Me koncertin madhështor të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut, që është mbajtur të shtunën mbrëma (8 qershor 2024) në Hajdari Family – Public Park në Zenelaj ka përfunduar edicioni i sivjetshëm i manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”.
Disa qindra pjesëmarrës, në mesin e të cilëve edhe krerët e Komunës së Ulqinit, drejtorë të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike komunale, Ambasadori në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Podgoricë, Rami Rexhepi, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë, Bernard Çobaj etj. kanë shijuar repertorin e pasur të këngëve dhe valleve të këtij ansambli.
“Gjatë këtyre njëzet viteve të manifestimit ‘Pranvera në Anë të Malit’ ka pasur shumë mund, përkushtim, sakrificë, për të ruajtur dhe kultivuar trashëgiminë kulturore, artistike e shkencore. Dëshira, vullneti dhe synimi që të lartësojmë vlerat e kësaj treve, janë motivi ynë”, ka thënë në fjalën përshëndetëse kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti.
Në fjalën përshëndetëse në emër të organizatorit, kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, ka thënë se kjo shoqatë ka ditur gjithmonë që me organizimet e veta të arrijë nivelet më të larta duke organizuar aktivitete artistike, kulturore dhe shkencore.
“Gjatë këtyre njëzet viteve të manifestimit ‘Pranvera në Anë të Malit’ ka pasur shumë mund, përkushtim, sakrificë, për të ruajtur dhe kultivuar trashëgiminë kulturore, artistike e shkencore”, ka thënë ajo, duke nënvizuar se “dëshira, vullneti dhe synimi që të lartësojmë vlerat e kësaj treve, janë motivi ynë”.
Sipas saj, i gjithë organizimi nuk mban vetëm një emër.
“I gjithë ky organizim është bërë falë punës dhe angazhimit maksimal të anëtarëve të Shoqatës ‘Ora’, e kryesisht të gjithë peshën e mban Këshilli Drejtues i Shoqatës ‘Ora’”, ka theksuar Kurti, duke falënderuar sponsorët, pa ndihmën e të cilëve nuk do të mund të organizohej ky manifestim.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka thënë se vepra e Shoqatës “Ora”, që sakrificën e vet për njëzet vite e ka shndërruar në një manifestim tradicional, është një shembull që duhet ndihmuar.
“Prandaj ne që merremi me politikë, udhëheqim institucione, e kemi obligim t’i ndihmojmë. Por ndjenjën që aktivistët e kësaj shoqate e kanë është ndjenjë që gjithë kjo zonë duhet ta çmojë”, ka theksuar ai, duke konkluduar se gjithë komuna jonë duhet të jetë krenare që në Zenelaj sot, falë kontributit të diasporës sonë, konkretisht të familjes Hajdari, ekzistojnë kushtet për organizimin e aktiviteteve madhështore.
Një natë më parë (të premten mbrëma, 7 qershor 2024), në mjediset e shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë është hapur ekspozita me veprat e piktorëve dhe artistëve pjesëmarrës në Logun e piktorëve “Shasi 2024”, që këtë vit është organizuar për herë të parë, si dhe të disa piktorëve të tjerë vendas të cilët nuk kanë marrë pjesë në koloninë artistike.
“Vepra e Shoqatës ‘Ora’, që sakrificën e vet për njëzet vite e ka shndërruar në një manifestim tradicional, është një shembull që duhet ndihmuar. Prandaj ne që merremi me politikë, udhëheqim institucione, e kemi obligim t’i ndihmojmë. Por ndjenjën që aktivistët e kësaj shoqate e kanë është ndjenjë që gjithë kjo zonë duhet ta çmojë”, ka thënë kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Piktori Agron Ujkashi, udhëheqës i Logut të piktorëve, ka folur për idenë e organizimit dhe përvojën nga kjo koloni.
Ai ka thënë se gjatë ditëve të kolonisë artistike kanë prekur disa pika tërheqëse në komunën e Ulqinit.
“Shpresojmë se do të vazhdojmë me këtë koloni, që ajo të bëhet tradicionale, që të shkojmë dhe të vizitojmë dhe të pikturojmë vendet më të bukura në trevat shqiptare në Mal të Zi – do të thotë lumenjtë, liqenet, detin dhe monumentet kulturore-historike”, ka thënë ai.
Piktori i njohur Musë Prelvukaj nga fshati Martinaj i Gucisë, pjesëmarrës në shumë koloni artistike, ka thënë se artistët dhe krijuesit kanë nevojë të bashkohen në ngjarje të rëndësishme kulturore, si Logu i piktorëve “Shasi 2024”.
“Nga këtu kemi marrë motivime për të krijuar vepra artistike po me motive të këtij vendi edhe në atelietë tona atje ku rrimë, qëndrojmë dhe jetojmë. Ne bëmë atë që mundëm, por t’ju them të drejtën ndjehem shumë krenar edhe unë edhe këta artistë, sepse po lëmë një gjurmë në trashëgiminë kulturore të Ulqinit me rrethinë”, është shprehur ai.
Po këtë natë për publikun e pranishëm është shfaqur dokumentari i punuar me rastin e 20-vjetorit të manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”, i realizuar sipas skenarit të Gazmend Kovaçit, anëtar i Shoqatës “Ora”.
Edicioni i sivjetshëm i manifestimit “Pranvera në Anë të Malit” ka filluar të dielën, më 2 qershor 2024, me Ditën e Sportit, ku janë mbajtur turnetë në volejboll për femra dhe në shah, kurse të hënën, më 3 qershor 2024 është mbajtur turneu në futboll ndërmjet institucioneve, ndërmarrjeve dhe organizatave. Manifestimi ka vazhduar me Logun e piktorëve “Shasi 2024”, që është zhvilluar më 4-6 qershor 2024, me pjesëmarrjen e piktorëve shqiptarë në Malin e Zi.
Ky edicion shënoi 20-vjetorin e manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”, i cili ka filluar në vitin 2004 dhe ka për qëllim shpalosjen e vlerave të traditës dhe trashëgimisë së trevës së Anës së Malit. Përgjatë viteve në kuadër të këtij manifestimi janë shfaqur programe nga fusha të ndryshme të artit, muzikës, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, etnografisë, teatrit, filmit etj. Në këtë mënyrë ai është shndërruar në një prej simboleve me të cilin identifikohet Ana e Malit. Ky manifestim ka ndikuar në gjallërimin e jetës në Anën e Malit dhe si nxitje për organizimin e aktiviteteve dhe manifestimeve të tjera me karaktet kulturor e turistik. i. k.
