Interpretoi këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Rona Nishliu

Tuz – Në Qendrën Kulturore- Informative “Malësia” të shtunën mbrëma, më 11 maj 2024, u organizua koncert i muzikës së zhanrit etno-jazz në të cilin performoi këngëtarja e mirënjohur nga Kosova, Rona Nishliu. Ajo është këngëtarja e parë nga Kosova e cila e përfaqësoi Shqipërinë në vitin 2012 në Eurovizion (Festivalin Evropian të Këngës).
Këngëtarja Nishliu e cila shquhet si njëra ndër këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar, e dalluar për eksperimentimin e saj në muzikën jazz, interpretoi këngët e vjetra shqiptare “Moj e bukura more”, “Ke pjeshka”, “Moj e majr e hollë e gjatë”, “Po shkon goca” dhe shumë këngë të të tjera nga repertori i saj i pasur.
Këngëtarja Rona Nishliu me vokalin e saj brilant dhe interpretimin mjeshtëror dhe profesional, i dhuroi publikut çaste të këndshme të një atmosfere të ngrohtë argëtuese.
Kjo është hera e parë që këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Rona Nishliu u paraqit përpara publikut në Malësi.
Rona Nishliu është lindur në Mitrovicë. Si maturante u bë e njohur për paraqitjen e saj në talent show-n “Ethet & Krasta Show” që u mbajt në Tiranë gjatë vitit 2004. Mori pjesë në Festivalin e Këngës, ku u vlerësua me çmimin e parë për junior. Rona Nishliu gjatë përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovizion, në vitin 2012, fitoi vendin e pestë në finale e që ishte rezultati më i mirë i Shqipërisë deri më sot.
Gama e saj vokale dhe fuqia interpretuese janë pikat e saj më të forta.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat