Sheshi i qytetit tëGucisë u pagëzua me emrin “Sheshi i Ali Pashës”

Guci – Në seancën e dytë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2024, të mbajtur të enjten, më 18 korrik 2024, në sallën e Komunës për seanca, takime e tubime, në të cilën ishin të pranishëm 24 këshilltarë nga gjithsej 30 sa numëron Kuvendi i Komunës së Gucisë, u trajtuan, shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozim-vendimesh të organeve të qeverisjes lokale.
Në seancën të cilën në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake-malazeze e hapi kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj, para fillimit të punës së saj, njëzëri pa vërejtje u miratua procesverbali nga seanca e parë e rregullt e KK-së, e mbajtur më 15 prill 2024, si dhe rendi i ditës i propozuar nga kryetari i Kuvendit, Hasangjekaj, prej 13 pikash, i cili pësoi plotësim me një pikë shtesë me propozimin e kryetarit të Komunës, Sanell Balliq, që sheshi i qytetit të Gucisë të pagëzohet me emrin “Sheshi i Ali Pashës”.
Seanca filloi punën sipas renditjes së pikave të rendit të ditës me propozim-vendimin mbi shqyrtimin dhe miratimin e llogarisë përfundimtare të buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2023, të cilin e parashtroi në mënyrë analitike, koncize dhe kronologjike ndihmës sekretari për ekonomi, zhvillim dhe financa, Rakib Radonçiq.
Në elaborimin e vet konstruktiv ai konfirmoi se buxheti i Komunës së Gucisë për vitin 2023 ishte i planifikuar në shumën prej 3.982.460,00 euro dhe është realizuar 92,84%. Depozita e transferuar në buxhet nga viti 2022 ka qenë 1.342.633,28 euro. Të hyrat janë realizuar në shumën prej 3.697.193,28 euro, shpenzimet në shumën prej 2.354.560,00 euro.
Pas trajtimi dhe shqyrtimit analitik e konciz të propozim vendimit në fjalë, përkitazi me përmbajtjen e tij kanë diskutuar ca këshilltarë të pranishëm, ndër të cilët veçohen vërejtjet dhe sugjerimet e dy këshilltarëve në PDS-së në opozitë, Ferka Jaroviq dhe Adell Damjanoviq, të cilët në mënyrë të ashpër kanë dialoguar me prezantuesin e llogarisë përfundimtare të buxhetit, zotërinë Radonçiq.
Përkundër vërejtjeve, sugjerimeve dhe këshillimeve të këshilltarëve diskutues, llogaria përfundimtare e buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2023 është miratuar njëzëri nga këshilltarët e pranishëm në seancë.
Në punën e mëtejme të seancës, e cila ka zgjatur rreth tre orë e gjysmë, këshilltarët kanë shqyrtuar dhe njëzëri apo me shumicë votash “për”, kanë miratuar edhe 11 propozim-vendime të tjera të rendit të ditës: propozim-vendimin mbi themelimin e bashkësive lokale të cilin e parashtroi sekretarja e administratës së përgjithshme dhe veprimtarive shoqërore, Allina Shehoviq, për masat nxitëse për zhvillimin e bujqësisë, të cilin në mënyrë konstruktive e argumentoi nëpunësi i këtij profili, Sefedin Dedushaj, për sjelljen e Programit të masave për nxitim e zhvillimit të bujqësisë për vitin 2024, të cilën po ashtu e prezantoi zotëri Dedushaj, për miratimin e planit lokal të aksioneve për të rinjtë në vitin 2024, të cilin e prezantoi sekretarja për administrim të përgjithshëm dhe veprimtari shoqërore, Allina Shehoviq.
Pika e gjashtë me radhë e rendit të ditës – Propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim pa pagesë të hapësirës për zyra në pronësi të Komunës së Gucisë, të cilën në mënyrë analitike, koncize e kronologjike e parashtroi dhe e argumentoi sekretari i Sekretariatit për rregullim të hapësirës dhe të mbrojtjes së mjedisit jetësor, Irfan Dervisheviq, zgjoi dhe ngjalli polemikë e dialog ndër ca këshilltarë diskutues e në veçanti në mes të kryetarit të Komunës, Sanell Balliq dhe kryetarit të Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj, të cilët nuk u dakorduan në disa pika të propozim-vendimit të hartuar në fjalë, i cili pastaj u miratua me 17 vota “për” dhe 7 vota “të përmbajtura” te këshilltarëve në opozitë.
Të gjitha propozim-vendimet tjera të radhës në rendin e ditës të punës së seancës: propozim vendimin për dhënien me qira të hapësirave për punë në pronësi të Komunës së Gucisë, për tarifat për shfrytëzimin e rrugëve komunale të Komunës së Gucisë, për vazhdimin e vlefshmërisë së Programit të objekteve të përkohshme në territorin e Komunës së Gucisë, për lirimin nga obligimi i pagesës së tarifës për pajisje komunale të tokës ndërtimore, për dhënien e pëlqimit për përgatitjen e elaboratit gjeodezik për konstatimin e saktë të gjendjes në terren dhe shitjen e tokës ndërtimore, i parashtroi dhe i argumentoi në mënyrë të vendosur e konstruktive po ashtu sekretari i Sekretariatit për rregullim të hapësirës dhe të mbrojtjes së mjedisit jetësor, Irfan Dervisheviq. Propozim-vendimin e fundit të rendit të ditës – Shkarkimi dhe emërimi i kryetarit të ri të Kuvendit të Klubit futbollistik të të rinjve të Gucisë e prezantoi kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërime, Naser Radnoçiq. Nga kryetari në fjalë u shkarkua Adell Damjanoviq dhe në vend të tij sipas propozimit të kryetarit të Komisionit, këshilltarët zgjodhën zotëri Adill Mullamekiqin.
Si duket, pika shtesë e rendit të ditës që sheshi i qytetit të Gucisë të merr emrin (pagëzohet) “Sheshi i Ali Pashës”, të cilën e propozoi kryetari i Komunës Sanell Balliq, u bë pika qendrore e punës së seancës. Pas konsultimit të përfaqësuesve të klubeve të këshilltarëve që marrin pjesë në Kuvend, propozimin me vota “për” e përmbajtën këshilltarët e shumicës në kuvend ndërsa ata të opozitës e braktisën seancës para votimit, ashtu që sheshi i qytetit të Gucisë u pagëzua me emrin “Sheshi i Ali Pashës”.
Përkitazi me pikën e fundit të rendit të ditës të punës së seancës – Pyetje dhe përgjigje të këshilltarëve, ca këshilltarë parashtruan pyetje, përgjigjet në të cilat nga organet kompetente të qeverisjes lokale i kërkuar me shkrim.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat