Vepër unike me vlerën e pasqyrimit, ndriçimit dhe reflektimit të Parkut më të ri Nacional në Mal të Zi – Bjeshkët e Nemuna

Shaban Hasangjekaj

“Me begatinë dhe llojllojshmërinë e përmbajtjeve natyrore, hapësira e Parkut më të ri Nacional në Mal të Zi “Bjeshkët e Nemuna” (“Prokletije”), gjithmonë ka paraqitur nxitje (provokim) për hulumtues, ekspedita shkencore, udhëpërshkrues, alpinistë, malësorë, dashamirë të natyrës, turizmologë, ekologë, aventurierë dhe vizitorë të tjerë të shumënumërt. Shumë prej tyre kanë shkruar mbi këto bjeshkë. Ashtu është krijuar bibliografia e pasur e udhëpërshkrimeve dhe e teksteve tjera letrare, punimeve shkencore dhe veprave monografike mbi specifikën (veçantinë) e tyre natyrore, trashëgiminë kulturore dhe të kaluarën. Mirëpo, deri më sot nuk është shkruar vepër shkencore e cila në mënyrë sintetike do të paraqiste llojllojshmërinë gjeografike, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore të hapësirës të cilën e zë parku Nacional në fjalë. Nga shkaqet e përmendura, si anëtar i ekipit i cili ka hartuar (koncipuar) “Studimin e prezantimit për konstatimin e trevës së mbrojtur të natyrës në hapësirën e Bjeshkëve të Nemuna Plavo-Guciane” nën udhëheqjen e Akademikut Zllatko Bulliq, e në organizim të Entit Republikan për mbrojtjen e natyrës dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit Jetësor të Qeverisë së Malit të Zi (2007), dhe si autor i shumë punimeve dhe librave mbi natyrën, trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale të visit të trevës së Plavë-Gucisë, jam ndierë i obliguar të kontribuoj në paraqitjen (pasqyrimin) e tërësishme të Parkut Nacional. Për këtë, kam pasur përkrahjen e pakursyer (vetëmohuese) të miqve të mi, Akademikut Vukiq Puleviq dhe Dr. Snezhana Dragiqeviq”, shprehet autori Halil R. Markishiq në fillimin e parathënies së librit të vet të shkruar në gjuhën malazeze me titull “Građa za Leksikon Nacionalnog Parka Prokletije” (“Lënda për Leksikonin e Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna”).
Librin në fjalë, redaktore e të cilit është Snezhana Dragiqeviq, recensentë Akademiku Zllatko Bulliq, Prof. Dr. Rifat Allihoxhiq dhe Mr. Lluka Mitroviq, lektore: Sanella Adroviq, korrektore: Lleilla Orçusha, dizajni dhe thyerja e zgjidhjes së kopertinave: Seid Kurpejoviq, e kanë botuar: Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor të Malit të Zi dhe OJQ “Priroda i baština” (“Natyra dhe Trashëgimia”) në Rozhajë. I shtypur në shtypshkronjën “IVPE” në Cetinë në vitin 2023, i përbërë prej 612 faqesh.
Recensuesi Akademik Zllatko Bulliq, në fillimin recensionit të vet kushtuar librit thekson: “Magjistri Halil R. Markishiq që afro një gjysmë shekulli, është i njohur si profesor i ngulshëm i arsimit dhe punëtor profesionist e shkencor, puna profesionale e të cilit është e përkushtuar hulumtimeve (kërkimeve) botanike, në radhë të parë hulumtimeve të florës dhe vegjetacionit të Hajllës, dhe Bjeshkëve të Nemuna të Veriut të Malit të Zi me rrethinë, natyrës dhe biodiversitetit në përgjithësi, por edhe segmenteve veç e veç të trashëgimisë së pasur (begatë) të kulturës së Plavës Gucisë dhe Rozhajës, rezultateve të hulumtimeve të veta, i ka publikuar në shumë revista shkencore vendore dhe të jashtme, si dhe në kuadër të 15 librave nga sfera e natyrës dhe trashëgimisë së kulturës. Për punën e vet ka fituar shumë shpërblime, ndër të cilat edhe shpërblimin prestigjioz shtetëror “OKTOIH”, në vitin 2004, për rezultate të jashtëzakonshme në punën edukativo-arsimore, pastaj Kartën “Hamdija Hashimpashiq” për rezultate të veçanta të realizuara në veprimtarinë e hulumitimit, mbledhjes, mbrojtjes dhe afirmimit të trashëgimisë etnomuzikore të boshnjakëve të Plavës dhe Gucisë, në vitin 2003, shpërblimin “30 decembar” (“30 dhjetori”) në Komunën e Rozhajës në vitin 1980, për rezultate të jashtëzakonshme në punën edukativo-arsimore”. Recensenti Bulliq në vazhdim ka shtuar se “me punën e gjithmbarshme profesionale-shkencore, edukativo-arsimore dhe të shumëllojshme kulturore, zotëriu Halil R. Markishiq është radhitur në rendin e krijuesve më të shquar (dalluar) të veriut të Malit të Zi. Në atë kontekst me këtë libër “Lënda për Leksikon e Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna”, autori Markishiq, në mënyrë interesante e përmbajtësore dhe bashkëkohore plotëson (kompleton) krijimtarinë e vet vendlindëse mbi trevën e hapësirës së Plavë-Gucisë të cilës me librat e mëhershëm (Visi Plavo-Gucian, raritetet natyrore, dhe legjendat mbi to në vitin 2017, etj.,) e posaçërisht me këtë libër i ka dalë borxhit në mënyrë të drejtë”.
Autori Halil R. Markishiq, për përgatitjen e këtij libri ka qenë i detyruar të përballet me seleksionimin e të dhënave përkatëse, si nga literatura po ashtu edhe nga hulumtimet e veta shumë dekadashe natyrore e kulturore që në parime të reja bashkëkohore sistematike, profesionale shkencore të prezantojë dhe afirmojë thesarin e begatë natyror dhe kulturor të Parkut më të ri në Mal të Zi, Bjeshkët e Nemuna.
Libri unikal monografik “Lënda për Leksikonin e Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna” të autorit Halil R. Markishiq, është i përbërë prej teksteve (artikujve) të cilët në mënyrë precize dhe përmbledhëse prezantojnë faktet mbi mendimin e dhënë. Ai përmban mbi 600 faqe tekstesh e fotografish përcjellëse në kolor (ngjyrë), në të cilin janë prezantuar cilësitë e trashëgimisë së natyrës dhe kulturës së Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna.
Autori Markishiq, librin e ka ndarë në pesë kapituj: 1. Relief, 2. Hidrologji, 3. Vendbanime, 4. Trashëgimi të kulturës dhe 5. Biodiversitet. Çdo kapitull ka shumë tërësi të vogla (trajtesa shtjelluese), e ato janë të përbëra (hartuara) prej artikujve leksikografikë, zakonisht me fotografi. Ashtu që në mënyrë mjaft ilustruese dhe koncize, janë të përshkruara cilësitë fiziko-gjeografike të kësaj hapësire. Reliefi, objektet hidrografike, vendbanimet, elementet më të rëndësishme të trashëgimisë së begatë të kulturës dhe biodiversiteti detaj (kërpudhat, likenët, flora, fauna, butakët, insektet, peshqit, amfibët, zvarranikët, zogjtë dhe gjitarët).
(Vijon)

Të fundit

më të lexuarat