
Po t’i pyesësh njerëzit se çfarë i bën të lumtur? Shumica japin përgjigje të ndryshme.
Por ajo që kam vërejtur është se një shumicë e tyre thonë se nuk është paraja dhe paranë e vlerësojnë si një “djall i të gjitha të këqijave”, por në anën tjetër të gjithë vrapojnë drejt saj.
Na është imponuar të besojmë se lumturia vjen në këtë mënyrë, nga sendet, po këto gjëra ndoshta na përmbushin përkohësisht dhe nuk është lumturi e përhershme.
Po atëherë, ku fshihet lumturia? Mund të themi se ajo qëndron në brendësinë e çdo individi.
Për ta arritur këtë, së pari duhet të zotërojmë vetveten, që është një udhëtim brenda vetes, i cili kërkon një përkushtim të dedikuar shpirtëror. Duhet të ndërrojmë mënyrën e të menduarit, jeta të shikohet me pozitivizëm, si një gjë e bukur me të mira dhe të këqija, që na është dhuruar si një kopsht lulesh, ku jo të gjitha lulëzojnë, ka nga ata edhe që thahen para kohe dhe kjo nuk duhet perceptuar si gjë negative por si e natyrshme.
Duhet të jemi të lumtur me atë që kemi, të shkuarën të ia lëmë të kaluarës dhe mos të jetojmë në atë, por as në të ardhmen, të largohemi nga krahasimet, le të duam çdo gjë pa kushte, me një fjalë përqafoje atë që e ke para vetes.
Problemi i shoqërisë apo i një populli, varet shumë nga mentaliteti, tradita, paragjykimet dhe më e sakta mendoje se është ndërtimi ynë psikologjik, si është konstruktuar mentaliteti ynë dhe se çfarë detyrash i kemi vënë vetes në jetë, çfarë pritshmërie ka njeriu për jetën.
Andaj nëse pritshmëritë tona do mbeten ëndrra të parealizuara, ka mundësi që një pjesë e këtyre njerëzve edhe mos të jenë të kënaqur me jetën e tyre, sepse ata nuk e ndajnë dot realitetin nga iluzioni.
Jetën duhet ta kuptojmë si një gjë personale, bile as jeta e fëmijëve tanë nuk na takon ne, ajo iu takon vetëm atyre dhe mos u mundoni që ta përvetësoni si prindër jetën e tyre, do të mbeteni të zhgënjyer dhe kjo do t’ju sjellë pakënaqësi të panevojshme.
Andaj, për të jetuar një jetë më të përmbushur dhe të lumtur, ne duhet të ndryshojmë veten tonë.
Mos shpenzoni kohë dhe energji pas gjërave abstrakte, duke lakmuar të tjerët që kanë sende të bukura, si orendi dhe pajisje tjera material: para, shtëpi, makinë, e shumë të tjera, sepse tek e fundit mos harroni se edhe atyre iu mungon diçka nga jeta.
Njeriu jeton në një rrotullim dhe qendra është aty ku jemi ne, ku para nesh kemi të tjerë, por dhe pas nesh ka të tjerë, mos u mundoni t’i tejkaloni, sepse është e paarritshme.
Mos e kufizoni mendjen tuaj në mungesat tuaja, ajo krijon frikë, luhatje në jetë. Nëse ia kushtojmë energjinë tonë varfërisë, ajo manifeston varfëri.
Ka nga ata që e shtrëngojnë paranë e tyre, nuk harxhojnë, nuk them që mos të kurseni, por duhet të krijoni marrëdhënien me paranë që nuk është asgjë tjetër përveç se energji. Mos harroni, se qenia jonë e ka një fuqi në mendjen tonë që mund t’i kontrollojmë rrethanat tona.
Asnjëherë nuk duhet harruar, bukuria e vërtetë është brenda shpirtit të individit dhe aty duhet të përqendrohemi. Eghard Tolle thotë në librin e tij ”e kaluara është jeta e vdekur, që i takon historisë, ato janë vetëm kujtimet, kurse e ardhmja nuk është realiteti, ajo është imagjinare, dëshirë që shpeshherë mbetet e parealizuar dhe mos shpenzoni shumë energji aty”!
Shohim se një pjese të njerëzimit i kalon kjo jetë duke okupuar mendjen me një jetë pas vdekjes, pa e shijuar këtë jetë, nëse kjo ndodhë do të mbetesh pa shijuar asnjërën. Duhet t’i gëzohemi jetës dhe shëndetit, sepse ato janë e vetmja pasuri konkrete që na ka dhuruar natyra, apo sido që të besoni dhe t’ia kushtojmë kohën që të krijojmë përjetimet më të bukura dhe mbresëlënëse, duke lënë pas shembuj të mirë edhe për pasardhësit, pra këtë mund ta bëjmë deri sa të jetojmë!
Na bëhen premtime, për një jetë tjetër pas vdekjes, është një fantazi shumë e bukur të besohet që i takon iluzionit dhe ato që përjetojmë në jetën tonë, është jeta reale, që na sjellë të mira dhe të këqija dhe askush nuk është i privilegjuar. Por, qenia njerëzore ka prirje për ta besuar një gjë që i pëlqen dhe i jep shpresë, mbase ia lehtëson, nëse kjo na bën të lumtur, le të jetë kjo lumturia jonë.