Kanceri i shoqërisë politike shqiptare: servilizmi, injoranca, korrupsioni dhe nepotizmi

Hajrullah Hajdari
  • Servilizmi dhe injoranca
    Pritshmëria e shqiptarëve për veprimin e demokracisë, në kuptimin e plotë të fjalës, në vendet e banuara me shqiptarë, pothuajse ka mbetur në gjysmë! Promovimi i demokracisë së vërtetë është detyrë e partive politike dhe përfaqësuesve politikë në parlament dhe qeveri, nga të cilët varet niveli i demokracisë dhe realizimi i objektivave, sidomos të partive të popullit pakicë. Në shumë raste demokracia të çon në veprime strategjike, sidomos kur zgjidhet rruga politike dhe caktohen kandidatët për partitë e ndryshme politike, kur vendoset për negociatat dhe koalicionet për krijimin e qeverisë. Kjo bëhet më e rëndësishme pas krijimit të qeverisë dhe angazhimit të përfaqësuesve politikë në seancat plenare të kuvendit, në komisionet parlamentare, në ngritjen dhe pjesëmarrjen në seancat dëgjimore, në punën e qeverisë dhe iniciativat për sjelljen e ligjeve me interes të popullatës që u përkasin, sidomos të atyre ligjeve që kanë ndikim në ruajtjen dhe avancimin e identitetit dhe kulturës dhe përmirësimin e kushteve të jetës, në rastin konkret në vendet e banuara me shqiptarë. Mjetet janë të shumta: votime (me ndikim vendimtar!), shfaqje mendimesh e nxitje të diskutimeve, premtime dhe kërcënime, demonstrime të padëgjueshmërisë qytetare, lojëra simbolike, manovrime taktike etj..
    Politika e përditshme merr nganjëherë forma jo të rregullta, sidomos kur institucionet ligjbërëse dhe ligjzbatuese neglizhojnë, anashkalojnë ose nuk zbatojnë ligjet, aktet nënligjore e nganjëherë edhe kushtetutën e vendit, sidomos kur kanë të bëjnë me pakicat, në rastin konkret përsëri me shqiptarët. Format mund të jenë të ndryshme: reagimet në parlament apo qeveri, reagimet publike me përmasa ndërkombëtare, braktisja e harmonizuar e institucioneve shtetërore, mosbindja qytetare, greva etj..
  • Mungesë e strategjisë apo mungesë e idealeve etike dhe ideologjike
    Disa herë kemi cekur se shqiptarëve në Mal të Zi u mungon strategjia e përgjithshme e veçanërisht ajo e veprimit të koordinuar. Megjithatë, në mënyrë të përgjithshme duhet të ekzistojnë disa objektiva të përbashkëta, përtej politikave partiake, nëse përfaqësuesit politikë ato i marrin seriozisht. Kjo me duket që nuk vepron te politika shqiptare. Të kesh objektiva të përbashkëta pa një strategji të përbashkët është sikurse ta hedhësh topin në lum, e ku rrjedhat do ta përplasin s’është me rëndësi! Kjo na bën të mendojmë se ndoshta kemi mungesë të idealeve etike apo ideologjike dhe për këtë mbizotërojnë interesat e pjesshme të mbështetura në etikë dhe ideologji. Mbase mund të kemi një gjendje “La politique politicienne” që është një shprehje frëngjisht për veprimtarinë politike që anon më shumë nga pozicionet dhe privilegjet e që ndryshe quhet politikë e politikanëve të bukës së gojës. Për këtë të fundit nuk dua të besoj sepse fatmirësisht çdonjëri nga politikanët dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi nuk vuan nga ekzistenca materiale. Pra, nëse e marrim si të qenë situatën e mirë materiale të përfaqësuesve politikë atëherë veprimi ndryshe i deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë apo mosangazhimi i tyre (nderim për ata që janë aktivë në diskutime dhe propozime) në realizimin e objektivave për të cilat kanë marrë mandatin nuk mund ta konsiderojmë ndryshe, përveçse mungesë e idealeve etike e veçanërisht idealeve ideologjike!
    S’ka dyshim se gjithë përgjegjësia nuk është vetëm e faktorit politik. Ne duhet t’i studiojmë ngjarjet faktike, midis të tjerash, për të marrë vesh shkaqet për ato që ndodh dhe për këtë arsye duhet të sqarojmë qëndrimet, vendimet dhe veprimet e pjesës politike dhe pjesës qytetare, pa marrë parasysh qëndrimet e tyre politike. Në veprimtarinë politike ka shumëllojshmëri kështu që institucionet marrin forma të ndryshme prandaj edhe politika ka përmbajtje të ndryshme. Është e nevojshme që të kërkohen shkaqet që i bëjnë njerëzit e politikës të jenë aktivë apo jo në kryerjen e detyrës që iu është besuar, a veprojnë me dashje apo janë të ndikuar nga mungesa e motivimit politik. Nëse konkludojmë një mungesë të tillë, atëherë shtrohet pyetja: Çfarë të drejtash dhe detyrash kanë ata që marrin pjesë në politikë? Kjo duhet t’i nënshtrohet një analize normative që duhet të drejtohet nga argumentimi politik dhe duhet të merret me shkaqet e zgjedhjes ose hedhjes së alternativave politike sidomos të atyre të bazuara mirë dhe bindëse.
