Njohje me situatën dhe sfidat e komunës së Ulqinit

Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit ka pritur në takim gjatë javës së kaluar ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë, Judy Rising Reinke.
Në deklaratën për media të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se kryetari Nimanbegu e njoftoi ambasadoren Reinke me situatën në të cilën ndodhet institucioni që ai drejton, për përgjegjësitë dhe sfidat me të cilat përballet, si dhe për politikat centralizuese të pushtetit qendror, të cilat ndikojnë në menaxhimin e të mirave publike në shërbim të popullit dhe qytetit të Ulqinit.
Ai gjithashtu e falënderoi ambasadoren amerikane për kontributin dhe kujdesin e veçantë që ajo dhe shteti amerikan kanë ndaj popullit shqiptar në përgjithësi.
Nga ana tjetër, ambasadorja Reinke e ka falënderuar kryetarin Nimanbegu për kulturën politike që ai ka treguar në shërbim të vlerave universale, është interesuar për situatën në të cilën ndodhet administrata dhe qyteti i Ulqinit, si dhe ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në fusha të ndryshme përmes diplomacisë për të rritur mirëqenien e popullit të Ulqinit.
Të pranishëm në takim ishin edhe nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sellaj, kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ivana Popoviq, kryeadministratori Naser Resulbegoviq dhe bashkëpunëtorë të tjerë të kryetarit të Komunës së Ulqinit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat