Gratë rome dhe egjiptiane janë në fund të margjinave sociale në Mal të Zi

Gjekë Gjonaj

Me siguri keni dëgjuar zëra që thonë “romët janë kështu apo ashtu. Ata janë hajdutë, ata kundërmojnë. Atyre iu vjen era”. Mirëpo, a e kemi pyetur ndonjëherë veten : “A iu ka dhënë ndokush romëve mundësinë që të jenë dikush tjetër?’” “Cilat janë mundësitë?’” Paragjykime të këtilla për fat të keq ekzistojnë edhe sot për komunitetin rom dhe egjiptian. Raporte dhe hulumtime të ndryshme të bëra nga organizata joqeveritare dhe organizma ndërkombëtarë konfirmojnë se ka pabarazi dhe diskriminim ndaj romëve dhe egjiptianëve, sidomos ndaj grave dhe vajzave të këtyre komuniteteve.
Jemi dëshmitarë se shumë gra rome e egjiptiane nuk punojnë, qëndrojnë në shtëpi dhe kujdesen për fëmijët dhe kjo nuk është e mirë për to apo martesën e tyre. Një vajzë njëzet vjeçare e pamartuar konsiderohet e vjetër në komunitetin e tyre. Pra, kur vajzat i afrohen moshës madhore, ato mendojnë se çfarë do të thonë familja dhe rrethina e tyre nëse nuk janë martuar deri atëherë. Që nga lindja, ato rriten për t’u martuar para moshës tetëmbëdhjetë vjeç. Nuk mendojnë për atë që duan, por për atë që presin të tjerët prej tyre. Sipas zakoneve rome e egjiptiane, vajzat martohen para se të mbushin 15 vjeç dhe kjo është arsyeja pse ato heqin dorë nga shkollimi.
Gratë e reja rome dhe egjiptiane janë të varura dhe shpeshherë të bllokuara nga zakonet. Atyre u mohohet e drejta për vullnetin dhe mendimin e tyre dhe jeta e tyre menaxhohet nga anëtarët meshkuj të familjes. Jeta e një gruaje rome të martuar dhe të pamartuar është e ngjashme në shumë mënyra, ajo është reduktuar në vendbanime të mbyllura rome, përfshin zgjimin herët dhe kryerjen e punëve të ndryshme të shtëpisë gjatë gjithë ditës. Rritja e fëmijëve në familjet rome nuk është vetëm detyrë e grave të martuara, por edhe e vajzave që shpeshherë fillojnë të kujdesen për vëllezërit dhe motrat e tyre më të vogla në moshën 11-vjeçare. Në familjen rome sfidohet e drejta për arsim për fëmijët femra dhe arsyet gjenden në pritshmëritë tradicionale të cilat diktojnë që një grua rome duhet të martohet e re.
Diskriminimi ndaj grave rome është më i theksuar në punësim dhe qasje në shërbime. Numri më i madh i grave rome nuk kanë arsim formal dhe as trajnimin e kërkuar në tregun e punës. Më shpesh, ato nuk janë të punësuara por mbijetojnë duke mbledhur lëndë të parë dytësore, duke punuar ilegalisht ose duke rishitur mallra në rrugë. Gratë rome të paarsimuara dhe të varura ekonomikisht gjithashtu. Pozita e vështirë ekonomike e grave rome shkaktohet kryesisht nga trashëgimia patriarkale, ndarja e papërshtatshme dhe e padrejtë e punës, e cila lidhet drejtpërdrejt me kufizimet në qasjen në arsim dhe punësim. Në familjet rome ka një ndarje tradicionale të roleve. Qëndrimi ndaj grave është patriarkal, ato shpesh janë të margjinalizuara dhe të ekspozuara ndaj diskriminimit dhe dhunës në familje dhe për shkak të pozitës së tyre vartëse nuk kanë mundësi të planifikimit familjar.
Hulumtimet e mëparshme tregojnë se shumica e grave rome martohen dhe kanë fëmijën e tyre të parë midis moshës 15 dhe 18 vjeç. Pasojat e amësisë së hershme janë mungesa e arsimimit, punësimi dhe përfshirja në jetën shoqërore të komunitetit të gjerë. Gjithashtu nuk është e lehtë për gratë rome që zgjedhin një rrugë të ndryshme, jashtë kornizës tradicionale, duke qenë se në një kulturë ku tradita dhe zakonet janë shumë të rëndësishme, gratë vlerësohen pikërisht nga prizmi i mëmësisë dhe kujdesit për familjen, ato gjejnë mundësi për të mbijetuar jashtë familjeve dhe komuniteteve të tyre.
Se femrat rome dhe egjiptiane janë në fund të margjinave sociale në Mal të Zi tregon edhe hulumtimi i Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Malit të Zi, i publikuar pak ditë më parë në konferencën e mbajtur në “Shtëpinë Evropiane”, në përfundim të projektit dyvjeçar “Komuniteti rom dhe egjiptian: shëndeti, arsimi, punësimi dhe të drejtat sociale”. Drejtoresha ekzekutive e Qendra për Gazetari Hulumtuese, Milka Tadiq Mijoviq, theksoi se hulumtimet e shumta, filmi “Të pambrojtur” që u shfaq në konferencë, si dhe dëshmitë tronditëse për jetën e këtyre njerëzve, treguan se ende nuk ka solidaritet elementar me më të pambrojturit në shoqërinë tonë. “Ata janë lënë në duart e tyre, paragjykimet, varfëria, dhuna”, theksoi ajo.
Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, theksoi se titulli i filmit të Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi pasqyron mirë se sa të pambrojtura janë gratë e asaj popullate në të gjitha sferat e jetës. Megjithatë, ajo thekson se kjo popullatë përballet me diskriminim edhe në vendet e tjera evropiane.
Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Srgjan Paviqeviq, theksoi se popullata rome dhe egjiptiane nuk kërkon mëshirë, por respekt. “Margjinalizimi i tyre është vetëm faji ynë dhe unë e pranoj”, tha zëvendëskryeministri.
Mali i Zi është i detyruar të sigurojë që komuniteti rom dhe egjiptian të kenë të njëjtat të drejta si të gjithë qytetarët e tjerë. Ai duhet të tregojë se mendon në frymën evropiane dhe se është i përkushtuar ndaj integrimit evropian.

Të fundit

më të lexuarat