Uji i lumit Cem,inspirimi më i madh

“Motiv i veçantë në disa portrete është edhe krenaria kombëtare e shqiptarit dhe e malazezit, në piktura të veçanta e paraqitur me një përkushtim të madh artistik e pa pretendime krahasimi, por vetëm pasqyrim i botës së këtyre dy etnive që historia dhe fati i ka vënë pranë njëri- tjetrit e bashkë me njëri- tjetrin. E duke qenë në këtë pozitë, është e natyrshme që të kenë edhe ballafaqime me njëri- tjetrin. Këtë e kanë bërë dhe shkrimtarë dhe poetë të arrirë malazezë e shqiptarë”, u shpreh, Mark Lucgjonaj

Tuz – Ekspozita personale e autorit autodidakt, Qemal Qetkoviq u hap të hënën mbrëma (08 korrik 2024) në QKI “Malësia” në Tuz, në prani të një numri të konsiderueshëm të adhuruesve të artit pamor, ku u shpalos një krijimtari e gjerë dhe e larmishme artistike me portrete e peizazhe të punuara me mjeshtëri unike dhe me teknika të ndryshme.
Autori i kësaj ekspozite, Qemal Qetkoviq në krijimtarinë e tij artistike gjen vlerat tradicionale të Tuzit të vjetër, si kolonë dhe urë lidhëse me dhe për të ardhmen.
Për autorin, është shumë i rëndësishëm çasti se kur është krijuar vepra. Uji i lumit Cem sjell për autorin simfoninë orkestrale në brendësinë e shpirtit të tij, duke u bërë kështu një inspirim akoma më i madh për krijimtarinë e tij artistike.
Producentja e QKI-së “Malësia”, Farah Laleviq është shprehur se organizimi i ngjarjeve të ndryshme dhe të herëpashershme kulturore, i shërben më së miri shoqërisë dhe krijuesve tonë kulturor, qoftë për ata që janë të afirmuar apo për ata të cilën janë në fillim të karrierës së tyre.
“Ky është përcaktimi jonë afatgjatë të cilin e realizojmë në kontinuitet, pavarësisht nga lloji, fushëveprimin apo kualiteti i krijimtarisë”, u shpreh Laleviq.
Ndërkohë, duke e shpallur të hapur këtë ekspozitë, Mark Lucgjonaj theksoi ndër të tjera se ekspozita personale e autorit, Qemal Qetkoviq është më shumë se ngjarje, ajo është një festë.
Ai duke e falënderuar autorin për këtë veprimtari të bukur krijuese, u shpreh se autori përmes kësaj ekspozite përcjellë një shembull artistik tek brezat e rinj, me një natyrë, siç tha ai, jashtëzakonisht njerëzore të autorit.
“Ku vërtetë banon një shpirt artisti, sportisti dhe njeriu që jeton me natyrën dhe për natyrën. Natyra e pikturave të Qemkut është përditshmëria e gjendjes së shpirtit të tij, ajo që atij i bën përshtypje në një moment të caktuar e paraqitur me ngjyra të zjarrta, ku dominon e kuqja, e gjelbra, e verdha dhe e bardha. Dhembjet, njerëzit, peizazhet, ndërtimet urbane të cilat Qemku i paraqet në punimet e tija realiste, janë vende e pikëtakime natyrore ose urbane të njerëzve, janë vende që për njerëzit kanë një rëndësi të veçantë” u shpreh Lucgjonaj.
Ai ndër të tjera tha se motivet kryesore në punimet e autorit Qetkoviq janë peizazhet e vendit të tij, kryesisht kanioni i Lumit Cem, ku në punime të tij gjejmë pjesë të ndryshme të Tërgajës në dy kohë, “po ashtu, motive urbane nga Podgorica e vjetër, nga pjesë të ndryshme të Shkodrës ku pasqyron pjesë nga etnosi burimor shqiptar.
“Motiv i veçantë në disa portrete është edhe krenaria kombëtare e shqiptarit dhe e malazezit, në piktura të veçanta e paraqitur me një përkushtim të madh artistik e pa pretendime krahasimi, por vetëm pasqyrim i botës së këtyre dy etnive që histori dhe fati i ka vënë pranë njëri- tjetrit e bashkë me njëri- tjetrin. E duke qenë në këtë pozitë, është e natyrshme që të kenë edhe ballafaqime me njëri- tjetrin. Këtë e kanë bërë dhe shkrimtarë dhe poetë të arrirë malazezë e shqiptarë” u shpreh, Mark Lucgjonaj.
Ai ka shtuar se elementet natyrore si guri, uji, malet, kodrat dhe livadhet, bashkë me qiellin, në pikturat me vaj dhe ato me temperë, kanë linja të theksimit dhe të ndarjes, “mirëpo të gjitha këto elemente sikur shkrihen në njëra- tjetrën, duke i dhënë artit të Qetkoviqit një origjinalitet e bukuri origjinale”.
Kjo është ekspozita e katërt personale e piktorit nga Malësia, Qemal Qetkoviq, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri të hënën më 15 korrik 2024.
Autori, Qemal Qetkoviq, me shkathtësi pikturon ndryshimet të cilat gjithsesi reflektohen në piktura duke lënë gjurmë të rëndësishme në krijimtarinë e tij. Punimet e Qemal Qetkoviqit, janë pamje në pjesët më unikale të mozaikut të gjerë natyror, por të luajtura në momente të veçanta, mu ashtu siç shprehet edhe vetë autori. Edhe pse i interesuar më së shumti në caqet e peizazheve dhe të portreteve, ai nuk i ka të huaja as stilet e tjera. Në kanavacat e tij, kryesisht, dominojnë motivet e Tuzit të vjetër dhe rrethinave, si dhe kanioni i lumit Cem. Me të shprehurit e vetë në pikturë, si dhe me karakter e entuziazëm, Qemali me sukses shënon të gjitha bukuritë e këtyre trevave.
Qemal Qetkoviqi ka lindur në vitin 1967 në Podgoricë, ndërsa tani jeton në Tuz dhe është punonjës shumëvjeçar i shkollës fillore “Mahmut Lekiq”. Vetedukimin në artet pamore e ka përvetësuar që nga rinia e tij e hershme.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat