Kur liqeni të lidhet me shllajz me Bunën?!

Njëra prej zgjidhjeve, që s’do të kushtonte shumë, është lidhja e Lumit Buna me Port Milenën nëpërmjet ndërtimit të një shllajzi që do të lëshonte ujin e lumit të rrjedhë në liqen, në Port Milenë, në mënyrë të kontrolluar. Uji i freskët i Bunës do të shkonte në liqen dhe do të depërtonte në det

Asllan Bisha

Liqeni i Zogajve gjendet 4 km larg qytetit të Ulqinit, buzë Plazhit të Madh. Është liqen i vogël pranë plazhit ranor. Emrin Milena ia dhanë sipas princeshës malazeze, vajzës së mbretit Nikollë.
Këtu u ndërtua Kriporja e Ulqinit, e njohur për prodhimin e kripës natyrale që jepte ky qytet jo vetëm në Mal të Zi dhe ish-Jugosllavi, por kripa eksportohej edhe jashtë. Pra, Ulqini ishte i njohur për kripore, por edhe për liqenin e tij, vetëm tri kilometra larg Lumit Buna.

Të gjithë e shohin këtë, por askush nuk lëviz, nuk ndërmerr asgjë për ta shëruar dhe shpëtuar Port Milenën nga ndotja. Si duket, presim që kjo ndotje të shndërrohet në sëmundje nga uji i ndotur që derdhet në det! Kështu rrezikohet sezoni turistik


Liqeni quhej edhe liqeni i Baltës, sepse ishte i cekët, por shumë i pasur me lloje të ndryshme të peshqve të ujit të ëmbël. Pas vitit 1886 në liqen depërtuan edhe peshqit e ujit të njelmtë. Në vitin 1886 liqeni i Zogajve – Port Milena lidhet me detin, sepse në vizitën e parë të mbretit Nikollë në Ulqin, në vitin 1885, popullata vendore e luti parinë e vendit që të bëjë diçka për zhdukjen e malaries në këtë anë. Burim i kësaj sëmundjeje ishin mushkonjat që lëshonin vezë. Ai e caktoi inxhinierin e tij rus në Cetinë, Vlladimir Ivanoviç, i cili hartoi projektin për lidhjen e liqenit të Zogajve me det. Me lidhjen e detit me liqenin, uji i njelmtë depërtoi në liqen. Duke qenë se liqeni ishte nën nivelin e detit, puna shkoi për së mbari.
Port Milena – liqeni i Zogajve u bë zonë me rëndësi për Ulqinin, sidomos për pasuri të peshkut.
Ulqinakët peshkonin peshq të ujit të ëmbël dhe të detit. Numri i kalimereve, por edhe i mjeteve të tjera të peshkimit u rrit, ndërsa popullata e Ulqinit furnizohej me peshq deti, por edhe të liqenit. Në këtë liqe peshkohej sidomos ngjala. Për këtë flet më së miri e dhëna se në këtë periudhë Mali i Zi zinte vendin e dytë për peshkimin e ngjalës, e cila peshkohej në lumenjtë e Malit të Zi, posaçërisht në Ulqin – në Port Milenë dhe në Bunë.
Po si është gjendja tani në Port Milenë, në liqenin e dikurshëm të Zogajve?!
Ajo është shndërruar tani në një zonë pothuajse të ndotur nga kanalizimet e shtëpive të ndërtuara pranë saj, por edhe nga hotelet që i derdhin ujërat e zeza në liqen. Aroma e rëndë që vjen nga Port Milena dëgjohet sidomos gjatë sezonit turistik veror. Ajo është shndërruar në një nevojtore! Vetëm batica, e cila sjell ujë deti, e largon deri diku erën e keqe. Numri i peshqve është zvogëluar, as mjetet e peshkimit pothuajse nuk përdoren tani, sepse Port Milena nuk ka më peshq si dikur dhe njerëzit frikësohen ta konsumojnë peshkun e saj ngase është i ndotur.
Askush nuk merr masa për ta shpëtuar Port Milenën! Për çudi, një pasuri nacionale po shkatërrohet, gjë që mund të sjellë pasoja të pariparueshme për turizmin e Ulqinit.
Njëra prej zgjidhjeve, që s’do të kushtonte shumë, është lidhja e Lumit Buna me Port Milenën nëpërmjet ndërtimit të një shllajzi që do të lëshonte ujin e lumit të rrjedhë në liqen, në Port Milenë, në mënyrë të kontrolluar. Uji i freskët i Bunës do të shkonte në liqen dhe do të depërtonte në det. Për ta realizuar këtë projekt dhe çelë kanalin ekzistues duhen hapur 3 km kanal dhe rregulluar shllajzi në Bunë. Ky nuk është ndonjë investim i madh për Komunën e Ulqinit dhe për Ndërmarrjen Publike “Të Mirat Detare”, që vjelin mjete financiare të mëdha nga Plazhi i Madh i Ulqinit. Po ashtu duhen mbajtur edhe ekskavatorë për pastrimin e derdhjes së Port Milenës në det. Herë pas here e bëjnë këtë, por erërat e shirokut sjellin rërë dhe e bllokojnë – cekëtojnë grykën e Port Milenës. Të gjithë e shohin këtë, por askush nuk lëviz, nuk ndërmerr asgjë për ta shëruar dhe shpëtuar Port Milenën nga ndotja. Si duket, presim që kjo ndotje të shndërrohet në sëmundje nga uji i ndotur që derdhet në det! Kështu rrezikohet sezoni turistik. As Komuna, as Të Mirat Detare, as shteti i Malit të Zi nuk po ndërmarrin masa për ta shpëtuar liqenin e Zogajve – Port Milenën, që është shndërruar në depo të ndotjeve.

Të fundit

më të lexuarat