Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken vizitoi të enjten më 15 shkurt 2024 Shqipërinë, ku fillimisht është pritur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, për të vijuar më tej takimet me përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, me presidentin Bajram Begaj, me kryeministrin Edi Rama, me prokurorë, gjyqtarë, me disa të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane, dhe me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale në Tiranë.
Nga raportimi i mediave të shkruara dhe audio-vizuale në Shqipëri ku vizita e Blinkenit ka qenë kryelajm, në takimin e zhvilluar me kryeministrin Edi Rama, sekretari Blinken ka thënë se marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë, janë më të fuqishme se kurrë më parë. Ai e ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e saj që ka treguar ndaj Ukrainës dhe për rolin e saj në NATO. Kryediplomati amerikan, ndër të tjera është shprehur se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë për arritjen e reformave në sistemin e drejtësisë të cilat paraqesin rëndësi për rrugëtimin e saj në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, në një konferencë të përbashkët për mediat, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se monumenti i pandëshkueshmërisë dhe miti i të pushtetshmit, ka rënë.
“Kemi shumë punë për të bërë, kemi folur për sfidat, për përballimin e fenomenit të korrupsionit që duhet parë në llupën e procesit të integrimit“, është shprehur Rama.
Vizita e kryediplomatit amerikan shënoi edhe firmosjen e dy memorandumeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, atë të Mirëkuptimit Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj (dezinformimit) si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright, që u nënshkruan nga kryediplomati amerikan, Antony Blinken dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Ndërkaq, vizita e Z. Blinken në Tiranë është karakterizuar nga një atmosferë e gëzuar, ku përveç zbukurimit me flamuj amerikanë dhe shqiptarë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe të fotografive të z. Blinken, qytetarët në Shqipëri kanë shprehur optimizëm se kjo vizitë do të forcojë më tej bashkëpunimin dhe miqësinë shqiptaro-amerikane.
Disa nga qytetarët e intervistuar nga Zëri i Amerikës, kanë sjellë në kujtesë mbështetjen e madhe të SHBA-ve në përpjekjet e Shqipërisë për liri dhe demokraci, duke shprehur besimin se tani sërish, falë përkrahjes amerikane, Shqipëria do të arrijë ndryshime të tjera në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Kryediplomati amerikan, Antony Blinken e përfundoi vizitën në Shqipëri të enjten pasdite, ku u përcoll në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri i për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Z. Blinken, një ditë më vonë mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë ku zhvilloi takime me liderët global, me theks të veçantë mbi rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të SHBA-ve ndaj aleancës së NATO-s.
Kjo është hera e parë që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton Shqipërinë.
t. u.