
“Bashkë me mërgatën e jashtëzakonshme shqiptare në Amerikë, forca shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën. Faleminderit Dom Pjetrit dhe komunitetin tonë për mikpritjen!” Kështu shprehet Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani në faqen e saj zyrtare të rrjeteve sociale, ku edhe boton disa fotografi nga vizita e saj në Kishën e parë Katolike Shqiptaro-Amerikane, Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, Nju Jork, ditën e diel me 22, Shtator, 2024 – në kuadër të vizitës së saj në atë qytet për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Është interesant fakti që në kuadër të takimeve të tjera me komunitetin shqiptaro-amerikan në këtë qytet, Presidentja Osmani ka zgjedhur që kësaj radhe, të vizitojë edhe Kishën Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në Nju Jork. Ndonëse kanë kaluar 35-vjet, por ishte pikërisht kjo kishë, që kishte ftuar dhe pritur profesorin dhe kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në atë kohë, më vonë presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën për të marrë pjesë në seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.
Ishte pra, 35-vjet më parë (4 Tetor, 1989) që Dr. Ibrahim Rugova me kolegun dhe mikun e tij Dr Engjëll Sedaj, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare, e para e tillë në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë me shumë akademikë të tjerë shqiptarë të ftuar, për të folur në Seminarin përkujtimor që ishte organizuar nga Dom Rrok Mirdita dhe nga Këshilli i kësaj Kishe, me Kryetar Z. Tonin Mirakaj, me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit.
Këtë ngjarje me rëndësi historike, profesori i nderuar Dr. Sami Repishti e ka cilësuar si, një “fitore të madhe e bashkësisë sonë”. Këtë fitore, kryetari i Këshillit të Kishës, në atë kohë, “Zoja e Këshillit të Mirë” , 35-vite më parë, Tonin Mirakaj e ka përjetësuar më vonë me botimin e një libri titulluar, “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, ku janë përfshirë historiku dhe fjalimet e mbajtura me atë rast. Ky libër, me të drejtë, konsiderohet si një kontribut me vlerë, një manifestim kulturor dhe atdhetar, që jo vetëm ve në dukje dhe përshkruan kontributin e vet Z. Mirakaj, si Kryetar i Këshilli të Kishës dhe shumë bashkëpunëtorëve të tij në organizimin e tij. Por, njëkohësisht, siç e dimë, tashti, 35 vjet më vonë, ajo vizitë shënon dhe dokumenton edhe fillimin e një udhëtimi historik për presidentin e ardhshëm të Kosovës dhe të miqësisë së përhershme, siç preferonte të thoshte ai vetë, të një miqësie të përhershme midis dy kombeve tona, shqiptarë dhe amerikanë – një miqësi që gëzojnë sot shqiptarët dhe amerikanët.
Me 5 Tetor, 1989, një ditë pas arritjes së tyre në Nju Jork, dy profesorët nga Dardania, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjëll Sedaj, vizituan Kishën, “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku u pritën nga administratori Dom Rrok Mirdita, (më vonë Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit), nga ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, diakon Marash Shkreli dhe nga kryetari i komisionit përgatitor të seminarit, Tonin Mirakaj, e të tjerë. Dy ditë më vonë u mbajt seminari, kushtuar 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit në Universitetin e njohur të jezuitëve, Fordham, të Nju Jorkut. “Më lejoni që, në fillim, të përshëndes kishën Katolike Shqiptare të New York-ut, që mori kët hap për të shënuar 300- vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani. E falenderojmë nga zemra për ftesën, që na, dy studiues nga Kosova, të japim ndihmesën tonë në kët drejtim”.
Ashtu e ka hapur bisedën e tij, në atë kohë, Ibrahim Rugova para më shumë se njëmijë pjesëmarrsve në seminarin kushtuar Pjetër Bogdanit. Sikur e kishte parashikuar rendësinë historike të vizitës së tij të parë në Amerikë, Dr Rugova fakënderoi për ftesën, duke u shprehur se “Nisma e Kishës Katolike Shqiptare, që të shënoj kët jubile, është një nismë e mirë, ashtu që të filloi një traditë bashkëpunimi midis shqiptarve në SH.B.A. dhe shqiptarve në Jugosllavi.” Pjesa tjetër, e këtij bashkpunimi historik, në këtë 35-vjetor të vizitës së Dr Ibrahim Rugovës dhe Dr Engjell Sedaj, është tashti histori për brezat e ardhëshëm!
Sot, 35-vjet më vonë, me 22 Shtator, 2024, pasardhsja e denjë e të ndjerit President historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës – Presidentja aktuale e Republikës së pavarur të Kosovës, Dr Vjosa Osmani, vizitoi pikërisht atë kishë dhe atë qendër, e cila 35-vjet më parë kishte ftuar për vizitën e tij të parë, por jo të fundit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Me praninë e saj në Kishën katolike Shqiptare të Nju Jorkut – me dijeni ose jo – Preasidentja Vjosa Osmani shënoi dhe kujtoi, dinjitetshëm, 35-vjetorin e vizitës së para-ardhsit të saj të nderuar dhe shumë të respektuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos në atë kohë, por edhe sot — pa dallime feje as krahine – Dr Ibrahim Rugovën.
Me vizitën tuaj sot në Kishën Zoja e Shkodrës, e nderuara Zonja presidente e Republikës së Kosovës, Ju, Dr. Vjosa Osmani, me delegacionin tuaj, nderuat veten, nderuat dhe kujtuat Ibrahim Rugovën në 35-vjetorin e vizitës së tij të parë në Amerikë dhe, njëkohësisht, nderuat komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi dhe pa dallime.
Të lumtë!