Guci – Drejtoria e tatimit e Malit të Zi, më 6 qershor 2024, në Guci ka hapur ekspoziturën e vet e cila vepron pranë repartit rajonal në Bijello Pole. Në ekspoziturën e cila zyrtarisht ka filluar punën, të gjithë të detyruarit tatimor nga treva e Komunës së Gucisë mund t’i realizojnë të gjitha të drejtat dhe detyrimet në ekspoziturën e vet në Guci.
“Siç kemi premtuar paraprakisht bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Tatimit dhe Doganës, Savo Llaketiq, prej të enjtes më 6 qershor të këtij viti, në Guci ka filluar punën ekspozitura e Drejtorisë së Tatimit, në kënaqësi të të gjithë qytetarëve të komunës sonë, të cilët deri më tani kanë qenë të ngarkuar që për të gjitha nevojat e veta të shkojnë në ndonjërën prej komunave fqinje. Vazhdojmë të punojmë në interes të të gjithë qytetarëve, së shpejti do të hapim edhe bankën në Guci dhe në atë mënyrë do të kontribuojmë që qytetarët tanë sa më lehtë t’i realizojnë detyrimet private dhe afariste”, ka deklaruar për opinion dhe media, kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq. Ai në vazhdim ka shtuar se Komuna e Gucisë ka dhënë kontributin e vet këtij aktiviteti, duke përcjellë falënderim drejtorisë autoritative.
“Komuna e Gucisë për këtë ekspoziturë ka siguruar lokalin të cilin e ka adaptuar për nevojat e saj. Pos kësaj, ky është vërtetë rast që në emër të të gjithë qytetarëve të komunës sonë të falënderoj Drejtorinë e Tatimit në krye me drejtorin Llaketiq, sepse me aktivitete të përbashkëta të të dy palëve, kemi rastin të jemi krenarë në rezultatin e arritur, përfitimet e të cilave më së shumti do t’i ndiejnë qytetarët”, ka thënë në fund të fjalës së rastit kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, dedikuar opinionit dhe mediave.
Shaban Hasangjekaj