U zgjodhën 17 anëtarë të përbërjes së re të KKSH-së

Ulqin – Në vazhdim të Kuvendit të Katërt të Elektorëve janë zgjedhur 17 anëtarë të përbërjes së re të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Anëtarë të KKSH-së janë zgjedhur Faik Nika, Ali Gjeçbritaj, Ismet Kallaba, Daut Ceka, Hajrullah Hajdari, Tahir Tahiri, Adriana Hoxha, Ilir Llazorja, Lavdim Kroma, Ulkiana Tela, Dritan Rexha, Ilmira Lika, Jetmir Muja, Nexhat Lajka, Anton Nikaj, Dritan Ceka dhe Enis Mehmedoviq.
Në vazhdimin e Kuvendit, i cili është mbajtur të shtunën (15 qershor 2024) në sallën e Qendrës së Kulturës në Ulqin, kanë marrë pjesë 106 nga 203 elektorë të ftuar.
Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Katërt i Elektorëve për zgjedhjen e anëtarëve të KKSH-së ishte ndërprerë më 11 maj 2024. Në të patën marrë pjesë 114 nga 203 elektorë të ftuar. Megjithatë, në bazë të rregullave për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të popullit pakicë apo bashkësisë nacionale të pakicës tjetër, të miratuara nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në vitin 2017, përcaktohet që Kuvendi i elektorëve mund të mbahet nëse janë të pranishëm më shumë se dy të tretat e elektorëve të thirrur.
Ndërkohë përfaqësuesit e gjashtë këshillave kombëtare të pakicave kanë iniciuar ndryshimin e Rregullave për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave të popujve pakicë dhe të bashkësive nacionale të pakicave të tjera, gjë që është miratuar nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe në bazë të përcaktimit ligjor të ndryshuar “Kuvendi i Elektorëve mund të mbahet nëse janë të pranishëm më shumë se 1/2 e elektorëve të thirrur”.
Përbërja e re e KKSH-së pritet të ketë 34 anëtarë, prej të cilëve 17 në bazë të funksionit dhe 17 të zgjedhur në Kuvendin e Elektorëve.
Në Kuvendin e Elektorëve është bërë e ditur se mbledhja konstitutive e përbërjes së re të KKSH-së do të mbahet në Ulqin, më 6 korrik 2024.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat