Guci – Komisionit Komunal Zgjedhor të Gucisë me kohë i janë dorëzuar pesë lista për pjesëmarrje në zgjedhjet e rregullta lokale në atë Komunë, të cilat janë shpallur të mbahen më 15 shtator, ka konfirmuar kryetari i Komisionit komunal zgjedhor të Gucisë, Sanid Rexhepagiq.
Kryetari Rexhepagiq agjencinë MINA e ka njoftuar se listat i kanë dorëzuar: Grupi i qytetarëve “Lëvizja për Gucinë (“Pokret za Gusinje”), Koalicioni: Partia Boshnjake (BS), Socialdemokratët (SD) dhe Partia Social Demokrate (SDP), Demokratët e Malit të Zi, Koalicioni i Forumit Shqiptar dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve (DUA-UDSH) dhe i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS-PDS).
Nga të dhënat e sipërshënuara rrjedhë se në zgjedhjet e rregullta lokale në komunën e Gucisë do të garojnë pesë lista: dy të koalicioneve, dy të subjekteve të pavarura politike dhe e një grupi të qytetarëve.
Në krye të listës së Grupit të qytetarëve “Lëvizja për Gucinë” do të jetë Fadil Ulaj, listën e koalicionit PB-SD-PSD me sloganin “Me zemër për Gucinë” (“Srcem za Gusinje”) do t’i paraprijë kryetari aktual i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, mbartëse e listës së Demokratëve të Malit të Zi është Minella Çekiq, kurse në krye të listës “Së bashku për Gucinë” (“Zajedno za Gusinje”) të Forumit të shqiptarëve dhe UDSH-së do të jetë Salih A. Gionbalaj, Demir Bajroviq do të jetë mbartës i listës së PDS-së me sloganin “Gucia mundet më mirë – Demir Bajroviq” (“Gusinje može bolje – Demir Bajroviq”).
Zgjedhjet lokale në Komunën e Gucisë në të cilat sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme do të kenë 4617 votues, do të mbahen në 10 vendvotime: tri në Guci dhe shtatë në vendbanimet periferike rurale.
Shaban Hasangjekaj