U hap Qendra e Komunitetit

Qendra e Komunitetit në Krythë do të jetë për përdorim shumëfunksional. Ndërtimi i saj ka kushtuar rreth gjysmë milion euro dhe është ndërtuar me nismën dhe falë kontributit kryesisht të diasporës së këtij fshati në SHBA, por edhe të disa donatorëve të tjerë

Në fshatin Krythë të Anës së Malit, të dielën është hapur solemnisht Qendra e Komunitetit për përdorim shumëfunksional. Ndërtimi i saj ka kushtuar rreth gjysmë milion euro dhe është ndërtuar me nismën dhe falë kontributit kryesisht të diasporës së këtij fshati në SHBA, por edhe të disa donatorëve të tjerë.
Njëri nga udhëheqësit e realizimit të projektit, Agron Shabani, duke parafrazuar Faik Konicën, i cili flet për mallin e mërgimtarëve për atdheun, ka thënë se të tillë janë edhe bashkëvendësit tanë në diasporë, të cilët e iniciuan këtë vepër modeste, por madhështore për viset tona.
“Malli i tyre, atdhedashuria, kujdesi për bashkëvendësit sot po kurorëzohet me këtë vepër”, është shprehur ai.
Shabani ka theksuar se kjo qendër nuk do të jetë në shërbim vetëm të banorëve të Krythës, por edhe të banorëve të tjerë të Anës së Malit dhe Ulqinit.
“Qendra është ndërtuar me dedikim të përgjithshëm, për tubime, mbledhje, prezantime, promovime e aktivitete të tjera të ngjashme”, ka thënë ai.
Shabani ka treguar se ndërtimi i Qendrës së Komunitetit ka filluar më 28 nëntor 2022, kur është vendosur gurthemeli i saj dhe se është ndërtuar në kohë rekord.
“Ka qenë një punë që nuk na ka lodhur edhe kur jemi lodhur fizikisht, sepse vullneti e dëshira na ka mbajtur zellin plot”, ka thënë ai, duke shtuar se “kjo është një vepër e vogël që ne të gjithë bashkë e kemi bërë me një dashuri të madhe”.
Në emër të diasporës së fshatit Krythë në SHBA, të pranishmit i ka përshëndetur Lano Pali.
“Sot ne po hapim një qendër, e cila ka filluar një vit më parë si ide, por falë kontributit dhe bashkëpunimit të të gjithëve, vendasve dhe diasporës u bë realitet. Kjo qendër është një dëshmi që së bashku mund të bëjmë vepra të mira. Aty ku është dëshira, bashkimi e vullneti është edhe suksesi”, është shprehur ai.
Pali ka falënderuar çdonjërin që ka kontribuuar në çfarëdo mënyre, qoftë në të holla apo me punë për ndërtimin e Qendrës së Komunitetit.
Ai ka premtuar se edhe në të ardhmen do të përpiqen të kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm dhe mirësinë e vendlindjes.
Për kryetarin e Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktarin, hapja e Qendrës së Komunitetit në Krythë paraqet një lajm të mirë.
“Jam shumë krenar që vitin 2024 e nisim me këtë lajm shumë të mirë për Komunën tonë dhe për Anën e Malit”, ka theksuar ai.
Bajraktari ka thënë se që në takimin e parë që ka pasur me grupin nismëtar për realizimin e këtij projekti nuk ka pasur dilemë që Komuna e Ulqinit do të ndihmojë ndërtimin e Qendrës së Komunitetit.
“Jam shumë krenar që unë sot si kryetar komune, nesër besoj dikush tjetër, gjithmonë do të jetë krah këtyre projekteve dhe ky është një model bashkëpunimi i cili është shumë i rëndësishëm – ne si Komunë e Ulqinit dhe diaspora që të kemi përsëri kësi lloj projektesh si ky që po e hapim, por jam më se i sigurt se edhe nesër do të kemi projekte dhe më të rëndësishme për ekonominë e kësaj zone dhe ekonominë e Ulqinit në përgjithësi”, ka deklaruar ai.
Në fjalën e tij, Reisi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat ef. Fejziq ka theksuar se ndërtimi i Qendrës së Komunitetit është një tregues i veprave të mira.
Ai ka thënë se islami është edhe mënyrë e jetesës, që përbëhet prej disa rregullave prej lindjes e deri në vdekje, dhe se njëri prej obligimeve të njeriut është respekti ndaj të vdekurve.
“Ne që jemi pjesëtarë të kësaj feje duhet të kemi gjithsesi respekt ndaj të vdekurve tanë. Ndërsa ky objekt është tregues dhe dëshmi që ju keni treguar respekt të jashtëzakonshëm ndaj atyre që do të ikin nga kjo jetë. Pra, para së gjithash, ndaj të vdekurve tanë. Dhe kjo është një gjë e madhe dhe një gjest i madh”, është shprehur ai.
Për rëndësinë e ndërtimit të Qendrës së Komunitetit ka folur edhe imami i xhamisë së Krythës, Amir Tula.
Në vazhdim të programit për pjesëmarrësit e shumtë në ceremoni është shfaqur dokumentari i titulluar “Diaspora në vendlindje”, i realizuar nga Armend Shabani dhe Allmedin Suka, i cili flet për historikun e projektit të ndërtimit të Qendrës së Komunitetit, që prej idesë fillestare e deri te përfundimi i saj, si dhe për kontributin e mbështetjen e bashkatdhetarëve nga Krytha për vendlindjen e tyre. Aktori Bashkim Alaj është prezantuar me një monolog dhe grupi i fëmijëve i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Trojet Tona” me një valle.
Në ceremoninë e hapjes së Qendrës së Komunitetit në Krythë kanë marrë pjesë, ndër të tjerë, krerët më të lartë të Komunës së Ulqinit, partive politike, Bashkësisë Islame të Malit të Zi dhe asaj të Ulqinit, deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, përfaqësues të Qeverisë së Malit të Zi etj.

i.k.


Mirënjohje për donatorët

Me rastin e hapjes së Qendrës së Komunitetit në Krythë janë ndarë mirënjohje për disa prej donatorëve kryesorë. Kështu “për kontributin, vlerat dhe atdhedashurinë e treguar ndër vite përmes investimeve të vazhdueshme në vendlindje, me theks të veçantë ndërtimin e Qendrës së Komunitetit – Krythë” mirënjohje u janë ndarë bashkatdhetarëve nga Krytha në SHBA: Hamdi Çapriqi, Qamil Çapriqi, Lano Pali, Halil Brkani dhe Isa Çapriqi, kurse “për kontributin e vazhdueshëm në ngritjen e mirëqenies në zona të ndryshme të qytetit, me theks të veçantë për kontributin e dhënë për Qendrën e Komunitetit – Krythë”, mirënjohje i është ndarë Komunës së Ulqinit.

Të fundit

më të lexuarat