Yll ndriçues i përjetshëm i kombit

Shkolla 9 – vjeçare në Triesh, me një aktivitet të begattë ka sjellë në kujtesë 6 Majin – 619 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit gjithëkombëtar, emrin e të cilit ky institucion edukativo – arsimor e mban tani 56 vjet.
Solemniteti i rastit filloi me homazh e ceremoni nderimi ku morën pjesë nxënës e arsimtarë me ç’ rast dhe vendosën buqeta me lule mbi bustin e Kryetrimit kombëtar. Duke përshëndetur nxënësit, mësimdhënësit, prindërit, bashkë vendasit si dhe të pranishmit drejtori i shkollës Leon Gjuravçaj , mes tjerash, iu drejtua nxënësve duke thënë se duhet të jeni krenarë që keni fatin që dituritë e edukimit dhe të arsimimit i merrni mu në këtë institucion mbi një shekull lashtësi, përkatësisht 137 vjet ekzistencë, traditë, arsimim e mbi të gjitha që vijoni mësimin në shkollën me emër kaq domethënës Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ndërsa ne si kolektiv punonjës, në veçanti ju të nderuar mësimdhënës, edhe pse veproni në zonën më të thellë të Malësisë ku kuptohet se nuk është edhe aq lehtë të kryhet misioni i mësimdhënies, duhet ta ndieni veten të privilegjuar që jeni pjesë e stafit punues e këtij institucioni edukativo – arsimor, shkollë e cila ka qenë dhe mbetet vatër e denjë e edukimit, arsimimit e diturisë, nga e cila kanë dalë emra të përveçëm të dijes dhe të penës me të cilët krenohen dhe qarqet intelektuale, kulturore, shkencore e shoqërore – nënvizoi ai.
– Sot , më 6 Maj, përkujtojmë me dinjitet e respekt ditëlindjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kujtojmë Heroin legjendar të kombit, mbrojtësin e vlerave qytetëruese evropiane i cili jeton ndër breza si udhëheqës i suksesshëm, vizionar, mjeshtër i madh i luftës, prijës i një vendi të vogël, por me respekt e vlerësim ndërkombëtar – theksoi drejtori Gjuravçaj.
Duke folur në vazhdim mbi figurën e personalitetin e Kryetrimit kombëtar ai, ndër të tjera, shtoi se Gjergj Kastrioti kurrë nuk e harroi Atdheun e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi, duke u kthyer në Arbëri më 3 nëntor 1443, kur së shpejti shpalli rimëkëmbjen e Principatës së Kastriotëve. Falë Kuvendit të Lezhës, në të cilin u zgjodh prijës i princave të Arbërisë, për 25 vjet me radhë ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në
2.
zemër të Evropës. Andaj, si i tillë u shndërrua në simbol të luftës për liri dhe pavarësi dhe mbetet figurë më e dashur jo vetëm për shqiptarët, por dhe për popujt tjerë të Ballkanit dhe të Evropës – theksoi, pos tjerash, drejtori Gjuravçaj.
Në vazhdën e shënimit të lindjes së Heroit kombëtar, Yll ndriçues i përjetshëm i kombit, u zhvillua aktivitet letrar – muzikor.
Nxënësit e ciklit të lartë u paraqitën me program recital ‘’Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – emër i pavdekshëm në tempullin e kujtesës’’, por nuk munguan as recitimet e shumta kushtuar udhëheqësit të Arbërisë, simbol i lirisë, i traditave heroike të popullit dhe idealeve shoqërore.
Të pranishmit në kuadër të këtij aktiviteti, po ashtu, me shumë interesim përcollën sekuenca nga filmi dokumentar ‘’Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu’’.
Solemniteti u mbyll me interpretime muzikore – folklorike .

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat