
Të premten, më 17 maj 2024, në sallën e Qendrës për Kulturë në Ulqin u mbajt një koncert i jashtëzakonshëm dhe i rrallë, si për nga përbërja e bandës muzikore ashtu edhe për nga programi që u ekzekutua. Kemi të bëjmë me koncertin e bandës muzikore “The door” nga Shkodra. Kjo bandë muzikore është e vetmja trupë muzikore, aktive tash 20 vjet, në të gjithë Ballkanin që përbëhet nga persona me aftësi të kufizuara, andaj ky fakt e bën edhe më veçantë. Banda muzikore “The door” Albania u formua në vitin 2004 si kërkesë e shoqërisë së ndërgjegjshme për përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara. Kjo iniciativë së pari filloi si bashkëpunim me Shkollën Speciale “3 dhjetori” nga Shkodra dhe u mbështet nga organizata humanitare Norwegian Aid. Kjo bandë në përbërjen e saj unike ka mbledhur rreth vete dhe përmes punës së jashtëzakonshme ka vënë në dukje talentin e njëzet vajzave dhe djemve me aftësi të kufizuara. Kjo bandë muzikore nën udhëheqjen artistike të Kastriot Facit, publikut nga Ulqini i dhuruan momente të paharrueshme me melodi nga repertoari i pasur muzikor shkodran, botëror dhe klasik.
Nën udhëheqjen shembullore të dirigjentëve Bepin Vierdha dhe Faton Tanuzi koncerti filloi me ekzekutimin e himnit kombëtar, me ç’rast të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë në shenjë nderimi, pastaj himni i Bashkimit Evropian dhe ai i Policisë Ndërkombëtare. Koncerti vazhdoi me këngë shkodrane dhe nga rajoni. Koncerti i bandës përveç interpretimeve muzikore, ashtu siç e do rregulli, bëri edhe prezantimin e ekzekutuesve të instrumenteve, kësisoj të pranishmit patën mundësinë të njohin ekzekutuesit dhe instrumentin e tij. Pas prezantimit të gjysmës së bandës, koncerti vazhdoi me muzikë botërore, konkretisht nga një këngë të Elvis Prislit dhe grupit Beatles, pastaj vazhduan me Bella Ciao dhe melodi të ndryshme ku publiku filloi të këndojë së bashku me bandën.
Në pjesën e dytë u bë prezantimi i anëtarëve tjerë të bandës dhe u vazhdua me këngë të ndryshme si nga Shkodra ashtu edhe nga mbarë bota. Programit të larmishëm i erdhi fundi, kështu që e gjithë salla së bashku me bandën kënduan himnin shkodran “Luleborë”.
Ishte ky një koncert i veçantë dhe me mesazhe të shumta brenda vetes, e kryesorja ishte – gjithëpërfshirja. Përmes aktivitetit të kësaj bande muzikore apelohet te institucionet vendore dhe tjera që të mbështesin dhe krijojnë modele të ngjashme dhe këso lloj shembujsh pozitiv të përfshirjes shoqërore të të gjitha grupeve të personave me aftësi të kufizuar. Përmes përvojës së kësaj bande le të jetë edhe Ulqini shembull i mirë dhe pararojë e përfshirjes shoqërore, duke krijuar modele të ngjashme integruese për persona me aftësi të kufizuara. Ne si shoqëri duhet t’ua bëjmë me dije se ata nuk janë të vetëm, se ndjejmë me familjarët e tyre dhe se ata përfaqësojnë një vlerë të shtuar në diversitetin tonë shoqëror. Koha e përballjeve me stigmat e komunitetit apo ndjenja e barrës shoqërore duhen të jenë pjesë e së kaluarës dhe shoqëria e sotme duhet t’i integrojë të gjithë pa dallim, përmes derës së hapur, ashtu siç është edhe emri i kësaj bande të veçantë “The door”.