Gatishmëri për formimin e grupit të miqësisë në Kuvendin e Malit të Zi

Podgoricë – Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj ka biseduar të premten (27 shtator 2024) me ambasadoren e Republikës së Kosovës në Podgoricë, Ariana Zherka – Hoxha.
Në deklaratën për shtyp të Kuvendit të Malit të Zi thuhet se gjatë bisedës është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm të dy shteteve.
“U nënvizua veçanërisht fakti i marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike, të bazuara në njohje reciproke, që, siç u vlerësua bashkërisht, ishte një hap në drejtim të forcimit të lidhjeve me vendet perëndimore dhe integrimet evropiane”, thekson deklarata.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar se interesat reciproke të dy vendeve reflektohen në zhvillimin e infrastrukturës, tregtisë dhe transportit dhe se turizmi paraqet një hallkë shumë të rëndësishme të bashkëpunimit dhe lidhjes së mëtejshme.
Edhe pse marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë vlerësuar si konstruktive, nënkryetari Camaj dhe ambasadorja Zherka – Hoxha janë marrë vesh për modalitetin e përmirësimit dhe intensifikimit të tyre në të gjitha nivelet. Në këtë drejtim u shpreh gatishmëria për formimin sa më të shpejtë të grupit të miqësisë në Kuvendin e Malit të Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat