motoristin. Mesi ose hamari ishte për mallra. Në pjesën e poshtme, te kiçi ishte kabina në tri anë me xham ku qëndronin kapedani dhe motorist. Motori ishte po në atë pjesë, kurse timoni ndodhej pas kiçit, i cili drejtohej me një dorezë gjatësie 1m.

Përmbytja e leutit të parë
Peshkataria e Ulqinit bleu nga Dalmacia leutin, i cili shfrytëzohej për tërheqjen e fllugave të peshkatarëve deri në lumin Buna. Ndonjëherë përdorej për transportin e mallrave.
Ishte natë vjeshte, në leut ishte kapedan Mustafa Tula dhe motorist Rasim Kroma. Leutin e lidhën në molen e vogël. Nata ishte e qetë. Kapedani dhe motorist shkuan në shtëpitë e tyre. Duke u larguar, kapedan Mustafa i tha Rasimit: “Shtëpia jote është më afër detit, të kesh kujdes të mos të çojnë det”. Para se zbardhi drita, moti u përkeqësua. Filloi të bjeri shi, deti të trazohej.
Rasimi shpejtoi shkoi deri në Mahallë të Re te kapedan Musatafa. Për disa minuta arritën në Molen e vogël.
E zgjidhën leutin, ndezën motorin dhe u larguan prej Moles. Kapedan Mustafa i tha: “Po largohemi nga bregu dhe të nisemi për në Bunë”.
Kur arritën sipër hotel “Jadranit” tri dallgë të mëdha, të ashtuquajtura “Tre vëllezërit”, e kapën leutin dhe si gjethe e hedhën në shkëmbinj. Leuti u nda në dy pjesë, Mustafa dhe Rasimi shpëtuan dhe arritën në breg.
Shpejt u përhap lajmi për përmbytjen e leutit. Kam qenë prezent dhe i pashë dy copat e leutit në afërsi të bregut.
Kapedan Mustafa dhe motorist Rasimi të mbuluar me batanije, të ulur në një dërrasë, me lot në sy vëzhgonin leutin e përmbytur.

Me leut prej Tivarit deri në Ulqin
Ishte viti 1963. Kam qenë në praktikën e kirurgjisë në spitalin e Tivarit. Në atë kohë kam qëndruar në Tivarin e Moçëm, te zonja Xhemale Karamanaga Gjylameri.
Një ditë shkova në molen e Tivarit. Kishte arritur leuti nga Ulqini me zall të imët për ndërtimin e Portos. Kapedani ishte Halit Sulejmani dhe motoristi Rasim Kroma. Kur ata po përgatiteshin për t’u kthyer i pyeta: “ A mund të vijë me ju deri në Ulqin?”
Kështu lundruam nga Tivari në drejtim të Ulqinit.

Leuti – varkë turistike
Peshkataria e Ulqinit e ndaloi veprimtarinë e vetë.
Leutin e bleu Selatin Vogliqi, i cili leutin e qiti në tokë, e riparoi dhe e shndërroi në varkë turistike. Në ditët e sotme leuti me emrin “Liamra” transporton turistat deri në Bunë, Valdanos si dhe në Tivar.

Të fundit

më të lexuarat