Ulqin – Në Librarinë “Ulqini”, të premten mbrëma (1 mars 2024) është bërë përurimi i librit “Gjurmë” të autorit Ali Gjeçbritaj.
Përurimi është organizuar nga Libraria “Ulqini” dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e Librarisë “Ulqini”, Arlinda Osmanoviq, ka thënë se si libraria e vetme që ofrojnë libra në gjuhën shqipe, janë shumë të lumtur që sadopak kontribuojnë në ruajtjen e vlerave tona kombëtare dhe gjuhës shqipe.
“Ne gjithmonë jemi të gatshëm dhe më se të lumtur që të bashkëpunojmë me autorët lokalë, të cilët i japin jetës kulturore të Ulqinit frymë dhe që gjenerata me radhë kanë mundësi që nëpërmjet faqeve të këtyre librave të mësojnë më shumë për vendin e vet, kulturën, gjuhën e si pasojë edhe të krijojnë e të ruajnë identitetin”, ka theksuar ajo.
Në emër të botuesit dhe të bashkorganizatorit të përurimit, kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba ka thënë se Ali Gjeçbritaj është një autor produktiv, pena e të cilit nuk pushon kurrë.
“Ai i takon atij brezi që shkrimin e ka si një lloj obligimi dhe, si të thuash, ilaç shpirtëror. Secili nga ne, me punën e vet lë gjurmë, por të shkruash, veçanërisht për vendin e vet, përbën një akt patriotizmi”, ka thënë ai, duke shtuar se libri “Gjurmë” paraqet një kronikë të jetës së banorëve të Krajës ndër shekuj dhe është shprehje e dashurisë së autorit për Krajën.
Në vijim të përurimit vështrimet e tyre për librin “Gjurmë” i kanë paraqitur Gazmend Çitaku dhe Korab Kraja.
Duke përkujtuar se autori e fillon librin me thënien e Franc Kafkës se “Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato”, Çitaku ka thënë se hiç më pak kafkiane s’janë as vështrimet dhe esetë të cilat na i sjellë Aliu përmes “Gjurmë”-ve.
“Gjurmët në këtë botim janë më se të qarta, kuptimplote dhe përmes tyre autori na risjell në kujtesë jetën e dikurshme dhe veprimtaritë jetësore të banorëve të Krajës”, është shprehur ai.
Çitaku ka veçuar artikujt “Vani i Arbneshit”, “Imeri i suleve” dhe “Heshtja e një porti”, që janë pjesë e këtij libri e që, sipas tij, përbëjnë një trilogji dëshmuese të një veprimtarie jetësore të banorëve të Krajës.
“Vani i Arbneshit dikur ka simbolizuar kantierin për ndërtimin e suleve dhe lundrave krajane, Imeri i suleve në vitin e largët 1996 ishte ndër të fundit prej atyre që ndërtonin sule e lundra dhe titulli i tretë Heshtja e një porti përmbyll veprimtarinë shekullore të këtij zanati të krajanëve”, ka thënë ai.
Në vështrimin e tij, studiuesi Korab Kraja ka thënë se librat e mësuesit, gazetarit, shkrimtarit Ali Gjeçbritaj përçojnë te lexuesi mësime dhe dëshmi të vlefshme për vendin tonë.
“Universaliteti i tij si krijues bën që shkrimet e tij të merren shpeshherë si citate burimore, sepse shkrimtari është kujdesur që për të dhënën të gërmojë thellë deri në burimin e sigurt dhe autentik. Shkrimet e tij shpeshherë bëhen referime të shumë punimeve shkencore dhe të artikujve publicistikë”, ka theksuar ai.
Kraja ka thënë se krijimtaria shkrimore e Gjeçbritajt është e gjithanshme, ashtu siç është e gjithanshme edhe jeta në Krajë.
“Këtë jetë në Krajë, autori është kujdesur që ta dëshmojë ndër vite, duke gjurmuar mbi të kaluarën e Krajës që jehon ende nëpër vendin tonë; duke gjurmuar fusha të ndryshme jetësore që banori i Krajës i bën ballë; duke gjurmuar mbi dallgët e politikës që dukuria e saj është bërë pjesë e përditshme e peripecive njerëzore dhe kështu të bëhen gjurmë e gjurmime, rrëfime e përsiatje, reflektime e shqyrtime, grishje e qëmtime”, është shprehur ai.
Autori i librit, Ali Gjeçbritaj, ka thënë në fjalën e tij se në jetën e tij ka bërë përpjekje që të mbjellë arsim e kulturë.
Ai ka treguar se materialin apo lëndën e parë për shkrimin e librit “Gjurmë” e ka marrë nga goja e popullit, nga të moshuarit.
“Për fat të keq, sot nuk po shënojmë atë që duhet ta bëjmë. Unë diçka kam bërë, por kam mundur të bëj edhe njëqind herë më mirë. Ka mundësi që në këtë libër të mos jetë ndonjë element i saktë sa i përket viteve, po megjithatë unë nuk jam bazuar askund në arkiv, por nga dëshmitë e njerëzve të moshuar”, ka thënë autori, dhe ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe mbështetur në botimin e librit.
Një fragment nga libri ka lexuar udhëheqësja e përurimit Arlinda Osmanoviq, kurse në fund të përurimit autori ka ndarë libra falas për të gjithë të pranishmit.
i. k.