
Shkolla fillore “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu” në Ostros të shtunën më 9.03.2024 kremtoi ditën e saj. Është ky përvjetori i 95 i këtij institucioni arsimor në Krajë. Kujtojmë se datë e fillimit të shkollës në Krajë konsiderohet 10 marsi i vitit 1929. Kjo edhe sot e gjithë ditën festohet si datë e themelimit të shkollës në këtë trevë. Kjo nuk do të thotë aspak se fillet e arsimit nisin këtu me këtë datë, përkundrazi ata sipas studiuesve të fushës datojnë shumë më herët, bile qysh në vitin 1892.
Duhet ditur të se mësimi në gjuhën shqipe në shkollën e Krajës fillimet i ka më 1942 kur në Ostros u çel shkolla “Skënderbeg” ku mësues janë Prenk Jakova, Nuhi Kuçi, Gaqo Pisha dhe Ilia Zhavori. Të gjithë këta mësues nga Shqipëria. Që nga ky vit (viti 1942) nxënësit e shkollës në Krajë mësimin e kanë ndjekur në gjuhën amtare.
Në solemnitetin e mbajtur më rastin e kësaj feste – Ditës së shkollës nxënësit, anëtarë të seksione të ndryshme më këtë rast para moshatarëve, mësimdhënësve, prindërve, mysafirëve dhe qytetarëve të Krajës shfaqën një program të begatë kulturo-zbavitës gërshetuar më recitime, krijime letrare, vallëzime tradicionale dhe bashkëkohore dhe me këngë korale e popullore.
Më këtë rast seksioni letrar bëri përurimin e revistë së shkollës “Valët” numër 26. Dy ditë më parë në kuadër të manifestimeve të marsit më 7 mars – Ditës së mësuesit grupi i dramës dha shfaqjen “Hëna prej letre” të Mehmet Krajës.
Në manifestimin qendror që u mbajt në sallën e edukimit fizik në fillim të pranishmit i përshëndeti drejtori i shkollës Sami Dodiq i cila ndër të tjera tha: “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot para jush të hapi këtë solemnitet të madh që shënon përmbylljen e një periudhe 95 vjeçare të punës dhe jetës të këtij institucioni edukativo-arsimor. Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, me krenari dhe gëzim po festojmë Ditën e shkollës andaj shfrytëzoj rastin që të gjithëve t’ua uroj këtë festë, Gëzuar! Më lejoni që në emrin tim personal, në emër të nxënësve dhe të kolektivit të shkollës të përshëndes të gjithë të pranishmit që së bashku me neve po e ndajnë gëzimin e kësaj feste dhe po e bëjnë atë edhe më madhështor këtë ngjarje. Falënderoj mysafirët nga shkolla “Bedri Elezaga”-Katërkollë, të cilët na kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre sot në këtë ditë të veçantë për ne. Sigurisht që një përvjetor i shkollës na gëzon të gjithëve por ky është një moment për të reflektuar mbi rrugën tonë të përbashkët drejtë dijes dhe suksesit. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ne kemi një mision të madh e që është edukimi dhe arsimimi i brezave të ardhshëm por nuk duhet harruar gjithashtu që kemi edhe një përgjegjësi të madhe ndaj atyre që ndër vite punuan dhe vepruan që këtë shkollë ta ngrenë dhe sjellin këtu ku është sot. Sot le të kujtojmë me krenari dhe kënaqësi të gjitha momentet e bukura të përjetuara në këtë shkollë dhe le të shikojmë përpara me shpresë dhe besim se bashkë do të vazhdojmë të ndërtojmë një mjedis arsimor të frytshëm dhe inkurajues për të gjithë”.
Të shtojmë në fund se në garat e recitueseve “Poezia na bashkon” që u mbajt për nder të Shtatë Marsit-Ditës së Mësuesit, organizuar nga IP QKI “Malësia” në Tuz nxënësja e klasës së tetë Medina Dragoviq zuri vendin e parë më recitimin e poezisë “Anës lumenjve” të Fan Nolit.