Vendtakim i lexuesit me autorë nga vendi dhe rajoni

“Ky panair nuk është vetëm një ekspozim librash, por një festë dhe një moment për të reflektuar mbi rëndësinë e librit si mjet për zhvillimin intelektual dhe shpirtëror. Libri është dhe do të mbetet një nga pasuritë më të çmuara të njerëzimit. Nëpërmjet tij, brezat trashëgojnë dijen, kulturën dhe historinë, ndërsa mendja dhe shpirti pasurohen me ide dhe vizione të reja” u shpreh kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj

Tuz – Edicioni i pestë i Panairit Ndërkombëtar të Librit në Tuz u mbajt më 11- 14 shtator 2024, i organizuar nga Komuna e Tuzit në kuadër të manifestimit kulturor, “Vera në Malësi”.
Në hapjen solemne të këtij aktiviteti kulturor ku morën pjesë përfaqësues të fushave të ndryshme jetësore, mbi rëndësinë dhe rrugëtimin e kësaj ngjarjeje foli sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj e cila u shpreh se panairi i librit në Tuz nga dita në ditë po fiton konturat e veta të dëshiruara.
“Vet fakti që sot po e hapim edicionin e pestë të tij, na jep një ndjenjë të posaçme se arritëm që ta bëjmë këtë manifestim tradicional i cili ishte edhe qëllimi ynë i madh, që në fillim. Sado i vogël mund të duket, ai është panair ndërkombëtar i librit. Gjatë këtyre ditëve, përpos vizitës së stendave ku besoj se secili gjen së paku një libër për ta pasuruar bibliotekën e vet, jemi angazhuar që të mund të takohemi me autorë për të cilët, së paku keni dëgjuar” u shpreh Ujkaj.
Se ata ia kanë arritur qëllimit me këtë panair, sipas saj, e tregon vet fakti se në mesin e autorëve të cilët janë të pranishëm këto ditë në panair, janë edhe dy laureatë të Çmimit Evropian për Letërsi “Aleksandër Baçanoviq në vitin 2017 dhe Ag Apolloni në vitin 2022. Por edhe emra si: Frano Kulli, Fatmir Toçi, etj”.
Ndërkaq, këtë panair e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj i cili panairin në fjalë e konsideroi si një ngjarje të rëndësishme për Malësinë dhe për të gjithë ata që dinë të çmojnë kulturën, dijen dhe letërsinë.
“Ky panair nuk është vetëm një ekspozim librash, por një festë dhe një moment për të reflekuar mbi rëndësinë e librit si mjet për zhvillimin intelektual dhe shpirtëror. Libri është dhe do të mbetet një nga pasuritë më të çmuara të njerëzimit. Nëpërmjet tij, brezat trashëgojnë dijen, kulturën dhe historinë, ndërsa mendja dhe shpirti pasurohen me ide dhe vizione të reja” u shpreh kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Në të njëjtën kohë, ai tha se është një kënaqësi e veçantë që panairi i librit në Tuz është bërë traditë, duke i dhënë qytetit tonë një vend të rëndësishëm në hartën kulturore.
“Ne krijojmë një hapësirë ku autorët prezantojnë punën e tyre, që lexuesit të mund të zbulojnë tituj të rinj dhe të ndajnë mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth letërsisë” u shpreh Gjelaj.
Në natën e parë të këtij panairi (11 shtator 2024) është prezantuar vepra e Ndre Mjedës botuar nga Shtëpia Botuese “Fishta”- Lezhë, ku për këtë libër ka folur Robert Camaj dhe Gjovalin Çuni, ndërsa për botuesin, Frano Kulli.
Në natën e dytë të panairit (12 shtator 2024) është mbajtur mbrëmje autoriale me Aleksandër Baçanoviqin, e më pas promovimi i librit “Arbëreshët, Shqiptarët e Italisë” të autorit, Fatmir Toçi, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”- Tiranë. Rreth librit në fjalë kanë folur vetë autori, Fatmir Toçi, shkrimtari i njohur Zija Vukaj, dhe Irena Toçi, drejtoreshë e Shtëpisë Botuese “Toena”.
Ndërkaq, të njëjtën natë u bë promovimi i librit “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, nga Shtëpia Botuese “Bard Books” e autorit nga Kosova Ag Apolloni, për të cilin folën, autori Ag Apolloni dhe Nikollë Berishaj.
Në natën e tretë të këtij panairi (13 shtator 2024) vizitorët patën mundësinë të ndjekin bisedën me Rovena Rozhanin dhe promovimin e botimeve të reja të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ndërkaq, të shtunën (14 shator 2024) Komuna e Tuzit ka ndarë mirënjohje për pjesëmarrësit.
Panairi i Ndërkombëtar i Librit në Komunën e Tuzit paraqet një ndër ngjarjet më të rëndësishme letrare dhe kulturore, pasi që libri dhe promovimi i tij japin nxitjen më të fuqishme që të rinjtë e sotëm të lexojnë dhe të adhurojnë botimet e reja.
Organizatorët e këtij evenimenti përpiqen për të ngritur panairin e librit në një nivel më të lartë çdo vit. Ky panair shërben si një pikëtakim për botuesit, autorët dhe lexuesit, duke ofruar një platformë për promovimin e literaturës dhe kulturës letrare.
Në panairin e sivjetshëm ndërkombëtar të Librit në Tuz, morën pjesë njëzetepesë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi.
Panairi i sivjetshëm i librit në Tuz u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Mediave e Malit të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat