POEZI: Anton Gjuravçaj

FLATUS VOCIS

Fjalët e veprat
na shkojnë në kaheje të kundërta
me kopilë në shpinë…
nëpër breza përcillej
lista e atyre që të parët u lanë stolin mbrapsht
që nuk kishin anë
/rrënjë të cekëta/
e ne përsëri luftojmë luftën donkishote
kundra fizikës dhe gjenetikës/
të “dëshmojmë” se molla nuk bien nën mollë…
syplasur
e përcjell me brohoritje primitive të tifozëve…

malli i largët
që dikur e quanim vetë dora e Zotit
/për shkaqe të përkushtimit dhe inteligjencës/
dita ditës shndërrohet në një bucelë balti
në dorë të matrapazëve…
ku përfundon interesi
na fillon realiteti
dikujt edhe identiteti
e dinjiteti
apo e kundërta…

fjalori është tkurrë
përdorim vetëm fjalë
/Të dëshmuara si të sigurta
fitimprurëse…/
me mëlmesa të ndryshme
/sa për sy e faqe/
pa pikën e shpirtit
në një skandal ripërtypjesh
/ninulla për idiotë/
që po na bëhen himn…

parimi
me maskë të huaj jetohet më lehtë
ideologjia
me hëngër më lehtë edhe një copë bukë
epilogu
barku i fukarasë nuk ngopet kurrë…
/dëshirat e të paditurit nuk kanë as fund as fytyrë/

në ‘’post demokraci’’
/në prag të hyrjes në Bashkësi Evropiane/
vendosim gur themelin e anës qesharake të historisë
shndërrojnë zgjidhjet elektorale
në kryengritje fshatare
/njerëz me sy të zgurdulluar
me ‘’sakica…tërfurq e kmesa’’ …./
pas trumbetave moderne të botëve
për “interesat e popullit”…

vazhdojmë të dehemi me mend të veta
bëjmë komutacionin e bashkisë
në komunale
politike në tregtare
/partitë tregtare shqiptare/
konfabulacioni
si fantazmë del prej shishes
prej kur realiteti demokratikë
u shndërrua ‘’në nxjerrjen e rrepës’’
/prej gropës së…
ku bien shoq pas shoqi
me vullnet e vetëdije të plotë dhe për interes vetjakë…/

dikur rapsodët popullorë
/kur ishin pa porosi dhe pagë/
do t’ia thoshin
/si na i plasi Zoti sytë e ballit
ia lamë fytyrën në dorë tregtarit
pa nevojë ditën na e bënë natë
u shuan vatrat me dukatë/

në karikaturën e realitetit
u ‘’vetë martirizuan’’
poetë
shkrimtarë
in(te)lektualë
gaz-e(t)-arë
politikanë…
kurrkush se din si u bë
i punësuar i robëruar
/gurë themeli i ”kohës së artë” /
apo i blerë
i (pa) prerë…
ose
partiakë
gojë aspak…

në këtë vargmal të paqëndrueshëm
ardhja deri në pushtet
/pa marr parasysh mënyrën/
quhet demokraci

rreziku i humbje së pushtetit
/në mënyrën më normale/
që shqetëson në palcë të gjithë analfabetët…
quhet përçarje…
madje edhe tradhti…
në të vërtetë
kjo është opera më e shkurtër shqiptare
/sa i përket fjalëve/
po më e gjata sa i përket kohës
dhe pjekurisë politike…

në rrugën që t’i humbet kuptimi çdo gjëje
paraqitet fenomeni
edhe një me pasthirrmën i rrejshmi
/në historinë e Malit të Zi /
edhe një mot i vogël politik
për shqiptarët
hëna e Shën Pjetrit…

shqiptarët të filan filanit…
/si do ti njoh historia/
e deri te shqiptarët “modern”
/as një vit e gjysmë
e rrugës qorre…/
prej tualet politikës
/ ikja prej skenës kur duhet të deklarohesh/
… te ajo ”pa dorëza”
deri te ajo e cergës…

çeta e matrapazëve
në tokë të shenjtë…
/copat e te cilës ka herë kanë filluar
t’ i bëjnë monedha
se nuk i gjendet e meta
as haptazi
parasë prej dorës së huaj…

në vendin ku sinqeriteti… vullneti e guximi
ikin për dritare
për dere hynë frika
me kalin e Trojës për dore
feudi i mallkuar me vasalë … skllevër e koke zbrazë
ku pseudo patriotizmi e krim patriotizmi
mbajnë në jetë njëri tjetrin

në këtë epidemi të rëndë heshtjeje
ku tani do të gjendet virusi
që t’i jepet besa…
apo me dorë të shtrirë
do të lypin për ‘’ne’’ nëpër kryeqytet
edhe pse dihet
se sa u çmojnë lëkurën..

mund të ndoll
në kohë të mpirë…
/çështje individuale e kuptimit
të përgjegjësisë dhe intelekti…/
zëri të humb zërin
edhe aty ku nuk pritet…
para qiriut
të ngatërrohet urata
para dite lavdërohet Krishti
pasdite Baraba…

në këtë trashje mendjeje
gjuhe…
me virtyte marr peng…
kujtese historike të përdalë…
e histori në paterica
nuk kuptojmë as dallimin
në mes të fortit me faqe të bardhë
dhe të fortit me faqe të zezë…
në një enciklopedi
përuljesh
shpifjesh
keqpërdorimesh…
‘’mikrombretëri’’ patash
ku edhe shqiponja shndërrohet
në krijesë mitologjike…
e në tokë
‘’shumicë’’ prej strucëve….

Të fundit

më të lexuarat