Bashkëpunimi rajonalpërbën themelin estabilitetit dhe zhvillimit të Ballkanit Perëndimor

Bashkëbiseduesit kanë nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, si dhe kanë shprehur besimin për nënshkrimin në të ardhmen e afërt të marrëveshjes teknike, si bazë për zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta të pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi dhe Ushtrisë së Shqipërisë

Ministrat e Mbrojtjes së Malit të Zi dhe Shqipërisë, Dragan Krapoviq dhe Niko Peleshi, janë takuar gjatë ditës së dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Bashkëbiseduesit kanë nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, si dhe kanë shprehur besimin për nënshkrimin në të ardhmen e afërt të marrëveshjes teknike, si bazë për zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta të pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi dhe Ushtrisë së Shqipërisë.
Ministrat e Mbrojtjes së dy vendeve kanë theksuar se përpos aktiviteteve dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Malit të Zi dhe Shqipërisë zhvillohet edhe përmes pjesëmarrjes aktive në nismat rajonale, siç janë Karta SHBA-Adriatik (A5), SEDM, RACVIAC, BMTF, DECI, ADRION, B9 dhe CEDC+.
Ministri Peleshi ka thënë në një postim të tij në rrjetin social Facebook se Shqipëria dhe Mali i Zi, jo vetëm si partnerë të NATO-s, por edhe si fqinjë me një vizion dhe synim të përbashkët u pajtuan se bashkëpunimi rajonal përbën themelin e stabilitetit dhe zhvillimit të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, anëtarësimi në NATO dhe BE është rruga e vetme drejt sigurisë së të gjitha vendeve të rajonit.
“Bashkëpunimi dhe solidariteti janë thelbi i rrugës sonë për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha vendet e rajonit”, ka shkruar ai.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih morën pjesë politikanë të lartë e ekspertë nga e gjithë bota, mes të cilëve edhe zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.\

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat