.Ulqin – Pas Prishtinës, filmi dokumentar “Në gjirin e Ulqinit”, i realizuar nga Organizata Joqeveritare “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes” – Gjilan, sipas regjisë së Burim Baftiut, është promovuar të enjten mbrëma (29 shkurt 2024) në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Në këtë film dokumentar protagonistë të ndryshëm rrëfejnë për periudhën e luftës në Kosovë (vitet 1998 dhe 1999), duke risjellë në kujtesë gjithë dramën e më se 70 000 kosovarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, të cilët gjetën strehim në Ulqin.
Dokumentari dëshmon për vuajtjet e qytetarëve të pafajshëm kosovarë që me dhunë u detyruan t’i lëshonin shtëpitë e tyre, si dhe për humanizmin dhe solidaritetin e ulqinakëve zemërgjerë, të cilët nuk kursyen asgjë për t’i strehuar, ushqyer dhe për t’i mjekuar ata.
Sipas përfaqësueses së OJQ “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes”, Emine Ismajli, filmi dokumentar ndonëse është vetëm një pikë në det i memorizimit të kujtimeve tona, është një nismë e mirë që të mos na fshihen kujtimet që kemi.
“Në njëfarë mënyre është edhe një thirrje që të mos ketë më luftë dhe të mos vuajnë njerëzit askund në botë, jo vetëm te ne”, ka theksuar ajo.
Ismajli ka thënë se në filmin dokumentar kemi 14 protagonistë të cilët e pasqyrojnë shumë bukur kohën e vështirë gjatë viteve 1998-1999.
“Është sakrificë e madhe kur ndoshta edhe vetë nuk ke mjaftueshëm dhe atë kafshatën që e ke, e ndanë me njeriun në nevojë. A në këtë rast ju, me zemërgjerësinë tuaj, humanizmin dhe solidaritetin e treguar na keni bërë të ndihemi të sigurt në këtë vend”, është shprehur ajo.
Për regjisorin Burim Baftiu, filmi dokumentar “Në gjirin e Ulqinit” na tregon se kur një njeri, një qytetar, një komb, një bashkëkombës ka nevojë për ndihmë, ne duhet t’i hapim zemrat tona e t’i afrojmë ata në gjirin tonë.
Ai ka thënë se ky film e ka bërë të mendojë për dallimin ndërmjet superheronjve që i shohim në filma, të cilët portretizohen me fuqitë e tyre të mbinatyrshme, por që nuk kanë një profesion, dhe superheronjve të vërtetë të cilët kanë një profesion.
“Superheronjtë e vërtetë ishin pak më ndryshe. Superheronjtë e vërtetë kishin profesion. Superheronjtë e vërtetë janë doktorë e doktoresha, mësuese, artistë, hoxhallarë, gazetarë, zjarrfikës, zyrtarë komunalë e shumë profesione të tjera. Edhe superfuqia e tyre është humanizmi dhe empatia e tyre që kanë për njerëzit kur rrezikohet ekzistenca e tyre. Thuhet se kohët e vështira i krijojnë heronjtë. E mua ky film më ka bërë të kuptoj se heronjtë ekzistojnë gjithmonë”, ka thënë ai.
Konsullja në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ifete Çeku, ka falënderuar Ulqinin dhe qytetarët e tij, institucionet komunale etj., që në kohë të vështira të Kosovës i hapën dyert, i hapën zemrat, i pranuan refugjatët nga Kosova të cilët u larguan dhunshëm nga regjimi i atëhershëm serb nga votrat e tyre.
Ajo ka falënderuar edhe OJQ “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes” për iniciativën që ka marrë për të realizuar një film dokumentar, për të paraqitur historinë e dhimbshme të qytetarëve të Kosovës, por edhe qytetarët ulqinakë të cilët në kohë të vështira u gjendën pranë qytetarëve kosovarë.
Nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Sabri Salaj, ka thënë se Ulqini ia ka pasur borxh Kosovës, sepse ajo ka dhënë shumë për Ulqinin, për shqiptarët në Mal të Zi dhe për shqiptarët në mbarë trojet e tyre.
“Shqiptarët e Malit të Zi e kanë pasur të drejtë morale, historike, por edhe kombëtare të ndihmojnë shqiptarët e Kosovës. Dhe ai mobilizim që është bërë në atë kohë, pjesë e të cilit ishin edhe familjarët e mi, të cilët kanë pasur në shtëpinë e tyre familjarë nga Kosova, më bën krenar që sot qytetin tim nëpërmjet këtij filmi dokumentar ta bëjë pjesë të historisë sonë kombëtare. Sepse vetëm të bashkuar do të bëjmë të mundur që të fitojë e drejta jonë historike”, është shprehur ai.
Filmi dokumentar “Në gjirin e Ulqinit” është realizuar në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, i cili realizohet nga OJQ “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes” në bashkëpunim me KURVE Wustrow nga Gjermania, si pjesë e Shërbimit Civil të Paqes dhe i mbështetur me fonde nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Përpos qytetarëve të Ulqinit, të pranishëm në promovimin e filmit dokumentar kanë qenë edhe Ambasadori i Kroacisë në Mal të Zi, Veseljko Grubishiq, dhe ambasadori i Bullgarisë në Mal të Zi, Stefan Dimitrov etj..
Promovimi i filmit dokumentar është organizuar nga OJQ “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes” në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës – Ulqin.
i. k.
