Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka reaguar ndaj vendosjes së tabelave rrugore me shenjat e komunikacionit vertikal dhe horizontal paralajmërues në afërsi të shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë nga ana e Ministrisë së Komunikacionit Rrugor dhe Detar, përkatësisht Drejtorisë për Rrugë Shtetërore.
Duke vlerësuar se një gjë e tillë ka qenë e nevojshme dhe është e mirëseardhur, LD në MZ shpreh shqetësimin e vendosjes së tabelave vetëm në një gjuhë, pra vetëm në gjuhën malazeze, në një trevë ku 100 për qind e popullatës është shqiptare dhe në një komunë ku jetojnë rreth 80 për qind shqiptarë.
Sipas kësaj partie politike, ky rast dëshmon diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe mosrespektimin e Ligjit mbi Përdorimin e Dygjuhësisë në komunat me shumicë shqiptare.
“Kërkojmë nga organet kompetente vendore të reagohet ndaj kësaj dukurie diskriminuese si dhe nga autoriteti kompetent shtetëror, Drejtoria për Rrugë Shtetërore, e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe vendosjen e tabelave paralajmëruese, si në rastin konkret në rrugën regjionale dhe ndërkombëtare Ulqin – Shkodër pasi që edhe numri më i madh i drejtuesve të automjeteve janë shqiptarë, të përmirësohen të gjitha shenjat e komunikacionit, vertikale dhe horizontale, më së paku në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe atë malazeze”, thuhet në reagimin e LD në MZ.
(Kohapress)