Në ambientin e sallës për tubime të mësimdhënësve të shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci, të enjten, më 6 qershor 2024, në akademinë solemne ishin tubuar gjysmë maturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit kujdestarë të paraleleve të tyre dhe drejtori i shkollës, Luan Kukaj, për të marrë pjesë në ndarjen e diplomës “Lluça” (“Pishtari”), për rezultatet madhore që ata kanë arritur në procesin mësimor-edukativ gjatë nëntë viteve shkollore në këtë shkollë dhe në katër paralelet e ndara katërklasëshe të saj në Vuthaj, Martinaj, Krushevë dhe Vishnjevë.
Nga 40 gjysmë maturantët e dy paraleleve mësimore të klasës së nëntë, nga një paralele në gjuhën malazeze dhe atë shqipe, 7 nxënës gjysmë maturantë – 3 (tre) nga paralelja me mësim në gjuhën malazeze dhe 4 (katër) nga ajo me mësim në gjuhën shqipe, gjatë shkollimit nëntëvjeçar fillor, kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, kujdestarët e klasave të tyre përfundimtare, Rifat Hasangjekaj dhe Armend Hasangjekaj, ua kanë dorëzuar diplomat “Lluça” (“Pishtari”). Për suksesin madhor të arritur në mësim, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, të gjithë gjysmë maturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Drejtori i shkollës Luan Kukaj, në fjalën e rastit ka përshëndetur gjithë të pranishmit, e në veçanti shtatë laureatët e diplomës “Lluça” (“Pishtari”) me theks të veçantë në shkollimin e tyre të mëtejmë dhe në avancimin e diturive të fituara, duke dëshiruar që të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë dhe të jenë të suksesshëm si deri më tani në shkollimin e përfunduar fillor. Ai në vazhdim është shprehur se ajo që në veçanti për të është më e dashur, është e dhëna se edhe këtë vit shkollor Komuna e Gucisë ka mbështetur dhe përkrahur mundësinë që gjysmë maturantëve me sukses të lartë në procesin mësimor-edukativ t’u ndahen shpërblimet e merituara diplomat “Lluça” (“Pishtari”).
Pas koktejit modest që shkolla organizoi për të gjithë të pranishmit e akademisë solemne në fjalë, laureatët e diplomës “Pishtari”, kujdestarët e klasëve përfundimtare të tyre dhe drejtorin e shollës i priti dhe u dëshiroi mirëseardhje në rezidencën e vet kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq me bashkëpunëtor, i cili paraprakisht i kishte ftuar për vizitë.
Ai në fjalën e rastit ndër të tjera u shpreh se “sot vërtet është ditë e veçantë për bashkësinë tonë dhe për mua posaçërisht. Kam nderë dhe kënaqësi që kam rastin t’i gostisë nxënësit më të mirë të Shkollës Fillore ‘Xhafer Nikoçeviq’. Këto diploma me meritë i keni fituar vërtetë janë simbol i vëmendjes, përkushtimit dhe i suksesit të jashtëzakonshëm gjatë arsimimit fillor nëntëvjeçar. Suksesi juaj nuk është vetëm fitorja juaj personale. por edhe krenari e Komunës sonë. Ju jeni shndritës të diturisë dhe shpresës për ardhmërinë tonë. Zellshmëria, disiplina dhe përkushtimi arsimimit janë inspirim i gjithë neve dhe tregojnë se sa me rëndësi është të investosh në arsim dhe të përkrahësh e mbështetësh talentet e reja. Do të shfrytëzoja këtë rast”, është shprehur në vazhdim kryetari Balliq “që t’i falënderoj edhe mësimdhënësit dhe prindërit e juaj të cilët u kanë përkrahur në këtë rrugëtim. Suksesi juaj është edhe meritë e tyre, sepse u kanë ofruar dituri, mbështetje dhe dashuri e cila ka qenë e domosdoshme që të arrini deri në këtë moment”, ka thënë kryetari Balliq në elaborimin e vet të cilin e ka përfunduar: “Nxënës të dashur, para jush janë shtigje të reja jetësore. Besoj që me të njëjtin përkushtim dhe vullnet e angazhim të cilat i keni treguar deri më tani, do të vazhdoni me vendosjen e qëllimeve të larta të cilat do t’i realizoni. Dijeni se gjithmonë do të keni mbështetjen dhe përkrahjen e bashkësisë së juaj dhe se jemi krenar në gjithë atë që keni arritur.
Kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, shtatë laureatët e sivjetmë të diplomës “Lluça” (“Pishtari”), tre sish me mësim në gjuhën malazeze-boshnjake: Minella Hot, Muhamed Kollenoviq dhe Minella Radonçiq dhe katër me mësim në gjuhën shqipe: Ardena Gionbalaj, Defina Novaj, Edona Ferizaj dhe Fllad Qosaj, i shpërbleu me nga një libër, me nga një stilolaps me mbishkrim të Komunës së Gucisë dhe me nga 100 euro të holla për suksesin grandioz të arritur në shkollimin nëntëvjeçar fillor.
Për mikpritje madhështore dhe për shpërblimet e dhuruara, kryetarin e Komunës dhe bashkëpunëtorët e tij në ceremonialin solemn, me admirim i përshëndetën në emër të shkollës, prindërve, mësimdhënësve, drejtorit dhe të vetin personal, gjysmë maturantët, laureate të diplomës në fjalë, Minella Hot dhe Edona Ferizaj.
Të gjithë bartësit e diplomës “Pishtari” deklaruan se do t’i vazhdojnë mësimet kryesisht në Shkollën e mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, në të dy gjuhët mësimore.
Shaban Hasangjekaj