U theksua nevoja për bashkëpunim institucional

Podgoricë – Shkëmbimi i ideve për organizimin e përbashkët të manifestimeve dhe realizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, artistike e shkencore, si dhe fuqizimi i lidhjeve kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi të cilat kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve fqinjësore, ishin në qendër të bisedës të cilën e zhvilluan javën e kaluar drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi, Gëzim Hajdinaga me ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave u njoftua se drejtori i këtij institucioni, Gëzim Hajdinaga e ka njoftuar ambasadoren Peto me qëllimet programore dhe detyrat e institucionit, me programet e realizuara dhe me aktivitetet e ardhshme.
“Është fakt se Shqipëria, sikurse edhe Mali i Zi, si shtet multikulturor, i referohet njohjes së ngjashmërive të caktuara kulturore dhe tradicionale të qytetarëve të dy shteteve, çfarë në mënyrë shtesë hap hapësirë dhe nevojë të bashkëpunimit institucional, shkëmbimit të përvojave dhe të veprimeve të përbashkëta” shprehen nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave (CEKUM).
Ndërkaq, drejtori Gëzim Hajdinaga dhe ambasadorja Peto janë dakorduar se marrëdhëniet e jashtëzakonshme bilaterale të dy shteteve, kanë mundësi që të forcohen më tej, me prezantimin e kulturës së pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe të tjerëve, “si dhe të kuptimit dhe komunikimit më të mirë ndërmjet kulturave të ndryshme, inkurajimit dhe afirmimit të ndërkulturalizimit, me qëllim për të kontribuar në ruajtjen dhe avancimin e kulturës së popujve pakicë dhe të afirmimit të vlerave multikulturore në shoqëri”.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat