
“Korrupsioni është kancer i shoqërisë”. Ky është një nga definimet më popullore për korrupsionin, që realisht përfshin esencën e këtij fenomeni, që brenda këtyre tri dekadave shfaqet me shumë fytyra dhe mbetet i pranishëm në çdo qeverisje. Nga “Transparecy International” korrupsioni definohet si abuzim me pushtetin e besuar për përfitime private. Korrupsioni e gërryen besimin, e dobëson demokracinë, e pengon zhvillimin ekonomik dhe e përkeqëson më tej pabarazinë, varfërinë, ndarjen sociale dhe krizën mjedisore.
Pikërisht për këto arsye, nga shumë institucione ndërkombëtare për luftimin e korrupsionit dhe nga shumë studiues, korrupsioni shihet si një fenomen kompleks, që shfaqet në forma të ndryshme, duke filluar nga niveli i nëpunësve publikë dhe deri te politikanët që i keqpërdorin paratë publike. Pavarësisht se ku shfaqet dhe me çfarë intensiteti, korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues që e gërryen pandalshëm shoqërinë dhe krijon “vrima të zeza”, të cilat e “përthithin” zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të një vendi.
Ndërlidhja e korrupsionit me shoqërinë dhe me zhvillimet shoqërore konsiston në faktin që korrupsioni, në kuptimin klasik, definohet si zhbërje e vlerave morale të shoqërisë. Korrupsioni dhe dimensioni shoqëror mbeten dy gjëra të pandashme, për shkak se pasojat e korrupsionit shfaqen gjithnjë në “shëndetin” e një shoqërie. Ky është një korrelacion i pashmangshëm ndërveprimesh, që në shumë raste e hap edhe dilemën e madhe për trajtim nëse mendësia shoqërore e prodhon korrupsionin apo korrupsioni krijon një gjendje të nderë shoqërore për të siguruar ambient për mbijetesën e tij.
Në përputhje me peizazhin e gjerë të definimeve sociologjike dhe në varësi të nivelit të autoritetit në vendimmarrje, i dallojmë dy lloje korrupsioni: korrupsion politik dhe korrupsion administrativ (burokratik). Shumë autorë bëjnë dallim midis “korrupsionit në nivel të lartë” dhe “korrupsionit në nivel të ulët”. Kategoria e parë e përfshin korrupsionin në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa kategoria e dytë e korrupsionit ndërlidhet me shërbimet e ndryshme publike.
Korrupsioni politik është i pranishëm në mesin e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe politikanëve që marrin vendime politike, që realisht u është besuar të udhëheqin dhe prej nga buron një fuqi e madhe – përgjegjësia për t’i përfaqësuar interesat publike gjatë ushtrimit të detyrës. Format e korrupsionit politik janë përvetësimi i parave nga politikanët në pushtet dhe kandidatët politikë, korrupsioni në procesin zgjedhor, ndikimi në autoritetin legjislativ për ta legalizuar trajtimin më të favorshëm për grupe të caktuara interesi, duke iu mundësuar sektorit privat “të blejë” ndikim politik. Format e korrupsionit politik përfshijnë ryshfetin, nepotizmin, klientelizmin etj..
Ky është peizazhi i definimit të korrupsionit, kuptimet themelore të tij, por edhe kategorizimet të cilat dallojnë në disa nivele të korrupsionit. Sigurisht, duke mos e anashkaluar korrupsionin e nivelit të ulët, korrupsioni i nivelit të lartë, gjegjësisht korrupsioni politik, shfaqet si më problematik dhe me më shumë pasoja. Në vendet e Ballkanit, që kanë njohur një tranzicion gati anarkik nga sistemi komunist në atë demokratik, prania e korrupsionit ka qenë shumë e madhe dhe kjo dëshmohet me shumë raporte të institucioneve ndërkombëtare dhe të vendeve në perceptimin e korrupsionit nga ana e qytetarëve. Gjatë tërë kohës, ky fenomen mbetet shqetësues për qytetarët, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar që të bëhet më tepër në drejtim të luftimit të korrupsionit. Përkundër shumë proklamimeve për luftë kundër korrupsionit, rezultatet kanë qenë shumë të dobëta, gati se të pavërejtshme.
