Sa të lumtur e krenar, po aq edhe të allëngjyerë

Shaban Hasangjekaj

Ndër shtatë paralelet me gjithsej 115 maturantë, pesë paralele të vitit të katërt dhe dy paralele të vitit të tretë, të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, që këtë vit shkollor kryen shkollën e mesme, gjashtë në shkollën amë në Plavë dhe një në paralelen e ndarë në Guci (gjenerata e pestë e maturantëve nga shkolla e këtij qyteti), është edhe paralelja e gjimnazit me maturantë në gjuhën shqipe (15 sish) – gjashtë vajza: Arlina Hasangjekaj, Edmira Sinanoviq, Flandra Brahaj, Kristina Hasandoçaj, Martina Shalanin e Stuhi Qosaj dhe nëntë djem: Arlind Gjonbalaj, Adi Hasangjekaj, Elis Dedushaj, Erjon Ulaj, Jozef Robert Gjekoviq, Mendi Hasandoçaj, Mithat Selimaj, Rinor Vuçetaj, dhe Zymer Ahmetaj, me kujdestare klase, profesoreshën e gjuhës frënge, Hasnije Kukaj-Gjonbalaj, të shtunën më 1 qershor 2024, shënuan Mbrëmjen e Maturës.
Që nga orët e hershme të mbrëmjes, para godinës së shkollës ku përfunduan maturën, u tubuan djem e vajza maturantë, veshur me rroba asnjëherë më të bukura, vajzat me fustane bashkëkohore dhe të modës, ngjyrash dhe dizajnësh të ndryshme, kurse djemtë me kostume të larmishme më moderne. Rrobat i kishin përgatitur më parë, falë mirësisë, mirëkuptimit dhe përkujdesjes së prindërve të tyre, të cilët nga buxheti familjar ua kishin siguruar, por edhe nga të afërmit e tyre, për të shënuar dhe përjetuar në mënyrë sa më madhështore njërën ndër festat më të mëdha të jetës së tyre, Mbrëmjen e Maturës, mbrëmjen e lumturisë dhe krenarisë, e po aq edhe të mallëngjimit. Ajo ishte mbrëmja kur ata njëri-tjetrit me buzë në gaz, por edhe me lot në sy i thanë lamtumirën e fundit pas shumë vitesh të kaluara bashkë, me disa nga katër, me ca nga nëntë, por me disa edhe nga 12 e 13 vite shkollore, duke ndarë bashkë të mirën dhe të keqen, gëzimin e ndonjëherë edhe hidhërimin, lojën dhe piknikun, vizitat e ndërsjella, por edhe ekskursionet njëditore apo shumëditëshe brenda komunës, jashtë saj dhe më gjerë.
Moti i vranët por pa reshje shiu, në vigjiljet e orëve të mbrëmjes mundësoi që manifestimi i kësaj mbrëmje madhështore të fillojë në kohën e paraparë, në ora 18:00, kur në praninë e disa qindra prindërve, familjarëve të ngushtë, por edhe të tjerëve, të cilët kishin ardhur që gëzimin dhe harenë e Mbrëmjes së Maturës ta ndanin me fëmijët dhe të afërmit e tyte.
Vargëzimi i vashëzave dhe djemve maturantë të shtatë paraleleve të kësaj shkolle, në çift, apo edhe nga tre sish, pikënisje patën hollin e katit përdhes të shkollës për të vazhduar parakalimin nëpër ambientin e sheshit të qytetit të shtruar me tapet të kuq, i cili gjendet mu në afërsi të godinës së shkollës.
Pas disa parakalimesh nëpër shesh, maturantët vazhduan rrugëtimin për në Guci me ca minibusë të kompanisë së komunikacionit ndërurban “Elan Company”, të cilët pronari i dha gratis (pa pagesë) për udhëtimin e maturantëve, ku po ashtu në vigjiljet e mbrëmjes defiluan prej stacionit të autobusëve deri te objekti i Xhamisë së Vezirit dhe godina e Shkollës Fillore “Xhafer Nikoceviq” në të cilën disa maturantë të paraleles në gjuhën shqipe kishin kryer klasët e larta të shkollës fillore, por edhe një numër i konsiderueshëm maturantësh (ata të paraleles së ndarë në Guci) kishin kryer klasat e larta të shkollës fillore dhe katër klasat e shkollës së mesme në drejtimin e gjimnazit të përgjithshëm, për t’u kthyer pastaj sërish me minibusë në restorantin e Kompleksit “Aqua Resort”, i cili gjendet përballë Liqenit të Plavës, në lagjen Llatek të fshatit Brezojevicë jo larg Plavës.
Drejtoresha e shkollës, Snezhana Bojoviq, e shoqëruar nga mësimdhënës, gjatë tërë kohës së qëndrimit i shoqëroi maturantët e hareshëm e cila në fjalën e rastit atyre me admirim, por edhe me dozë emocioni iu drejtua: “Ndjej kënaqësi, obligim dhe nderë që t’u përshëndes në emër të kolektivit të shkollës ku përfunduat maturën, por edhe në emër timin personal. Jam e sigurt se nga kjo shkollë do të bartni përplot kujtime të bukura, por edhe dituri, të cilat do t’u ndihmojnë që të sigurt të ndiqni rrugët tuaja jetësore, por edhe të pajiseni me dituri të tjera dhe të sendërtoni ardhmërinë tuaj të lumtur”, është shprehur drejtoresha dhe në vazhdim ka shtuar: “Ajo që është në radhë, por edhe ajo në të cilën besojmë, është se ju do të vazhdoni zhvillimin dhe përsosjen intelektuale”.
Drejtoresha Bojoviq më pas ka vënë në dukje se këtë vit shkollor me sukses kryejnë shkollimin e mesëm 115 nxënës – maturantë në shtatë paralelet mësimore. Shkolla është krenare me të gjithë maturantët, e në veçanti me ata të cilët janë laureatë të çmimit “Pishtari”. E emocionuar ajo në vazhdim të evokimit të vet u shpreh: “Maturantë të dashur, prej sot ju presin nxitje e sfida të reja dhe me këtë rast do t’ju porosis se mu prej kësaj dite nxitoni e ndiqni rrugët e reja deri diku të panjohura. Ekzistojnë gjëra për të cilat nuk kemi mundur t’u përgatisim, takimet me njerëz dhe ngjarje për të cilat nuk keni mundur të mësoni nga librat. Por, ajo që së bashku ia kemi dalë, është se jeni bërë madhorë, njerëz të pjekur, të kalitur, të vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë personale. Edhe njëherë me tërë shpirt dhe zemër ua uroj Mbrëmjen e Maturës dhe ju dëshiroj çdo të mirë, shëndet, sukses dhe fat në jetë”, ka përfunduar shprehjen e urimit dhe të përgëzimit drejtoresha e shkollës Snezhana Bojoviq.
Të shoqëruar nga drejtoresha, kujdestarët e klasave dhe ca mësimdhënës, maturantët festuan deri në orët e hershme të ditës së nesërme. Sa ishin të gëzuar, të lumtur e krenar se po finalizonin punën e tyre 12 e 13 vjeçare të edukimit dhe arsimimit, të përmalluar mallëngjyer e emocionuar se po ndaheshin përgjithmonë si pjesëtarë të bashkësisë së klasës të cilës i përkisnin, të shoqërisë së ngushtë që kishin dhe shumë çka tjetër në këtë drejtim. Mirëpo edhe përkundër gjithë kësaj, ata u zotuan se nuk do të jenë larg njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se ku do të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë superior në universitete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi, ata me mësim në gjuhën shqipe.
Në ambientet e restorantit “Aqua Resort”, deri në orët e hershme të ditës së nesërme nuk kanë pushuar tingujt e muzikës, me të cilët janë përcjellë vallet dhe këngët e maturantëve të hareshëm dhe të disponuar, të cilët nuk kanë hezituar për të ngritur me kujdes ndonjë gotë uiski, birre, vëre dhe të pijeve të tjera freskuese joalkoolike, bashkë me mësimdhënësit dhe drejtoreshën të cilët i kanë shoqëruar deri në fund të akademisë solemne.
Ndarja e maturantëve në fund të ceremonialit festiv, ka qenë momenti më i vështirë. Përqafimet me lot në faqe e ndonjëherë edhe me vaj, si dhe shtrëngimi i dorës së lamtumirës, kanë qenë momentet që për shumë kohë dhe mot ata nuk do t’i harrojnë dhe përjetimet e tyre përgjithmonë do të qëndrojnë të pashlyera dhe të ngulitura në ndjenjat e kokave të tyre.

Të fundit

më të lexuarat