
Marrja e jetës së një gruaje, është një akt i rëndë dhe tronditës për shoqërinë tonë. T’i privosh fëmijët nga nëna e tyre, është një akt monstruoz. Kjo na bën të ulemi dhe të mendojmë seriozisht, se ku po çalon njerëzimi dhe përse kjo pjesë e trurit nuk ka evoluar?
Koncepti burrë dhe grua ende zënë një vend kryesor, jo vetëm te ne, por edhe te shumë shoqëri tjera të botës. Që të flasim për këto fenomene duhet të kuptojmë se këto tema janë komplekse dhe duhet një trajtim shumë i detajuar për të shpjeguar raportin: Burrë – Grua!
Sipërfaqësisht mund të prekim nga kjo diçka dhe të analizojmë se ku qëndrojmë ne shqiptarët në raportin: Burrë – Grua? Mos të harrojmë se rolet gjinore janë ende stereotipa edhe në shoqëritë e zhvilluara. Njeriu ende nuk ka arritur ta kuptojë drejt gjininë njerëzore, nuk ka arritur ta kuptojë se a ekziston kjo me të drejtë, ne kuptojmë vetëm atë që na është imponuar nga rrethi i shoqërisë ku kemi jetuar. Rolet gjinore janë konsideruar dhe konsiderohen ende si një normalitet, ku shumica e shoqërive nëpër botë e bëjnë dallimin në mes burrit dhe gruas.
Shumica e familjeve në kohët e shkuara jemi rritur me konceptin se burri ishte burrë dhe gruaja ishte grua, me punët e ndara, ku gratë qëndronin në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët, ndërsa burrat punonin jashtë. Ishte bërë si një rregull, që gratë nuk mund të punonin pas martesës dhe burrat nuk do të qëndronin në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët.
Kjo ka bërë që burrat të kenë të drejtë mbi të gjitha, edhe mbi bashkëshorten e tyre që ata e quajnë gruaja ime, duke e trajtuar në formë prone, ”kanë të drejtë t’ia marrin edhe jetën”, pra kjo na tregon se shoqëria jonë është një shoqëri thellësisht patriarkale, që bazën e ka që nga lashtësia.
Te shqiptaret ende mbizotëron ideja se gruas nuk i takon asgjë, ajo kur martohet nuk merr asgjë, që tregon se patriarkalizmi është i rrënjosur shumë më thellë dhe se ne u takojmë atyre vendeve me një shoqëri të tillë. Për shembull, ne ende e kemi në mentalitetin e shoqërisë tonë, pa marrë parasysh se ligjet nuk e lejojnë një gjë të tillë se gruaja nuk ka të drejtë në pronën e të atit të saj , prona i takon vëllait të saj, nëse ajo e ka sipas traditës, kinse ajo e gjen pronën te burri i saj! Kështu është e kuptuar edhe nga gratë dhe shpesh herë te ne as që e kërkojnë pronën, edhe pse ndoshta ajo ku të shkojë burri mund të jetë shumë e varfër, pra kështu është rrënjosur në traditën e tyre kanunore dhe gjer sa ne veprojmë kështu, ky fenomen nuk do të zhduket lehtë.
Fjalën “burrë”, shoqëritë pothuajse në shumë vende të botës e përdorin si ”maço”, që duan të tregojnë se kanë aftësi më të lartë mendore dhe fizike ta kontrollojnë një grua, pa e ditur se krijojnë seksizëm, pra shembull: ”a je burrë ti, apo je grua, mos u bëj si grua” etj..
Pra, asgjë nuk ka ndryshuar me konceptin e “burrave”, ata femrën e shikojnë si mjet seksi, si mjet pune, si mjet për të prodhuar fëmijë etj. Dhe ky fenomen i seksizmit te ne shqiptarët ka një trend rritjeje. Nga i gjithë ky mentalitet, tregon edhe fakti sipas raporteve të mediave:
Ne vitin 2022 janë vrarë 89,000 gra dhe ky numër është numri më i lartë për vit në 20 vitet e fundit dhe 48,800 nga këto vrasje janë të motivuara në gjini (nga raporti i Amnesty Internacional). Vetëm në Kosovë janë vrarë 28 gra që nga viti 2008, pra me vrasje femicide, vetëm se janë gra.
Po ta analizojmë këtë term, do ta kuptojmë se është një atribut i krijuar artificialisht dhe nuk ekziston, nuk ndryshon burri dhe gruaja, këtë e ka krijuar shoqëria patriarkale, sepse seksi është i ndarë nga gjinia, gjinia është konstrukt.
Andaj, problemi në shoqërinë tonë do të ekzistojë, derisa ne të vazhdojmë të edukojmë gjenerata me mentalitet patriarkal, s’kemi përse të habitemi nga këto që po na ndodhin, ne po e ndihmojmë jetëgjatësinë e problemit.
Stereotipa të tillë kanë rezultuar të jenë të dëmshëm, sepse nuk i lejojnë burrat, por edhe gratë të shprehin hapur emocionet dhe dëshirat e tyre dhe kjo shkakton probleme të shëndetit mendor si te gratë, ashtu edhe te burrat, duke krijuar ankth, depresion, vetëvlerësim të ulët etj..