  • Kultivimi i kulturës së pjesëmarrjes të qytetarëve në zgjidhjen e problemeve politike është domosdoshmëri e kohës
    Në 30 vitet e kaluara në demokraci, sado e brishtë që është, nuk na është e njohur të jetë bërë ndonjë analizë që është marrë me shkaqet që ndikojnë te politikbërësit të jenë pasiv në kryerjen e detyrës të besuar nga populli, me motivimin e tyre dhe argumentet e veprimit politik në bazë të cilave duhet të kërkohet rrugëdalje nga anemia politike në vazhdimësi. Nga ana tjetër, po ashtu, nuk na është e njohur, se në periudhën kohore të përmendur, sovrani i votës të ketë kërkuar llogari nga përfaqësuesit politikë ose të ketë shprehur publikisht (në forma të ndryshme demokratike) pakënaqësinë e tyre për veprimin e asaj pjese të politikës që nuk i përfaqëson me dinjitet dhe nuk realizojnë programet politike dhe premtimet e dhëna! Pse kështu?
    Është fakt i pamohueshëm dhe tepër shqetësues që pozita e shqiptarëve në Mal të Zi, veçanërisht ajo ekonomike që ka ndikim të drejtpërdrejt në ruajtjen dhe avancimin e identitetit tonë kombëtar nuk po përmirësohet, ndërkohë aktivitetet politike të faktorit politik shqiptar për tejkalimin e kësaj gjendjeje nuk vërehet. Çfarë bëjmë ne? Jemi në një gjumë të thellë, sigurisht! Për aq kohë sa mos të kultivojmë kulturën e pjesëmarrjes së qytetarit në zgjidhjen e problemit politik të përfaqësimit të interesave të tyre në mënyrë të denjë e profesionale diferencimi zhvillimor i vendeve të banuara me shqiptarë në Mal të Zi do të thellohet! Rrjedhimisht kjo humnerë e krijuar na shkakton dëme të mëdha dhe kështu vështirë se dalim dot!
    Disa janë të prirë të na quajnë servilë e disa të tjerë injorantë! Nuk dua të besoj se qytetari shqiptar është njëri nga ata, ashtu si nuk dua të besoj as për politikanët tonë. Më shumë me duket se kemi të bëjmë me servilizmin politik, gjithmonë duke u bazuar në kontributin e dhënë në punën e parlamentit dhe qeverisë të përfaqësuesve tonë politikë kundrejt halleve të shqiptarëve, për shkaqe e motive të ndryshme. Nuk dua të besoj as në injorancën qytetare dhe as politike, sepse niveli i arsimimit të popullit shqiptar aktualisht është në një nivel të lakmueshëm (së paku sipas diplomave!). Injoranca është e rrezikshme aq më tepër nëse interesi individual mbizotëron mbi interesat e përgjithshme të popullsisë. Durimi i njeriut mbaron atëherë, kur e kupton se injoranca e tjetrit asnjëherë nuk ka fund!
  • Kraja pa ujë të pijshëm, Ulqini pa stadium, anomali dhe shembull banal i politikbërjes shqiptare
    Nuk është aspak e drejtë, as e ndershme që politika shtetërore e Malit të Zi të sillet kësisoj ndaj vendeve të banuara me shqiptarë dhe resurseve natyrore të tyre. Nuk është aspak njerëzore që në shekullin XXI Kraja të vuajë për ujë, së paku ujë teknik ose i vetmi qytet në Mal të Zi që nuk ka stadium futbolli, por as sallë sportive funksionale të jetë Ulqini! Kësi shembuj banal kemi edhe në Plavë e Guci, Malësi e Rozhajë (fshatrat shqiptare) sa të duash. Mungesa e investimeve kapitale i ka sjellë vendet shqiptare në mjerim ekonomik dhe rrjedhimisht boshatisja e vendeve shqiptare s’ka të ndalur dhe ka ndikim direkt në ndërrimin e strukturës së popullsisë në dëm të shqiptarëve. Politika malazeze është mësuar që shqiptarët t’ua nxjerrin gështenjat nga zjarri, kurdo që kanë qenë në vështirësi konstitucionale, prandaj shqiptarët tash më duhet ta dinë se nuk janë të huajt (as malazezët) që i zgjidhin çështjet e shqiptarëve, duhet të jenë vetë ata, që duhet t’i zgjidhin.
  • Shqiptarët kanë nevojë për deputetë e qeveritarë gardianë, të vendosur e këmbëngulës
    Duke i parë të gjitha mangësitë e veprimit politik të përfaqësuesve shqiptarë e veçanërisht të pushtetit të Malit të Zi kundrejt shqiptarëve është momenti i fundit të sinjalizojmë dhe alarmojmë deputetët dhe anëtarët e qeverisë që ta ngrenë zërin e arsyes, të shfaqin guxim dhe intelektualizëm për t’i ndryshuar gjërat në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe politik të trojeve shqiptare në Mal të Zi.
    Shqiptarët në Mal të Zi kanë nevojë për deputetë e anëtarë të qeverisë gardianë, të vendosur e këmbëngulës në tavolinat e vendimmarrjes, e jo për deputetë e anëtarë të qeverisë të rënë në gjumë, servilë apo injorantë (nderim për ata që nuk veprojnë ashtu) të cilët janë bërë hendikep i përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve. Ato vetë duhet të jenë ata që do të ngrenë zërin kundër servilizmit, injorancës, korrupsionit dhe nepotizmit që është shndërruar në kancer të shoqërisë politike shqiptare në Mal të Zi.

Të fundit

më të lexuarat