Vizituan Komunat e Gucisë dhe Plavës

Guci/Plavë – Delegacioni i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit me ujëra, të shoqëruar nga përfaqësuesit e Bankës Botërore, më 9 maj 2024 vizituan Komunën e Gucisë, të cilët i priti dhe u dëshiroi mirëseardhje kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq.
Shkas i vizitës dhe takimit trepalësh ishte inspektimi i rregullimit të pjesës së parë të lumit Grnçarë, me ç’rast janë bindur në rëndësinë e këtij projekti, i cili ka peshë dhe vlerë e rëndësi të madhe jo vetëm për Komunën e Gucisë por edhe për Malin e Zi.
Kryetari Balliq, i ka njoftuar përfaqësuesit e Bankës botërore me problemet me të cilat është përballur projekti në fjalë deri më tani, mbi nevojën që i njëjti të ndryshohet dhe plotësohet si dhe me përkrahjen të cilën në këtë drejtim e ka nga qytetarët gucijanë, që ky projekt të fillohet por edhe të përfundohet.
“Të pranishmit në takim janë dakorduar që të intensifikohet dinamika administrative dhe që në këtë vit të mënjanohen pengesat administrative të cilat deri më tani kanë ekzistuar”, thuhet në komunikatën e lëshuar për opinion dhe media.
Nga Komuna e Gucisë kanë bërë me dije se faza e parë e projektit në bërthamën e qytetit është në nivelin final, ku tenderi për paraqitjen e kryerësve të interesuar për realizimin e punimeve është në vazhdë dhe se angazhimi i të zgjedhurit pritet të bëhet sa më parë.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore në krye me shefin e Byrosë për Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, Kristofer Shelldon dhe ekonomistin e Bankës Botërore, Denis Mesihoviq, po ashtu me 9 maj 2024, vizituan edhe Komunën e Plavës, të cilët, në sallën e Komunës për takime publike me palë, i priti kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.
Në takimin konstruktiv dypalësh, fokus i bisedimit ka qenë projekti i përqendruar në përforcimin e brigjeve të rrjedhës së lumit Lim, si dhe në projektin më të rëndësishëm, pa dyshim të Komunës, në rivitalizimin dhe mbrojtjen e Liqenit të Plavës, gjendja e të cilit është në zhdukje e sipër, thuhet në profilin personal të FB të kryetarit Nihad Canoviq.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat