Njollë e zezë për imazhin e Malit të Zi

Akti i dhunës ndaj të rinjve shqiptarë është pasojë e urrejtjes patologjike që një pjesë e qytetarëve të Malit të Zi, sidomos serbët, kanë ndaj shqiptarëve dhe e frymës së përgjithshme politike, shoqërore, ndëretnike e ndërfetare në Mal të Zi

Ismet Kallaba

Incidenti i ndodhur me tre të rinjtë shqiptarë nga Shqipëria në Zelenikë, ndaj të cilëve u ushtrua dhunë nga një grup i personave deri tani të paidentifikuar, nuk mund të shikohet dhe trajtohet si një rast i veçuar, pasi që incidente të këtilla, kur bëhet fjalë për shqiptarët dhe simbolet e tyre kombëtare, ka pasur herë pas here edhe në të kaluarën, bile edhe nga pjesëtarët e organeve shtetërore. Ai është pasojë e urrejtjes patologjike që një pjesë e qytetarëve të Malit të Zi, sidomos serbët, kanë ndaj shqiptarëve dhe e frymës së përgjithshme politike, shoqërore, ndëretnike e ndërfetare në Mal të Zi. Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve janë një shfaqje pothuajse e zakonshme në terrenet sportive në Mal të Zi, kur luajnë ekipet shqiptare, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe i frymëzon besimtarët e saj me gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Mitropoliti i Mitropolisë Malazeze-Bregdetare, Joanikije, nuk denjoi që edhe në urimin me rastin e festës së shenjtë të Krishtlindjes, të përmendë “kryqëzimin e Kosovës”. Si për çudi apo rastësi, incidenti me të rinjtë shqiptarë ndodhi të nesërmen (të shtunën), një ditë pas deklaratës së tij. Edhe pse hulumtimet e fundit kanë treguar për zvogëlimin e shkallës së distancës etnike në Mal të Zi, ajo vazhdon të jetë shumë e lartë, veçanërisht ndaj pakicave.

Aq sa duhet përgëzuar policinë malazeze për reagimin profesional ndaj incidentit, po aq duhet kritikuar përpjekjen e përfaqësuesve të organeve përgjegjëse për të minimizuar ngjarjen, duke e cilësuar si diçka të rastësishme dhe vepër të disa personave të alkoolizuar


Aq sa duhet përgëzuar policinë malazeze për reagimin profesional ndaj incidentit, po aq duhet kritikuar përpjekjen e përfaqësuesve të organeve përgjegjëse për të minimizuar ngjarjen duke e cilësuar si diçka të rastësishme dhe vepër e disa personave të alkoolizuar. Vetëm ndriçimi i plotë i incidentit dhe dënimi adekuat i kryesve të kësaj vepre penale, në përputhje me ligjin, do të ndikonte që ato të mos përsëriten më, ose të paktën, personat e tillë të mendohen mirë para se të kryejnë akte të tilla dhune në të ardhmen.
Ky incident i ka shërbyer edhe politikës shqiptare dhe politikanëve shqiptarë në Mal të Zi për t’u “zgjuar nga gjumi”. Përmes reagimeve, si pjesë “kryesore” e punës së tyre, ata e kanë dënuar aktin e dhunës ndaj të rinjve shqiptarë.
Incidenti me të rinjtë shqiptarë është, në radhë të parë, një njollë e zezë për vetë imazhin e Malit të Zi. Ai nuk u shërben marrëdhënieve ndëretnike në vend dhe raporteve fqinjësore të Malit të Zi dhe Shqipërisë. Pavarësisht se nga një rast nuk mund t’i përgjithësosh gjërat, ai mund të konsiderohet si një sinjal se shqiptarët nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi.

Të fundit

më të lexuarat