Sfidat e ruajtjes së identitetit në kohën e globalizmit

“Qëllimi specifik i këtij projekti është të ndërtojë dhe forcojë kompetencat e të rinjve shqiptarë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të tyre kombëtare, kulturore dhe të tjera identitare, si dhe të rrisë aftësinë e tyre për të qenë promotorë të antidiskriminimit dhe uljes së distancës etnike në Mal të Zi”, kanë deklaruar nga OJQ “Horizonti i Ri”

Ulqin – Të rinjtë shqiptarë nga Gucia, Plava, Malësia dhe Ulqini, nxënës të shkollave të mesme “Beqo Bashiq” – Plavë”, “25 Maji” – Tuz dhe “Vëllazërim-Bashkim” – Ulqin kanë qenë pjesë e kampit edukativ për çështjet e identitetit, të organizuar nga Organizata Joqeveritare “Horizonti i Ri” në Ulqin, në fillim të javës së kaluar (28-30 prill 2024), në kuadër të projektit “Edukimi mbi vlerat identitare”.
“Qëllimi specifik i këtij projekti është të ndërtojë dhe forcojë kompetencat e të rinjve shqiptarë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të tyre kombëtare, kulturore dhe të tjera identitare, si dhe të rrisë aftësinë e tyre për të qenë promotorë të antidiskriminimit dhe uljes së distancës etnike në Mal të Zi”, kanë deklaruar nga kjo organizatë.
Programi treditor i kampit edukativ për të drejtat e njeriut, liritë dhe përgjegjësitë e popujve pakicë përbëhej nga pjesa teorike si dhe vizitat e institucioneve kulturore dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore në Ulqin. Në pjesën teorike të programit, nxënësit janë njohur me konceptin e identitetit dhe sfidat e ruajtjes së identitetit nga të rinjtë shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e globalizmit, paragjykimet dhe stereotipat që lidhen me këtë koncept. Lidhur me këtë temë ka ligjëruar gazetari Ismet Kallaba, me të cilin nxënësit kanë ndarë mendimet dhe përvojat e tyre, ndërsa trajnere e sesionit ka qenë Sabra Deceviq.
Në pjesën e dytë të programit të kampit edukativ, nxënësit kanë vizituar Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, përkatësisht Këndin për të Rinj në kuadër të kësaj biblioteke, ku janë pritur nga udhëheqësja e këtij institucioni Ardita Rama. Në Librarinë “Ulqini” të rinjtë janë pritur nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, dhe drejtoresha e kësaj librarie Arlinda Osmani. Vizita e fundit ka qenë ajo e kompleksit muzeor në Kalanë e Ulqinit, të shoqëruar nga udhëheqësi i Muzeut, Gazmend Kovaçi.
Projekti “Edukimi mbi vlerat identitare”, i cili mbështetet nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ka përfunduar me ndarjen e certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit e kampit edukativ.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat