E gatshme për vendosjen e urave të bashkëpunimit

Tuz – Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, prof. dr. Zhaklina Peto, u prit të mërkurën (29 shkurt 2024) nga kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Në këtë takim, siç njoftohet nga Komuna e Tuzit, u diskutua mbi zhvillimet në këtë komunë, veçanërisht në sektorin e turizmit “si potencial i jashtëzakonshëm i Komunës sonë, si dhe bashkëpunimi i ndërsjellë në fushat e kulturës, sportit, politikave të të rinjve për të rritur rolin e tyre në hartimin e politikave rinore dhe vendimmarrjen vendore”.
Ndërkohë, kreu i Komunës së Tuzit e ka informuar ambasadoren Zhaklina Peto me arritjet e kësaj komune gjatë mandatit të kaluar si dhe me planet për zhvillimin e Komunës së Tuzit në të ardhmen, ku sipas tyre, vëmendje do t’i kushtohet përmirësimit të infrastrukturës.
Ndërkaq, siç njoftohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, ambasadorja Peto pasi e falënderoi kreun e Komunës së Tuzit për mikpritjen, është shprehur e gatshme për të ndihmuar në vendosjen e urave të bashkëpunimit për realizimin e projekteve të ndryshme, të cilat do të ndikonin në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e Komunës së Tuzit.
“Në këtë takim vëllazëror u diskutua gjithashtu edhe për ndërmarrjen e iniciativave konkrete të cilat do të ndihmonin ndërgjegjësimin e komunitetit në çështje me karakter social, si dhe do të kishin një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit lokal në këtë Komunë. Bashkëbiseduesit u dakordësuan në vijimin e mbajtjes së takimeve të tilla, edhe në të ardhmen” njoftohet nga ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi.
Kujtojmë se ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, prof. dr. Zhaklina Peto, nga viti i kaluar e pason në këtë detyrë ambasadorin e deriatëhershëm të Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezin i cili është emëruar ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat