Familja Kurmemaj u bë një rreze shprese për pjesën më të veçantë të shoqërisë sonë, atë të fëmijëve të Qendrës Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa dhe Vështirësi në Zhvillim “Sirena”. Këta fëmijë me dashurinë dhe shpirtin e tyre arrijnë të na ngrohin zemrën e gjithashtu të na mësojnë ta duam jetën me të gjitha ngjyrat e saj. E pavarësisht kësaj, peripecitë nëpër të cilat kalojnë ata së bashku me familjet e tyre, janë të mëdha. Në shenjë solidariteti por edhe të një ndihmese financiare e morale, Dina&Ahmet Kurmemaj në bashkëpunim me Fondin Humanitar “Trojet Tona”, kanë ndarë të mërkurën (14 shkurt 2024) një shumë prej 400 euro për secilin nga fëmijët e kësaj qendre.
Të pranishmit fillimisht i përshëndeti drejtoresha e Qendrës Ditore “Sirena”, Salije Meqikukiq, e cila në emër të të gjithë prindërve falënderoi donatorët. Sfidat nëpër të cilat kalon kjo qendër janë të mëdha, mirëpo ajo tregoi që nisma të tilla janë një kurajë edhe për të si udhëheqëse e këtij institucioni.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, përshëndeti të pranishmit duke përgëzuar donatorët për këtë vepër të madhe humane.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen institucionale të pakusht për t’i ndihmuar fëmijët e Qendrës Ditore “Sirena”.
Në fund, fjalën e mori Vjollca Lika – Çobaj dhe si përfaqësuese e Fondit Humanitar “Trojet Tona” dhe në emër të familjes Kurmemaj, tregoi që nisma të tilla na bëjnë të solidarizohemi e të jemi të bashkuar përballë sfidave me të cilat jeta na ballafaqon.
Shuma monetare iu dhurua prindërve të fëmijëve, të cilët falënderuan familjen Kurmemaj për ndihmesën financiare e mbi të gjitha për mbështetjen e madhe morale.
Vediha Gjoni