Në kohezion me etnosin

“Mua ma jep përshtypjen e një dasme të madhe ulqinake në të cilën po vallëzojnë vajza dhe gra me kostume popullore nga shumica e trevave mbarëshqiptare – jug, veri, Shqipëri e Mesme, troje etnike jashtë kufijve shqiptarë e madje veshje të vjetra tradicionale, siç është ajo arbëreshe ose xhubleta e gjyshes së Nënë Terezës”, ka thënë piktori Jozo Koçaj

Ulqin – Në Galerinë “Kulla e Balshajve” në Kalanë e Ulqinit, të martën e kaluar (30 korrik 2024) është hapur ekspozita e piktorit nga Peja, Xhevdet Spahija, me titull “Në kohezion me etnosin”, në të cilën ai është paraqitur me rreth 30 vepra me motive të veshjeve kombëtare nga treva të ndryshme shqiptare.
Duke folur për punimet e ekspozuara, piktori vendas Jozo Koçaj ka thënë se në prezantimin artistik të piktorit Xhevdet Spahija kemi një material të veçantë dhe interesant jo vetëm për nga cilësia, por sidomos nga kohezioni i veprave që shohim me ambientin dhe komunitetin vendas.
Ai e ka krahasuar ekspozitën e piktorit me një dasmë të madhe ulqinake me veshje shumëngjyrëshe.
“Në këtë prezantim të sontëm Galeria e Kullës së Balshajve është e veshur me kostume me ngjyra tradicionale, të cilat më duken se po i rrinë shumë mirë. Mua ma jep përshtypjen e një dasme të madhe ulqinake në të cilën po vallëzojnë vajza dhe gra me kostume popullore nga shumica e trevave mbarëshqiptare – jug, veri, Shqipëri e Mesme, troje etnike jashtë kufijve shqiptarë e madje veshje të vjetra tradicionale, siç është ajo arbëreshe ose xhubleta e gjyshes së Nënë Terezës”, ka thënë piktori.
Ndërsa vetë piktori Xhevdet Spahija ka thënë se përmes pikturave të tij është përpjekur të bëjë një kohezion mes qyteteve dhe vendeve ku jetojnë shqiptarët.
“Mendoj që në këtë fushë ka prapë mundësi për t’u zgjeruar edhe më tepër, por mosha e bën të veten. Janë edhe disa rrethana të tjera”, është shprehur ai, duke shtuar se edhe pse ka disa vjet që është në pension, sërish ka vullnet të punojë si në vitet e hershme.
Profesori Xhevdet Spahija ka lindur në Pejë, ku edhe ka kryer shkollën teknike të artit figurativ. Në studimet pasdiplomike ka marrë titullin “Magjistër i pikturës”, ndërkohë që ka punuar profesor arti në gjimnazin e qytetit të Gjakovës. Aktualisht është në pension dhe zhvillon në komoditet të plotë jetën e tij artistike. Krijimtaria artistike e Spahijajt ka nisur që në vitin 1971 duke qenë pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme kolektive, për të vazhduar edhe me organizimin e afro 40 ekspozitave personale të hapura në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Suedi, Poloni dhe në shumë vende të tjera, si brenda trojeve shqiptare ashtu edhe jashtë tyre.
Ekspozita është hapur në kuadër të programit të Festivalit “Skena Verore”, i cili organizohet nga Qendra e Kulturës – Ulqin.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat