Podgoricë – Mali i Zi dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale të fuqizuara me anëtarësimin në NATO dhe mbi këto baza, dy qeveritë duhet të punojnë për një lidhje më të mirë të komunikacionit, për të avancuar bashkëpunimin ekonomik në të gjitha fushat nga interesi dypalësh, kështu kanë theksuar nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nikë Gjeloshaj dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, gjatë takimit që zhvilluan të enjten më 18 janar 2024, në Podgoricë.
Nga zyra e nënkryetarit të Qeverisë thuhet se z. Gjeloshaj e njoftoi z. Hasani me prioritetet e qeverisë së 44-të, duke theksuar se Mali i Zi mbetet i përkushtuar në rrugën evropiane.
“Gjatë takimit është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, turizmit dhe të infrastrukturës. Në veçanti kanë theksuar mundësinë e fillimit të projekteve të përbashkëta dhe avancimin e bashkëpunimit në nivel rajonal”, thuhet në këtë njoftim.
Ndërkaq, në fund të takimit janë theksuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme të Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe është rënë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët.
“Mali i Zi është partner dhe mik i Republikës së Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim rrugën tonë të përbashkët euroatlantike. Besoj se në një të ardhme të afërt do të kemi një perspektivë të caktuar dhe të përbashkët evropiane” ka thënë nënkryetari i qeverisë, Nikë Gjeloshaj.
t. u.