Hapet tenderi për rindërtimin e rrugës Shirokë – Zogaj

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur para disa ditësh tenderin për rindërtimin dhe përmirësimin e rrugës Shirokë – Zogaj deri te kufiri me Malin e Zi.
Ndërtimi i rrugës është pjesë e projektit të Bashkisë Shkodër, ndërsa do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të financohet nga një kredi që qeveria shqiptare ka marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe një grant nga Bashkimi Evropian. Ajo është pjesë e investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës.
Në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Malit të Zi dhe Shqipërisë në Shkodër, në korrik të vitit 2018, është rënë dakord për hapjen e pikës së re të përbashkët të kalimit kufitar Skje-Zogaj, e cila sipas marrëveshjes së firmosur nga ministrat e brendshëm të asaj kohe Mevludin Nuhoxhiq dhe Fatmir Xhafaj, do të jetë funksionale për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve. Sipas kësaj marrëveshjeje, ajo do të ndërtohet në territorin e Malit të Zi, në Skje, në rrugën Ostros–Shirokë-Shkodër, ndërsa kalimi i përbashkët do të jetë me një ndalesë, duke thjeshtuar procedurat kufitare.
Megjithatë, prej asaj kohe është bërë shumë pak për vënien e saj në funksion. Pala malazeze e ka përfunduar që para dy viteve rindërtimin e rrugës deri në vendkalimin kufitar në Skje, që pritet të ndërtohet.
Hapja e pikës së re kufitare Skje-Zogaj dhe ndërtimi i rrugës Shirokë-Zogaj pritet të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e turizmit të bregut të liqenit të Shkodrës si dhe të lehtësojë sadopak fluksin e trafikut në pikën e kalimit kufitar Sukubinë – Muriqan, që për çdo vit shënon rritje.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat