Tuz- Në Qendrën Kulturore Informative “Malësia” të premten më 2 shkurt 2024 u shfaq tragjikomedia “Burra pa gra” e autorit iltalian, Angelo Longoni, me regji të Julian Canametit dhe skenografi të Ened Kukës, ndërsa u luajtë nga aktorët: Andi Begolli dhe Valdrin Hasani.
“Burra pa gra” është një komedi e hidhur, cinike, çarmatosëse, që thellohet në dobësitë e të rinjve të sotëm, në pamundësinë për të komunikuar, për të përjetuar ndjenjën dhe dashurinë në mënyrë të ekuilibruar dhe të pjekur, si dhe për të ndryshuar gjendjen e tyre të jetës.
Dy të rinj me karaktere shumë të ndryshme ndajnë se bashku një apartament, derisa diskutimet e vazhdueshme në lidhje me dobësitë e tyre përkatëse me seksin e kundërt, bëhen fatale.
I shkurtri është muzikant, saksofonist, me prirje të fortë drejt alkoolizimit, i çuditshëm në pamje, ndërsa i gjati, është një shkrimtar aspirant, elegant, i kujdesshëm për shëndetin, sportiv. Dy botë të largëta, por që i bashkojnë të njëjtat vështirësi të jetës së përditshme: faturat për të paguar, blerjet, mungesa e parave dhe një partner i qëndrueshëm. Jetët e tyre bashkohen nga e njëjta dhimbje jetese.
Ata janë larg gjetjes së përmbushjes së tyre personale, si në nivelin profesional ashtu edhe në atë sentimental. Kështu, ata ndjejnë keqardhje për veten e tyre. Flasin pa i thënë asgjë njëri-tjetrit për problemet që i mundojnë.
Në një prononcim për gazetën “Koha Javore”, aktori, Andi Begolli, thotë se kjo vepër kthen shikimin nga ky univers mashkullor, i cili gjithmonë ka vështirësi të mëdha në marrëdhëniet me gratë e reja. “Ndoshta është faji i stereotipeve ende dominuese, ndoshta e një shoqërie që nuk është shumë e hapur ku femrat shihen gjithmonë dhe vetëm si nëna ose si objekte seksuale” shprehet Begolli.
Ndërkaq, dialogët, shpesh ironikë, gjithashtu provokojnë të qeshura dhe shumë buzëqeshje, por, mbi të gjitha, zhgënjim të hidhur dhe të dhimbshëm, qe japin masën e vërtetë, reale, se sa të paaftë janë këta dy tridhjetëvjeçarë. Miqtë e vjetër duhet t’i përjetojnë ndjenjat në një mënyrë të rritur dhe të pjekur, por hendeku midis dy gjysmave të qiellit rritet gjithnjë e më shumë dhe ata rezultojnë të jenë pothuajse po aq të brishtë sa adoleshentët. Ata janë plot me neuroza të pazgjidhura, nuk dinë se si të jenë të sinqertë dhe korrekt, as ndaj mikut të zemrës, as ndaj gruas; me pak fjalë, dalin vërtetë të rrahur nga autori.
Ata janë kaq të ndryshëm, pothuajse të kundërt, por kaq të afërt, kaq të varur nga njëri-tjetri, plot tike dhe kaq të pasigurt; është një marrëdhënie dashuri-urrejtje. Ata ngacmojnë njëri-tjetrin, ndahen, por në fund nuk janë në gjendje të jetojnë të ndarë sepse kanë nevojë për mbështetje reciproke, pasi asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të jetojë një marrëdhënie të pjekur me një grua.
Miqësia e vërtetë, megjithatë, përtej çdo dallimi në karakter, debat, tradhti dhe mungesë mirëkuptimi, i bashkon të gjithë, edhe në një natë të errët dhe të vetmuar.
Premiera e kësaj tragjikomedie është dhënë në muajin nëntor të vitit të kaluar në Universitetin e Arteve në Tiranë.
t. u.