Korrupsioni politik është një koncept i ndërlikuar për t’u definuar qartë. Një përkufizim i duhur i korrupsionit politik kërkon një qasje të shumëllojshme. Korrupsioni politik nënkupton përdorimin e fuqisë politike për të përfituar të mira nga paratë publike në dëm të qytetarëve. Në Ballkanin Perëndimor, tashmë tre dekada politika e ka bërë të veten, duke mos lënë vend pa shkatërruar. Filloi me privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe në fund mori formë tjetër – atë të keqpërdorimit të parasë publike të kthyer në kapital në duart e familjeve të lidhura ngushtë me anëtarët e qeverisë, partive politike dhe të rrethit të liderëve.
Ajo që vazhdon të debatohet dhe që ngre shqetësime të përditshme është se deri kur të zgjedhurit me votat e qytetarëve do ta keqpërdorin pushtetin për qëllimet e tyre personale, familjare dhe të partisë. Në Ballkanin Perëndimor, nëse përqendrohemi në hapësirën ku jetojnë shqiptarët, qysh më herët populli i vuajtur nga shtypja dhe dhuna shtetërore ka qenë i detyruar të japë ryshfet për një vend pune, shërim në ndonjë spital, në gjykatë dhe në shumë raste tjera kritike është detyruar të shesë gjithçka vetëm për t’u shëruar ose për ta paguar ndonjë gjykatës. Shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në një farë detyrimi që pa dhënë para nuk mund të lëvizin asgjë në Mal të Zi. Të ardhurat publike të mbledhura nga qytetarët, zyrtarët e lartë të qeverisë, të partisë, individë që qëndrojnë afër kryetarit të partisë, familjarë e miq, e kështu me radhë, kanë hyrë në një garë se kush do të mund ta varfërojë sa më shumë popullin e dërmuar nga vjedhja dhe e keqja.
Realiteti është i tillë, që morali ose virtyti njerëzor te politikanët tanë është mbuluar me dyfytyrësinë e tyre për t’u pasuruar sa më shumë me fondet publike në shpinë të taksapaguesve. Duke favorizuar anëtarët e ngushtë të familjes me tenderë shtetërorë, është ndërtuar një rrjet i madh korporatash, që kanë vendosur rregulla të pashkruara në dëm të kompanive tjera. Gjithashtu, kur flitet për korrupsionin politik, me rëndësi është të theksohet se populli nuk është kundër së drejtës që familjet e zyrtarëve qeveritarë dhe të partive politike të mos merren me biznese dhe të ushtrojnë veprimtari tjera ekonomike. Këtu duhet bërë dallimin në mes shtetit dhe të drejtave themelore. Në Mal të Zi dhe, në përgjithësi, në Ballkan, për arsye të njohura vija ndarëse nuk respektohet dhe do të jetë vështirë të bëhet në të ardhmen një ndarje të tillë, pasi janë partitë politike, bashkë me financuesit e tyre, që nuk e dëshirojnë këtë ndarje. Se në çfarë gjendje është Mal të Zi, më shumë flasin rastet e fundit. Për fat të keq, edhe në këto raste shteti dhe një dorë e fshehtë po tallet me provat. Për më shumë, gjykatat e të gjitha niveleve, prokuroria, policia dhe Sigurimi i Shtetit nuk janë aspak në gjendje të mirë. Në fushën e arsimit, ndikimi politik ose korrupsioni politik e ka dëmtuar aq shumë atë, saqë nuk mund të përmirësohet me vite. Jemi dëshmitarë që drejtues të institucioneve zgjidhen në mënyrë të padrejtë dhe si të pakualifikuar për të udhëhequr dhe marrë përgjegjësi. Nën ndikimin e partive politike, ata kanë një mbështetje të fuqishme dhe shumë vështirë mund të largohen nga pozitat e fituara nga partia. Siç dihet, partitë politike ose ministrat që qëndrojnë më gjatë në pushtet, kanë gjasa të jenë të përfshirë në afera të ndryshme korruptive dhe të ushtrojnë më tepër ndikim në ndarjen e fondeve dhe, njëkohësisht ta rrisin nepotizmin.
