Bukuri shkodrane

Është veti fizike e njerëzve, reflektuar në bukurinë e fytyrës, trupit, flokëve, lëkurës etj.. Shkodra ka pasur gjithmonë vajza dhe djem të bukur. Këtë e kanë dalluar gjithmonë të huajt që vinin nga vise të largëta. E kush ka qenë në Shkodër dhe nuk ka parë sa vajza të bukura ka ky qytet, sa të tjera po aq të bukura ka në Malësitë e Veriut

Zenepa Dibra

Duke i parë ashtu të veshura me kostumet kombëtare, në qytete, në pazare, në shtëpi, e sidomos në malësitë ku ajo dilte më e zbuluar, aty ato vunë re se kishin të bënin me zana malesh, me nimfat e ujërave, duke iu bërë lloj-lloj krahasimesh. Hijeshia e tyre, eleganca e trupit, bukuria dhe delikatesa e fytyrës, leshrat e hedhura të kokës, të lidhura aq hijshëm, linin përshtypjen se kishin të bënin me perëndeshat mitologjike. Shpesh, shumë prej tyre dallonin edhe rënien e shpejtë të kësaj bukurie nga martesat e hershme, lindjet e parakohshme, punët e rënda fizike që përballonin, gjendja e vështirë ekonomike etj.. Janë dy studiuese, njëra Edit Durham, anglezja që qëndroi më shumë se kushdo në Shkodër dhe në Malësitë e Veriut, si dhe shkrimtarja amerikane Rose Laine që vunë re bukurinë e femrës shkodrane, duke e përshkruar në veprat e tyre.
Edith Durham, te vepra e saj më e rëndësishme “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Ballkanin”, do të shkruante: …“Katedralja e katolikëve, është një ndërtesë e madhe me tulla e bërë 50 vjet më parë……Te porta gratë i heqin çarçafët dhe hyjnë në shtëpinë e zotit me fytyra të zbuluara, por fytyrat i kanë të bukura, me hundë të prerë pastër, pak të kthyera, me lëkurë të dëlirë si qelibar, me buzë të kuqe dhe me sy të zinj e qerpikë të gjatë”.
Shkrimtarja dhe studiuesja amerikane Rose Wilder Lane, që vizitoi Shalën në vitet 1921, bukurinë e një gruaje dukagjinase, kur e ka takuar mes shkrepave të Alpeve, e përshkruan kështu: “Fytyra e saj pak si e djegur nga dielli, me sy të mëdhenj, me formë delikate, qe më e bukura që kam parë deri më sot. Zëri i saj qe i ëmbël dhe duart dhe këmbët e saj sikur t’i kishte një skulptor do të marrosej. Në çdo restorant të Parisit, gishtat e hollë të saj, thonjtë delikatë dhe me bajame, bilekët e hollë aristokratikë, do të tërhiqnin vërejtjen e gjithë botës”.
At Giuseppe Valentini, i jep ngjyrë romantike bukurisë së gruas: …Dhe bukuria e tyre prek shpirtin e malësorëve më krenarë, hollësia e ndjenjave që ato zgjojnë, e tregon kjo këngë krahinore në të cilën formulohet një himn i vërtetë i bukurisë me këto vargje: Marshalla bukurisë sate/ Hije e randë të paska ra/ Balli yt rreze të bate/ Don se je rrit në diba…..
Janë me qindra vargje dhe melodi të këngëve popullore shkodrane ku do t’i thurin himne kësaj bukurie, veshur me tisin romantik të dashurisë saj. Në Shkodër vajzave dhe grave u ka dhënë hijeshi kostumi kombëtar i veshur me raste festash, në dasma dhe ceremoni familjare. Veshja e xhubletës në Malësinë e Veriut u ka dhënë grave së bashku me bukurinë e tyre edhe madhështinë e alpeve. Vargjet janë më romantike ku përshkruhet bukuria e femrës shkodrane:
Yll me bisht, rreze si hana/ flokët tuej qindisë me ar/bishtalecat me gjylpana /të jan’ rrit’ moj, n’ishtiharë. Një këngë tjetër përshkruan bukurinë e një vajze shkodrane, si: Sa e bukur ishte Gjyla/si bahçet mbushun n’bylbyla.
