Fokusi te Kriporja, Valdanosi dhe Ada

Ulqin – Ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Veriut, Damjan Qullafiq vizitoi të premten (23 gusht 2024) Komunën e Ulqinit, ku është pritur nga kryetari i saj Genci Nimanbegu, me të cilin kanë folur për problemet ekologjike që lidhen me Kriporen e Ulqinit dhe menaxhimin e saj, Valdanosin dhe Adën.
Në deklaratën për shtyp të kësaj ministrie thuhet se ministri Qullafiq, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Ulqinit dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë vizituar këto lokalitete për t’u njohur me sfidat nga ujërat e zeza që derdhen nga Shqipëria.
Nga kjo ministri kanë deklaruar se ministri Qullafiq i ka ofruar kryetarit Nimanbegu mbështetje në kuadër të kompetencave të dikasterit që drejton për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohet Komuna e Ulqinit.
Në lidhje me Kriporen e Ulqinit, ai ka theksuar se çështja e zgjidhjes së problemit të formimit të strukturës menaxhuese të këtij lokaliteti të mbrojtur do të jetë në periudhën e ardhshme prioritet i Ministrisë së Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Veriut.
Sa i përket çështjes së ujërave të zeza në Bunë, Qullafiq i ka informuar bashkëbiseduesit se zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor kanë zhvilluar para disa ditësh takim me kolegët e tyre nga Shqipëria lidhur me këtë problematikë dhe se lidhur me këtë çështje, “por edhe për shumë çështje të tjera me rëndësi”, do të bisedojë në fillim të muajit të ardhshëm me ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Ulqinit është folur edhe për problemin e ujërave të zeza që derdhen nga shtëpizat dhe restorantet në Bunë dhe Adë. Si një prej zgjidhjeve të mundshme është shqyrtuar ndërtimi i sistemit për trajtimin e ujërave të zeza.
Temë e bisedimeve ka qenë edhe Valdanosi si zonë e mbrojtur e natyrës dhe valorizimi i tij duke respektuar kriteret e mbrojtjes së mjedisit jetësor.
“Për të gjitha çështjet do të jemi partnerë në arritjen e marrëveshjes, posaçërisht për shkak të gatishmërisë së Komunës dhe kryetarit të saj Nimanbegu. Ajo që mund të premtoj është se do të bëjmë përpjekje që të minimizojmë incidentet ekologjike, sepse nuk mund të garantoj se nuk do të ketë në të ardhmen”, ka përfunduar ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Veriut.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat