Mehmet Shabani, fitues i Festivalit

Juria e përbërë nga Luigj Dedvukaj - profesor i pedagogjisë së përgjithshme muzikore, Dr. Ermira Alija - pedagoge e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Dritan Mlika - poli-instrumentist dhe drejtor i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” – Shkodër vlerësuan me Çmimin e Parë këngën “Familja”, të kënduar nga Mehmet Shabani, me tekst të Ardi Shabanit, ndërsa muzikën dhe orkestrimin e realizoi Ilir Hasanaga

Ulqin – Për dy net me radhë (21-22 shkurt 2024), skena e sallës së Qendrës së Kulturës në Ulqin tuboi fëmijët të cilët shpalosën talentin e tyre në fushën e këndimit dhe të muzikës, në edicionin e 17-të të Festivalit të Këngës për Fëmijë.
Në konkurrencë ishin 19 këngë, 18 prej të cilave të këngëtarëve të vegjël nga Ulqini dhe një këngë nga Kosova.
Pas dëgjimit të të gjitha këngëve, juria e përbërë nga Luigj Dedvukaj – profesor i pedagogjisë së përgjithshme muzikore, Dr. Ermira Alija – pedagoge e Letërsisë shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Dritan Mlika – poli-instrumentist dhe drejtor i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” – Shkodër vlerësuan me Çmimin e Parë këngën “Familja”, të kënduar nga Mehmet Shabani, me tekst të Ardi Shabanit, ndërsa muzikën dhe orkestrimin e realizoi Ilir Hasanaga.
Çmimi i Dytë i ka takuar duetit Rona dhe Era Kurti për këngën “Për mësuesen time”, me tekst të Suela Kacës, ndërsa muzikë dhe orkestrim të Ardian Hasanagës.
Me Çmimin e Tretë janë vlerësuar dy këngë: “Nëna”, e kënduar nga Denis Lamoja, me tekst, muzikë dhe orkestrim të Gëzim Gjekës, si dhe kënga “Motrat binjake”, e kënduar nga Serena dhe Sarina Duraku, me tekst të Senada Kaleziqit dhe muzikë e orkestrim të Ardian Hasanagës.
Çmimi Special “Fiqri Hasanaga” i është ndarë Nina Kostiqit për këngën “Nova Godina” (Viti i Ri), sipas tekstit të Amar Alloviqit, ndërsa me muzikë dhe orkestrim të Islam Axhemoviqit.
Çmimi për tekstin më të mirë i ka takuar këngës “Miu dhe televizori”, tekstin e së cilës e ka shkruar poeti Ali Gjeçbritaj, kënduar nga Irsi dhe Inara Shabanoviq, kurse muzikën dhe orkestrimin e ka realizuar Islam Axhemoviqi.
Në natën e parë, në pjesën hyrëse është shfaqur një video-material që flet mbi historikun dhe rrugëtimin e këtij festivali ndër vite, kurse në natën e dytë krahas këngëve konkurruese janë ngjitur në skenë edhe balerinat e vogla të klasës së parë të Shkollës së Muzikës dhe Baletit – Ulqin, të cilat kanë luajtur pjesën “Valsi i luleve”, me koreografi të Bjanka Prentiqit, si dhe nxënësi i klasës së gjashtë të kësaj shkolle, Pjetër Mirdita, i cili ka luajtur një pjesë në kitarë.
Po ashtu, në natën e dytë, në cilësinë e mysafireve kanë kënduar Ea Zoga, fituese e edicionit të 8-të të “Gjeniut të Vogël”, e cila është paraqitur me këngën fituese në këtë konkurs “Në Shkodër të vish”, si dhe Nergis Fani, fituese e Çmimit të Dytë në Festivalin e Këngës për Fëmijë “Akullore Fest 9” që organizohet në Shkodër, e cila ka kënduar këngën “Lulja lajmëtare”.
Producent i edicionit të sivjetshëm të Festivalit ka qenë Cani Lazoja, udhëheqës artistik Astrit Salaj, regjisore Edina Mustafiq – Avdiu, skenografe Jetmira Hoxha, kurse programi është udhëhequr nga Dafina Teliqi dhe Tara Kovaçeviq.
Festivali i Këngës për Fëmijë është organizuar nga Qendra për Kulturë – Ulqin, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe Organizatës Turistike – Ulqin.

i. k.


Çmimet

Çmimi i Parë – Mehmet Shabani “Familja”
Çmimi i Dytë – Rona & Era Kurti “Për mësuesen time”
Çmimi i Tretë – Denis Lamoja “Nëna” , Serena & Sarina Duraku “Motrat binjake”
Çmimi Special “Fiqri Hasanaga” – Nina Kostiq “Nova Godina” (Viti i Ri)
Çmimi për tekstin më të mirë – Irsi & Inara Shabanoviq “Miu dhe televizori”

Të fundit

më të lexuarat