Brenda kësaj periudhe të tranzicionit, brenda një transponomi të gjerë shoqëror dhe institucional, që nga fillimet e demokracisë, kanë qenë të pranishme fuqi politike të interesit, të cilat janë lëshuar në korrupsion, ndërkohë që gjithashtu brenda kësaj periudhe janë shfaqur edhe oligarki të ndryshme, të cilat kanë qenë në interaksion të plotë korruptiv me politikën. Kjo dukuri tashmë është dëshmuar në vendet e Ballkanit dhe në Mal të Zi nëpërmjet aferave të shumta në opinion, të cilat nuk e kanë gjetur hetimin e nevojshëm nga institucionet e shtetit. Pikërisht ky fakt ka krijuar dëshpërim edhe te shumica e qytetarëve, humbje besimi në institucionet, sidomos në institucionet e drejtësisë, të cilat janë kompetente për luftimin e korrupsionit.
Në planimetrinë e gjerë të korrupsionit shfaqet edhe një kompleksitet ndërthurjesh dhe ndërvarësish në raport me shoqërinë. Fatkeqësisht, gjatë kësaj kohe të mundimshme të tranzicionit është prodhuar edhe modeli i “njeriut të suksesshëm” të korruptuar, që në masë të madhe është pranuar si model funksionimi shoqëror. Termi “i zoti” tashmë njihet gjerësisht, ndërkohë që kjo “zotësi” shpeshherë ndërlidhet me fenomenin e korrupsionit. E keqja më e madhe mbetet që ky model shoqëror gjen impakt edhe te brezi më i ri si filozofi jetese, por edhe si model suksesi.
Ne duhet ta pranojmë se në gjithë këtë situatë kemi edhe një ndryshim kodi në perceptimin e modelit shoqëror, ndërkohë që “suksesi” ndërlidhet me fenomenin e korrupsionit. Duket të jetë një dekompozim shoqëror dhe moral, mbi të gjitha, në logjikën e tmerrshme që nënkupton se “secili pret rendin” për t’u korruptuar. Fataliteti më i madh ndodh kur një dukuri negative bëhet normalitet. Përkundër faktit që gjithnjë ka thirrje për ta luftuar korrupsionin, duket se ky fenomen po bëhet normalitet, sidomos në kohën kur institucionet shfaqen të pafuqishme për ta luftuar. Pa dyshim se kërkohet një ndryshim koncepti dhe ndryshim praktikash për ta ndëshkuar dhe luftuar korrupsionin. Denoncimi dhe presioni për ta luftuar korrupsionin mbetet një domosdoshmëri. Sigurisht, edhe ndryshim mendësie, në gjithë atë që nënkupton koncept etik i perceptimit të funksioneve publike, pa harruar dimensionin e ndëshkueshmërisë ligjore.
Nëse kemi parasysh gjithë degradimin institucional përgjatë këtyre tri dekadave, mund të merret me mend sa e vështirë është që të luftohet fenomeni i korrupsionit, i cili, fatkeqësisht, ashtu siç definohet edhe teorikisht, e ka aftësinë që të shfaqet në shumë forma dhe shumë mënyra të sofistikuara. Vendet evropiane kanë një mirëqenie qytetare pikërisht për shkak të mospranisë së korrupsionit. Gjatë tërë kohës, institucionet evropiane kanë investuar në luftën kundër korrupsionit në Mal të Zi dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por rezultatet janë minimale. Mbase me vazhdimin e procesit të bisedimeve me BE-në lufta kundër korrupsionit do të konsolidohet dhe përforcohet. Kjo mbetet një shpresë për qytetarët. Në të kundërtën, korrupsioni do ta gërryejë çdo institucion dhe çdo pore të shoqërisë.
