Muaji i vetëdijesimit ndaj kancerit të gjirit

Muajit tetor ose muajit rozë i kushton vëmendje edhe Komuna e Tuzit e cila, në kuadër të këtij muaji do të organizojë ligjërata mbi shëndetin dhe rëndësinë e parandalimit të kancerit të gjirit. Nga ky institucion është njoftuar se do të ofrohen kontrolle mjekësore me qëllim identifikimin e hershëm të sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit të përgjithshëm

Muaji tetor ose siç njihet ndryshe, ‘Tetori rozë’, në të gjithë botën i kushtohet vetëdijesimit ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit, kontrolleve periodike, të cilat zbulojnë dhe parandalojnë kancerin e gjirit që çdo vit prek numër relativisht të madh të vajzave dhe grave.
Mbi rëndësinë e kontrolleve për të evituar prekjen nga kjo sëmundje, çdo muaj tetor na kujtojnë institucionet shëndetësore, organizatat e ndryshme, vetëqeverisjet lokale, etj., të cilat apelojnë tek masa, përmes fushatave dhe mesazheve të ndryshme sensibilizuese, që të kihet vëmendje ndaj kësaj sëmundje të rrezikshme.
Statistikat kanë treguar se afro pesëqind mijë gra në të gjithë botën, vdesin çdo vit nga kjo sëmundje, dhe nisur nga kjo shifër, mjekët (profesionistë të fushës) kanë vënë në dukje se sa me rëndësi është që të flitet mbi këtë problematikë dhe mbi të gjitha të zbatohet apeli i vazhdueshëm i mjekëve për kontrolle të rregullta dhe zbulim të hershëm.
Shanset për të shpëtuar nga kjo sëmundje, nëse zbulohet në kohë, sipas konstatimeve të profesionistëve janë të mëdha, madje në shumicën e rasteve, sëmundja është plotësisht e shërueshme.
Prandaj, muaji në të cilin ndodhemi aktualisht risjellë në kujtesë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, gjë që ndihmon në masë të madhe për të vetëdijesuar gratë dhe vajzat që të veprojnë ndaj parandalimit të hershëm të kësaj sëmundjeje, duke ditur se, parandalimi dhe trajtimi në kohë, shpëton jetë.
Në bazë të statistikave kushtuar kancerit të gjirit, ka rezultuar të jenë prekur 1 në 8 femra, ndërsa raporti tek gjinia mashkullore ka qenë shumë më i ulët, përkatësisht 1 në 100 raste.
Edhe pse ende nuk ka njohuri të mjaftueshme mbi shkaqet e shfaqjes së kësaj sëmundjeje, ajo që është vazhdon të jetë thelbësore për zbulimin e hershëm, mbeten kontrollet e rregullta gjinekologjike dhe mjekësore.
Pavarësisht rrezikshmërisë së lartë që kanceri i gjirit bart me vete në shoqëri, duke marrë me mijëra jetë njerëzish çdo vit, vetëdijesimi mbi rrezikun ndaj kësaj sëmundjeje nuk është ende në nivelin e duhur, mirëpo siç kanë pohuar ekspertë të fushës, krahasuar me vite të mëparshme, vetëdijesimi është në rritje, por megjithatë ende i pamjaftueshëm.
Mjekët gjinekologë, çdo vit apelojnë në të gjitha format e mundshme, përmes fushatave, rrjeteve sociale dhe seminareve të ndryshme që t’u kushtohet rëndësi kontrolleve të rregullta si gjinekologjike, gjithashtu edhe kontrolleve mjekësore të cilat mund të ndihmojnë në zbulimin, edhe të kancerit të gjirit.
Ata përherë kanë bërë thirrje për të kryer ekzaminimet ashtu siç rekomandojnë mjekët ekspertë të fushës, pasi në bazë të rezultateve që nxjerrën nga analizat në fjalë, edhe mjekimi i kancerit të gjirit mund të jetë më efikas.
Nga Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi, i cili i referohet të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), thuhet se në vitin 2022, në botë janë regjistruar rreth 2.3 milionë raste të reja me kancer gjiri dhe rreth 670 mijë kanë vdekur nga kjo sëmundje.
“Më së shpeshti shfaqet pas moshës 40 vjeçare, por kanceri i gjirit mund të prekë edhe të rinjtë. Sipas vlerësimeve të GLOBOCAN për vitin 2022, numri i rasteve të reja të kancerit të gjirit tek gratë në Mal të Zi ishte 416 (gjithsej 2739 raste të reja me kancer në të dy gjinitë)” njoftojnë nga ISHP-ja.
Ndër të tjera, nga ky institucion bëjnë të ditur se, nga të gjitha rastet e kancerit në të dy gjinitë, kanceri i gjirit përbën 15.2% (pothuajse çdo i shtatë person me kancer, ka kancer gjiri). “Përqindja e kancerit të gjirit në mesin e të gjitha rasteve me kancer te gratë, është 31.4% (pothuajse çdo e treta grua që vuan nga kanceri, vuan nga kanceri i gjirit)”.
Muajit tetor ose muajit rozë i kushton vëmendje edhe Komuna e Tuzit e cila, në kuadër të këtij muaji do të organizojë ligjërata mbi shëndetin dhe rëndësinë e parandalimit të kancerit të gjirit. Nga ky institucion është njoftuar se do të ofrohen kontrolle mjekësore me qëllim identifikimin e hershëm të sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit të përgjithshëm.
“Këto aktivitete synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe të informojnë qytetarët mbi metodat parandaluese, trajtimin, si dhe kujdesin pas diagnostikimit”, theksojnë nga Komuna e Tuzit.
Ndërkaq, të ndodhur në këtë muaj të ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta, urojmë që ky muaj të shërbejë për të rritur vetëdijesimin, për të kryer kontrolle të rregullta, në mënyrë që të evitohet prekja nga kjo sëmundje e rrezikshme.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat