
Në organizim të Qendrës për Zhvillimin e Kulturës Tradicionale “Shkabat” në Prishtinë dhe në mbështetje e përkrahje materiale e hapësinore të Galerisë “Hoti” nga fshati Hoti i Kujit i Komunës së Plavës, pronare e të cilës është piktorja, poetja dhe aktivistja e shumanshme e artit, kulturës dhe muzikës, Kaltrina Hoti, nga vendbanimi rural i sipërpërmendur, në fundmuajin e kaluar, pikërisht më 29 dhe 30 qershor 2024, në dy vendbanime të Komunës së Plavës (në Plavë dhe Hot të Kujit), është mbajtur Edicioni VI i Festivalit Ndërkombëtar të Lahutës “Lahuta, Okarina, Polifonia” nën sloganin “Mirë se u bjen zoti”, në kohëzgjatje prej dy ditësh, në të cilin kanë marrë pjesë lahutarët nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.
Në dallim prej Edicionit V të festivalit në fjalë, të mbajtur më 23 shtator 2023 në fshatin Hoti i Kujit, me kohëzgjatje prej një dite, në të cilin kanë performuar me lahutë vetëm lahutarët shqiptarë, ndër të cilët edhe lahutarja e mirënjohur nga rrethi i Shkodrës, Lumturie Nonaj, në Edicionin VI të sivjetmë të festivalit, ka marrë pjesë edhe lahutari i famshëm malazez Millan J. Fillipoviq, i cili njëherazi është edhe kryetar i Shoqatës së Lahutarëve të Malit të Zi dhe themelues i Muzeut të Lahutarëve dhe të etno-instrumenteve të shteteve të rajonit të lëna në trashëgimi nga lahutarët popullorë, i cili ka performuar këngë në gjuhën malazeze të përcjella me tingujt e lahutës, andaj edicioni i festivalit në fjalë ka pasur karakter ndërkombëtar.
Programi i ditës së parë të Edicionit VI të Lahutës “Lahuta, Okarina, Polifonia” është realizuar në orët e pasdrekës të ditës së shtunë, më 29 qershor në ambientin e tarracës së lokalit të Galerisë në Plavë që vepron në kuadër të Galerisë “Hoti”, në praninë e një numri të konsideruar pjesëmarrësish me qëllim të caktuar që kënga kreshnike dhe tingujt e lahutës së lashtë ndihen dhe kumbojnë edhe në hapësirat e vendbanimeve urbane siç është Plava.
Programin manifestues e ka hapur nikoqirja – pronarja e Galerisë “Hoti”, aktivistja dhe veprimtarja e shumanshme e artit dhe kulturës, Kaltrina Hoti, e cila të pranishmit i ka përshëndetur, kurse lahutarëve mysafirë u ka shprehur mirëseardhje duke u dëshiruar qëndrim të këndshëm dhe performim të suksesshëm me lahutë e vegla tjera muzikore popullore.
Programin e ka moderuar dhe udhëhequr në mënyrë dinjitoze e profesionale aktori dhe regjisori i teatrit nga Prishtina, Sokol Plakolli, i cili njëherazi është edhe themeluesi i Qendrës për Zhvillimin e Kulturës Tradicionale “SHKABAT” në Prishtinë.
Ditën e parë të Edicionit të festivalit të lahutës, iu dha nderi që programin me këngë kreshnike në gjuhën malazeze ta fillojë lahutari Millovan J. Fillipoviq, i cili pas performimit të këngës, në fjalën e rastit shprehu falënderim, respekt dhe mirënjohje për ftesë pjesëmarrjeje në këtë eveniment të rëndësishëm vërtetë me peshë dhe vlerë të lartë. Pastaj me radhë vazhduan performimet e këngëve të përcjella me lahutë të lahutarëve të pranishëm: Hysen Kurtaj nga Stankajt e Rugovës së Pejës, Gjokë Kolaj nga Malësia e Tuzit, të lahutarëve vendas Xhavit Balidemaj nga fshati Martinaj dhe Din Sinanaj nga Hoti i Kujit dhe lahutarit Leonid Shllaku nga Gjakova, i lindur në Klinë të Kosovës para 20 vitesh.
Ndërkohë, gjatë programit manifestues me vegla muzikore popullore çifteli e fyell performuan vëllezërit Grosh e Shkëlzen Sinanaj, Xhavit Balidemaj, Hysen Kurtaj e Leonid Shllaku.
Për lahutarët dhe lahutën në fshatin Hoti i Kujit i cili është i mirënjohur me lahutarë të hershëm të shkëlqyer në mënyrë koncize, konstruktive dhe kronologjike evokoi veprimtari dhe aktivisti i mirëfilltë hotjan, Ibër Hoti.
Realizimi i programit të Edicionit VI të Festivalit të Lahutës ka vazhduar të dielën në orët e pasdrekës – ditën e dytë më 30 qershor në nënqiellin e hapur të natyrës, pikërisht në ambientin para objektit të Galerisë “Hoti” në fshatin kodrinoro-malor Hoti i Kujit në horizontin e gjerë në lartësinë mbidetare prej 1700 metrash, ku lahutarëve performues në tarracën e Galerisë në Plavë iu bashkua lahutari nga Shqipëria, Petrash Nilaj, të cilin ka qenë e paraparë ta shoqërojë lahutarja e mirënjohur nga rrethi i Shkodrës, Lumturie Nonaj, por siç është bërë me dije për shkaqe objektive nuk ka mundur t’i përgjigjet ftesës për pjesëmarrje. Edhe ditën e dytë programin e festivalit e moderoi me mjaft sukses aktori nga Prishtina Sokol Plakolli, ndërsa nikoqiri – hotjani Ibër Hoti me admirim dhe shprehje falënderimi e mirësie i përshëndeti dhe i falënderoi mysafirët lahutarë për pjesëmarrje të denjë në programin e festivalit.
Në Edicionin VI të Festivalit të Lahutës “Lahuta, Okarina Polifonia”, i cili edhe këtë vit pati karakter promovues të veglës së lashtë popullore ndër shekuj – lahutës, duke përmendur dhe okarinën dhe polifoninë, që u mbajt në atmosferë të çiltër e ambiente vërtetë manifestuese, kanë marrë pjesë artistët lahutarë të veshur në kostume (rroba) tradicionale kombëtare shqiptare e malazeze, nga Shqipëria: Pretash Nilaj, nga Kosova: Hysen Kurtaj e Leonid Shllaku, nga Mali i Zi: Millan J. Fillipoviq e Gjokë Kalaj dhe lahutarët vendas: Xhavit Balidemaj e Din Sinanai.
Nikoqirja e mbështetjes së organizimit dhe mbajtjes së Edicionit të festivalit, Kaltrina Hoti, mysafirët dhe gjithë të pranishmit tjerë i ka gostitur me ushqim dhe pije freskuese tradicionale të vendit, mish të thatë, djathë shumë llojesh, kos të trashë, mazë të njomë, por edhe me raki të vendit e lëngje organike të frutave të boronicës, mjedrës e dredhëzës të cilat i kishte servuar me mjete të buxhetit të vet familjar.
Nikoqirët e përgatitjes dhe organizimit të Edicionit VI të Festivalit të lahutës, në krye me aktivisten vitale Kaltrina Hoti, të gjithë pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në program, ua kanë dorëzuar fletëmirënjohjet dhe nga një pikturë të kornizuar nga koleksioni i punimeve të piktores Kaltrina Hoti.
Para ndarjes së të pranishmëve të evenimentit vërtetë me peshë dhe vlerë në ambientin e hapësirës para Galerisë “Hoti” është zhvilluar koncert i hareshëm dhe i gëzuar me këngë e valle autoktone, i përcjellë me çifteli nga vëllezërit Grosh e Shkëlzen Sinanaj, ku kanë marrë pjesë shumë të pranishëm.
Me admirim theksojmë se sponsorë të organizimit dhe mbajtjes së Edicionit VI dyditor të Festivalit të Lahutës “Lahuta, Okarina, Polifonia” janë hotjanët në diasporë-SHBA: Shpend, Shaban e Bajram Haxhaj, Imer e Isuf Mehaj dhe Demo e Max Hoti.
Në fund të këtij teksti theksojmë se transportin e mysafirëve pjesëmarrës të Edicionit të Festivalit, nga Plava deri në vendin e mbajtjes së programit të tij në Hot të Kujit dhe anasjelltas, vullnetarisht me automjetet e veta e kanë kryer hotjanët vendas.