Tuz – Deponitë e egra të krijuara vend e pavend vazhdojnë të përbëjnë një problem jo të vogël për shumë qytete, ndërsa institucionet relevante çdo vit bëjnë përpjekje për menaxhimin më të mirë në këtë drejtim dhe për të ndërgjegjësuar komunitetin mbi rëndësinë e trajtimit të këtyre mbetjeve.
Deponive të egra nuk u ka shpëtuar as territori i Komunës së Tuzit, ku ato çdo vit kanë qenë shqetësim jo i vogël, si për qytetarët ashtu edhe për vetëqeverisjen lokale.
Mirëpo në këtë drejtim, Komuna e Tuzit njoftoi se para pak ditësh ka përfunduar me sukses një projekt mbi largimin e mbetjeve të egra në bashkëpunim me Eko Fondin.
Ata kanë thënë se kanë krijuar një sistem për menaxhimin e mbetjeve dhe për edukimin e popullatës për rëndësinë e trajtimit të këtyre mbetjeve.
“Për të parandaluar grumbullimin e mbetjeve të reja, u vendosën dy zinxhirë prej 50 metrash, të cilët do të pastrohen nga shërbimet komunale. Vlera e projektit ishte 41,391.13 euro, me një subvencion prej 27,366.03 euro. Ftojmë të gjithë qytetarët të kujdesen për ambientin, sepse mbrojtja e tij është përgjegjësi e përbashkët”, janë shprehur nga Komuna e Tuzit.
Më tutje nga ky institucion kanë bërë të ditur se, projekti i parë, “modernizimi dhe forcimi i kapaciteteve të shërbimeve komunale për zero mbeturina,” përfshinë blerjen e një eskavatori me vlerë 105,270.00 euro.
“Eko fondi siguron 64,800.00 euro, ndërsa komuna kontribuon me 40,470.00 euro. Ky projekt do të ndihmojë në luftën kundër deponive të egra. Projekti i dytë, “Ndarja e mbeturinave në familje – për Komunën e Tuzit më të pastër,” përfshin blerjen e 1.605 koshave për 535 familje. Eko fondi siguron 50,000.00 euro, ndërsa komuna kontribuon me 14,961.67 euro”, kanë thënë nga Komuna e Tuzit.
Ndërkaq, nga ky institucion janë shprehur se projektet në fjalë janë pjesë e strategjisë për arritjen e objektivit të zero mbeturinave.
Në të njëjtën kohë, nga Policia Komunale e Komunës së Tuzit kanë apeluar te qytetarët që të kujdesën për ambientin, duke thënë se mbrojtja e tij është një përgjegjësi e përbashkët.
t. u.