Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm mund të fillojë ndërtimi i autorrugës nga Tivari deri në pikën e kalimit kufitar Sukubinë-Muriqan.
Duke u përgjigjur në orën e kryeministrit në Kuvendin e Malit të Zi, ai ka thënë se zgjidhja ideore për këtë rrugë veç ekziston, në gusht do të shpallet tenderi për projektin ideor, kurse vetë realizimi mund të fillojë vitin e ardhshëm.
Sipas tij, janë duke zhvilluar bisedime me Shqipërinë me qëllim që sa më parë të nisë realizimi i këtij projekti.
“Gjurmën e rrugës veç e kemi, në gusht planifikojmë edhe shpalljen e tenderit për projektin ideor të autorrugës nga Tivari deri në Sukubinë, ndërkaq pres që vitin e ardhshëm të mund të fillojmë vetë realizimin e saj”, ka theksuar Spajiq.
Ai ka folur edhe për rindërtimin e rrugës regjionale Ostros – Katërkollë.
Spajiq ka thënë se sipas informacioneve që ka, dokumentacioni projektues për këtë rrugë është kryer në masën 80 për qind, ndërsa fillimi i punimeve mund të fillojë vitin e ardhshëm.
“Pas përfundimit të dokumentacionit projektues dhe revizionit pozitiv të të njëjtit, do të krijohen kushtet që Drejtoria për Komunikacion të planifikojë mjetet financiare me planin e furnizimeve publike për vitin e ardhshëm, përkatësisht të shpallë procedurën e hapur të furnizimit publik për zgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm për kryerjen e punimeve në këtë aks rrugor”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kryeministrit të Malit të Zi në pyetjen e deputetit të Alternativës Shqiptare, Artan Çobi, se kur mund të fillojnë punimet në aksin rrugor Katërkollë – Ostros.
Rikonstruksioni i kësaj rruge me gjatësi rreth 17 kilometra parashikon zgjerimin e saj nga pesë metra sa është tani në gjashtë metra, pra dy korsi nga tri metra, përmirësimin e elementeve horizontale dhe vertikale të rrugës, si dhe sanimin e pjesëve rrëshqitëse dhe urës ekzistuese.
(Kohapress)