Vajza të bukura ka pasur në çdo kohë, por më përpara në kushtet e një konservatorizmi fanatik, kanë fshehur bukurinë dhe hiret e tyre, por edhe ashtu nuk i kanë shpëtuar syrit të djemve të cilët do të shpërthenin në poezi dhe në qindra këngë popullore, duke e krahasuar këtë bukuri me natyrën, lulet, me shkëlqimin e diellit dhe të hënës e lloj-lloj krahasimesh artistike, metaforike. Duke parë vajzën e bukur shkodrane Viola Duka, kompozitori Pjetër Gaci kompozoi këngën “Ky merak”, kushtuar gjithë bukurosheve shkodrane.
Në Shkodër, sidomos mbas v. 1944-1990, atëherë kur femra zbulohet nga perçet dhe veshjet që e mbulonin fytyrën dhe trupin e saj, përmendeshin vajzat e bukura, si Nexhmije Dani, Poli Ingris, Dori Shestani, Ana Jakova, Landi Pogu, Diti Ramadani, Violeta Ashiku, Lili Hoxha, Fitnet Lopçi, Meri Topalli, Viola Duka, Dhurata Mulleti, Zana Omari, Suela Kastrati, etj..Në Shkodër ikonë e bukurisë femërore shkodrane ka qenë Gjyzepina Çoba (1922-2003), duke u futur edhe në historinë e artit shqiptar si muza e përbashkët për disa artistë, si modelja që pozoi për realizimin e shumë pikturave dhe fotove. Gjyzepinës piktorët ia kanë fiksuar portretin në disa piktura: piktura e parë është bërë nga piktori i njohur Kolë Idromeno që e kishte stërmbesë, kur ajo ishte në moshën 10 vjeçare (1932) ; piktura e dytë është bërë nga bashkëshorti i saj Vladimir Jani më 1956, kur ajo ishte 34 vjeçe, piktura e tretë, nudo në përmasa 120×70, me ngjyra vaji në kanavacë, është e pikturuar po nga Vladimir Jani në v. 1968.
Më 1980 do të jetë i biri, Nikolet Vasia që bën portretin e nënës për të katërtën herë dhe krijuesja piktore Shpresa Beqiri që do të bëjë një tablo tjetër të saj.
Jo vetëm vajzat dhe gratë shkodrane shkëlqejnë në bukurinë e tyre por edhe meshkujt s’do t’ia linin për bukuri femrave. Alfred Ashiku (1916-1962), i cili ka mbaruar studimet në Strasburg të Francës flitet se në një konkurs bukurie me studentë nga shumë shtete të botës, mori kurorën e bukurisë. Po kështu edhe nipi i tij Mario Ashiku ishte ndër bukuroshët shkodranë që do të bëhej aktor teatri dhe kinematografie. Në Shkodër të njohur për bukuri kanë qenë Zyhdi Barbullushi, Jak Fistani, Zef Franja, Vehbi Çanga, Angjelin Shiroka, Feti Dizdari, Zyhdi Zekja, Filip Guraziu, Esat Haxhi, Enver Halili, Xhemal Dini, Marian Shestani, Ndok Pistulli, Abdullah Bilali, etj..
Në Shkodër mbas v. 1990 janë zhvilluar edhe edicione bukurie. Në v. 1993, misi i parë shkodran do të jetë Suela Leka, kurse topmodelja e parë shkodrane ka qenë Bora Bushati. Edicionin “Mis Albania 2000” do ta fitojë shkodrania Gentjana Ramadani, kurse Entela Nako do të jetë shoqëruesja e parë e misit në edicionin “Mis Shqipëria, 2002”. Marsela Lushaj do jetë “Mis Shkodra 2003”.
Edhe në Malësi të Madhe, në Qafën e Pertolecit, në manifestimin “Logu i Bjeshkëve”, janë organizuar edicione të bukurisë të titulluara “Mis Bjeshka” ku vajza të Malësisë së Madhe dhe të ardhura nga trojet shqiptare jashtë kufijve tanë, të veshura me veshjen kombëtare të xhubletës kanë manifestuar bukuritë e malësoreve tona të Veriut. Angjela Martini, shpejt do bëhej një nga modelet e njohura në SHBA.
Emina Çunmulaj, njihet si ndër supermodelet më të suksesshme në Amerikë dhe i përket hapësirës shkodrane sepse është nga trevat shqiptare të Malit të Zi; Lola Luma, modelja shkodrane , që prej vitesh e ka ndërtuar karrierën e saj në SHBA, më 2013 është zgjedhur nga revista “Maxim” si femra më seksi e New York-ut, duke u bërë kështu pjesë e një konkursi për vajzën më joshëse të Amerikës. Dhe bukuria shkodrane nuk mbaron këtu, sepse përditë shohim bukuri te rralla….

Të fundit

më të lexuarat