Në Entin për Punësim të Malit të Zi, presin për t’u punësuar mbi 270 magjistra dhe 20 doktorë shkencash, megjithatë, është reduktuar dukshëm numri i të papunëve me 6 mijë persona, ose13 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kështu ka njoftuar para pak ditësh, drejtori i Entit për Punësim, Gëzim Hajdinaga.
Z. Hajdinaga, në emisionin “Link” të Radios së Malit të Zi, është shprehur se rezultatet e tilla tregojnë për një avancim, ndërkohë që ka treguar se shkalla e papunësisë është më e ulët në jug të vendit, ndërsa në veri, më e lartë. Drejtori Gëzim Hajdinaga ka thënë se Enti për Punësim ka ndërmjetësuar nëntë herë më shumë, pra 52mijë e 500 persona, ose 30 mijë të cilët kanë kërkuar punë. Ai është shprehur se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kjo është nëntë herë më shumë, duke njoftuar se institucioni që ai drejton, ka punësuar 15 mijë e 500 njerëz, çfarë për të, përbën një shifër mbresëlënëse.
Ndërkaq, z. Hajdinaga duke folur për numrin e magjistrave dhe doktorëve që janë të paraqitur pranë këtij enti si të papunë, ai ka thënë se kjo nuk është një e mirë, por ka shprehur besimin dhe shpresën se atyre shumë shpejtë do t’u mundësohet të punojnë në profesionin e tyre.
Ai ndër të tjera është shprehur se mungojnë zanatçinjtë, punëtorët në ndërtimtari, në mjekësi, por edhe kuzhinierët dhe kamerierët.
Hajdinaga gjithashtu ka njoftuar se me ardhjen e tij në këtë funksion, ai ka gjetur një gjendje shumë të keqe në këtë institucion, siç ka qenë mungesa e motivimit të të punësuarve për punë, me komunikim reciprok të dobët, dhe me sistematizim jo të mirë të vendeve të punës, brenda entit.
Aktualisht, sipas drejtorit të Entit për Punësim, numri i të papunëve në Byronë e Punës është, 38 mijë e 345 persona, nga të cilët 58 për qind, femra.
t. u.